Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, së bashku me drejtorin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe prefektin e qarkut Lezhë, Taulant Malshi, kanë inspektuar situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut në zonën e Zadrimës.
Teksa u prononcua për mediat, Ndreu ka dhënë informacione të detajuara mbi pasojat e motit të keq në terren.
Ndreu tha se rreth 450 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur si pasojë e reshjeve, ndërsa fatmirësisht sipas tij, deri në këto momente nuk raportohet për banesa të përmbytura.
Ai shtoi se autoritetet vendore po ndjekin nga afër situatën dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.
“Siç e keni parë ka pasur reshje edhe në zonat malore, që karikojnë të gjithë prrenjtë dhe lumenjtë që vijnë nga sipër, plus edhe shkarkimet e hidrocentralit që kanë bërë punën e vetë, kështu që jemi në një situatë problematike. Por nuk jemi në një situatë alarmante. Nuk ka banesa, por ka zona që kanë tokat nën ujë. Janë rreth 450 hektarë në gjithë territorin e Lezhës nën ujë. Gjithë forcat e Bashkisë janë në terren”, tha mes të tjerash Ndreu.
Lajmi kryesor:
Shiu ‘paralizon’ vendin/ Evakuohen 180 banorë në Durrës, 800 shtëpi të përmbytura! 15 banesa nën ujë në Shkodër! Kritike situata në Gjirokastër (VIDEO)









