I gjithë territori i Qarkut të Kukësit vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa ekipet e emergjencave civile të tre bashkive po vijojnë angazhimin maksimal për koordinimin e punëve dhe menaxhimin e pasojave nga reshjet intensive të orëve të fundit.

Si pasojë e reshjeve, rrugët nacionale vijojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimeve të ujërave. Subjektet kontraktore kanë punuar pa ndërprerje për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të këtyre akseve.

Të gjitha rrugët nacionale aktualisht janë të qarkullueshme.Në bashkinë Has, gjatë orëve të natës është shënuar dëmtimi i një ure që lidh fshatin Dobrunë me fshatin Bardhosh.

Bashkitë Kukës dhe Tropojë nuk raportojnë problematika emergjente. Deri tani nuk është raportuar asnjë aksident rrugor, ndërsa patrullat e policisë janë në terren duke këshilluar drejtuesit e mjeteve për kujdes të shtuar në rrugë.

I gjithë qarku furnizohet me energji elektrike, me përjashtim të disa njësive administrative dhe fshatrave: Shishtavec dhe Topojan (Bashkia Kukës), fshatrat Myç Has, Pus i Thatë, Domaj dhe Gjinaj, Metaliaj.

Si pasojë e reshjeve të dendura, në Liqenin e Fierzës janë rritur prurjet e ujërave nga lumenjtë kryesorë që furnizojnë kaskadën e Drinit.

Sipas KESH, HEC-i i Fierzës aktualisht nuk është në punë për shkak të kapacitetit më të madh të basenit, duke krijuar hapësirë operimi për HEC-in e Komanit.

Sasia e reshjeve në 24 orët e fundit ka arritur në 150- 200 mm në Fierzë. KESH njofton se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe operimi në kaskadë kryhet brenda kushteve teknike dhe kuotave të lejuara nga rregulloret në fuqi.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Përmbytje në Delvinë e Finiq, evakuohen 6 familje! Izolohen 10 fshatra në Mirditë! Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati