As anija ekologjike duket se nuk po e zgjidh ndotjen në liqenin e Fierzës. Kuksianët janë dëshmitarët e përditshëm të situatës që kryesisht në ditë më reshje e shndërron pasqyrën ujore mes malesh në hambar të mbetjeve plastike.

Pamjet e ditëve të fundit tregojnë një situatë të rënduar e cila duket se ka depërtuar deri në zonat e banuara rreth brigjeve të liqenit.

Agim Cengu, një nga banorët e zonës thotë se ndotja e liqenit është një fenomen i vazhdueshëm ndër vite. Prurjet e lumenjve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë kthyer Fierzën në vendgrumbullim mbetjesh.

“Ndotja ka vite që vazhdon. Anija pastron çdo ditë, por mbeturinat janë shumë të mëdha në sasi. Me reshjet e shumta të këtij viti, situata është përkeqësuar edhe më tepër”, thotë ai.

Këtë vit ndotja duket se është më e madhe për shkak të reshjeve intensive gjatë dy muajve të fundit.

“Sa pastrohen sot, nesër vijnë përsëri. Është një cikël që nuk po ndalet”, shprehet Cengu.

Fenomeni i ndotjes, sipas Cengut, është prezent ndër vite, por së fundmi është kthyer në rrezik.

“Këtu nuk janë vetëm plastika. Ka edhe ilaçe, ushqime për bagëtitë, mbetje të tjera që janë të rrezikshme”, thotë banori.

Mbeturinat në brigjet e liqenit janë kthyer në shqetësim serioz edhe për banorët e fshatrave përreth, ku shumë familje kullosin bagëtitë pranë ujit.

“Na ka ngordhur një lopë nga mbeturinat. Është dëm i madh për ne”, shprehen ata.

Përballë kësaj situate kërkohet një zgjidhje e qëndrueshme përfshirë dhe bashkëpunimin ndërkufitar për të frenuar ndotjen që po e shndërron liqenin e Fierzës nga një pasuri natyrore në vatër të rrezikshme ndotjeje.