Vërshimi i përrenjve nga reshjet e shiut, dëmtohen rrugët në Kukës e Dibër! Në Tropojë rezervuari del nga diga, evakuohen banorët

Për shkak të reshjeve intensive të shiut, në rrugët e qarkut të Kukësit ka prezencë të dherave e gurëve.

Situata më problematike është në akset Kukës-Shishtavec, Bajram Curri-Valbonë, Dushaj- Lekbibaj dhe Sopot-Tropojë. Siç shihet në pamje po punohet për largimin e inerteve, por drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes, pasi rrëshqitjet nga skarpatet e maleve janë të vazhdueshme.

Si pasojë e reshjeve me intensitet prej 24 orësh, përrenjtë malor kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në fshatrat e Tropojës. Rrugët rurale dhe urat të shkatërruar.

Situata është më problematikë në njësinë administrative Bytyq, ku banorët janë evakuuar mbrëmjen e së enjtes për shkak të rrezikut nga rezervuari.

“Jemi tek rezervuari i Vladit, grupi i punës po inspekton situatën e krijuar nga reshjet e papara që nga dje e deri më sot. Dëmet janë shumë të mëdha. Rezervuari ka dalë nga diga, njerëzit janë evakuuar. Ka dëme në ura dhe rrugë, komisionet janë në terren për evidentimin e dëmeve. Situata vazhdon të jetë e rënduar”, tha n/kryetari i bashkisë Tropojë, Kujtim Rexhaj.

Moti i keq ka dëmtuar dhe shtyllat elektrike. Per pasojë me qindra banorë janë pa energji në Bashkitë e Tropojës dhe Kukësit.

Në Rrugën e Arbrit është vështirësuar qarkullimi i automjeteve për shkak se në fshatin Shkallë bien dhera e baltë në asfalt. Rrëshqitjet vijnë si pasoje e ujerave nëntokësore, ndërsa kompania koncesionare po punon për pastrimin e rrugës.

Ndërsa në rrugën nacionale Burrel-Skuraj është shembur muri mbajtës pranë fshatit Shkopet, duke krijuar vështirësi në lëvizje. Rruga aktualisht e kalueshme me një sens për veturat, ndërsa policia ka bllokuar lëvizjen për mjetet e tonazhit të rëndë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:08
Moti i keq në Kukës e Tropojë, dëmtohen rrugë, ura dhe banesa! Vërshimi i përrenjve u merr përpara bagëtitë

Moti i keq me reshje shiu që ka përfshirë qarkun e Kukësit ka shkaktuar problematika të shumta. Janë dëmtuar disa rrugë e ura në disa njësi administrative, sidomos në bashkinë e Tropojës.

Report tv mëson se dëmtime ka edhe në disa banesa, ndërsa për shkak të vërshimit të përrenjve uji u ka marrë përpara bagëtitë.

Në fshatin Lugu i Tropojes ( Lugu i Zi), rrjedha e ujit ka marrë dy ura.

Ora 10:29
Moti i keq në Tropojë, nënkryetari i bashkisë: Dëme shumë të mëdha në Bytyq! Janë evakuuar disa banorë për shkak të daljes së rezervuarit nga diga

 

Nënkryetari i bashkisë së Tropojës, Kujtim Rexhaj ka dhënë detaje mbi situatën e krijuar në njësinë administrative Bytyq, ku tha se si pasojë e reshjeve të shumta gjatë gjithë natës, ka pasur dëme të mëdha.

Reshjet me intensitet të lartë kanë bërë që rezervuari i Vladit të dalë nga diga dhe për pasojë janë evakuuar disa banorë. Raportohen dëme në ura dhe rrugë.

“Jemi tek rezervuari i Vladit dhe po inspektojmë situatën e krijuar nga reshjet. Dëmet janë shumë të mëdha sidomos në njësinë administrative të Bytyqit. Rezervuari ka dalë mbrëmë nga diga dhe janë marrë masa që njerëzit të evakuohen. Ka pasur dëme në rrugë dhe ura. Komisioni po merret me vlerësimin e dëmeve të cilat fatmirësisht kanë qenë vetëm materiale dhe jo në njerëz”- u shpreh Rexhaj.

Ora 10:14
Tropojë/ Moti i keq la pa drita disa fshatra, Grupet e OSHEE në terren për riparimin e dëmeve

 

Grupet e OSHEE-së në Tropojë po punojnë për riparimin e energjisë elektrike e cila është shkëputur për shkak të motit të keq në disa fshatra. Konkretisht pa energji janë fshatrat Mgull, Vrish, Gdheshtë dhe Pistë. 

 Njësia administrative Malzi, fshati Mamëz Njësia administrative Kolsh  të bashkisë Kukës dhe Njësia Administrative Lekbibaj, Llugaj, fshatrat Cërnicë e Gri Njësia administrative Bujan,  fshatrat Çorraj, Berishë, Vlad Pac e Zherkë Njësia administrative Bytyq bashkia Tropojë.

Ora 09:54
Moti i keq me erë të fortë dhe dallgëzime deri në 7 ballë në det, bllokon peshkimin në Durrës

 

Sot është dita e gjashtë që peshkatarët në Durrës nuk dalin për peshkim. Shkak për këtë është bërë moti i keq. 120 anijet e flotës së peshkimit vijojnë të qëndrojnë të ankoruara në portin e tyre.

Dallgëzimet me forcë 6 deri në 7 ballë në det të hapur, nuk i lejon anijet të dalin për peshkim. Era fryn e fortë nga juglindja me shpejtësi 30-35 km për orë.

Anijet e tonazhit të madh kanë lëvizur sipas itinerarëve të tyre, ndërsa peshkarexhat dhe anijet e tonazhit të vogël nuk lëvizin nga porti i Durrësit. Pritet që ditën e nesërme më 20 janar të ketë një përkeqësim të motit.

Ora 09:51
Rrëshqitje dherash e inertesh në rrugën e Arbrit, fadroma ndërhyn për të pastruar rrugën

I gjithë qarku i Dibrës është përfshirë nga moti i keq. Si pasojë e shirave të rëna gjatë natës janë shkaktuar probleme në afërsi të tunelit të Murrizit në Rrugën e Arbrit, pasi ka pasur rrëshqitje dherash dhe inertesh në rrugë.

Firma ‘Gjoka’ e cila po ndërton edhe rrugën e Arbrit, ka ndërhyrë me fadroma duke pastruar rrugën dhe duke bërë të mundur kalimin lehtësisht të mjeteve.

B.V/B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb