Ditën e sotme, banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës protestuan para SPAK, kundër resortit që biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj po ndërton në zonë.
Luçjana Kokaj, banore e fshatit Rrjoll, tha në emisionin 'Studio Live' me gazetarin Ermal Qori në Report TV se Fatmir Shpellzaj, i cili pretendon se është pronar i tokave ku po ndërton Ulaj, ka dhunuar varrezat me qëllim grabitjen e pronave.
Ajo tha se kishte marrë informacione se Shpellzaj kishte sjellë me një furgon blu kockat e stërgjyshit të tij, për t’i varrosur në varrezat e fshatit.
“Ne herën e parë i jemi drejtuar SPAK me një padi ndaj Fatmir Shpellzës. Atëherë jemi drejtuar me një padi ndaj Shpellzës për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash. Të hënën kemi depozituar një tjetër padi në SPAK, me shpresën se këtë herë SPAK do e trajtojë. Duke qenë se në çështje nuk përfshihet vetëm Shpellza. Duhen hetuar patjetër gjykatësit që kanë dhënë atë vendim. Janë 2 gjykatës që kanë firmosur. Të gjitha këto ne na bëjnë të jemi të bindur se ka qenë një grup i strukturuar kriminal në grabitjen e pronave të shqiptarëve. Fatmir Shpellzaj ka qenë drejtor Hipoteke dhe kryetar i LSI-së në atë kohë. Është një person që ka ndikim politik në zonë. Ai ishte aty për të na dhënë ne pronën, ndërkohë që pronën tonë e mori për vete. Është interesant edhe fakti i varrezave, sepse ai ka ndryshuar gurët e varrezave, ka shkruajtur çfarë ka dashur vetë dhe pretendon se aty kanë qenë të varrosur stërgjyshërit e tij. Në fakt varrezat janë ato që kemi përkthyer ne dhe janë origjinalet. Me thanë që Shpellzaj ka sjellë me një furgon blu kockat e stërgjyshit të vet dhe i ka futur aty. Ai po dhunon kockat e të parëve për të zaptuar pronat tona”, tha Kokaj.
Nga ana tjetër, edhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka dënuar atë që ai e cilësoi si grabitje të pronave të banorëve të fshatit Rrjoll, për llogari të biznesmenit Ulaj.
Kapri tha se banorët e Rrjollit janë dhunuar nga Policia e Shtetit dhe nga policia private e kontraktuar nga Ulaj, me qëllim që të ndalin protestat, ku kërkojnë të drejtat për pronat e tyre.
“Banorët e Rrjollit janë dhunuar dhe anashkaluar. Si ka mundësi që bëhet rruga aty, pastaj i vihet syri tokës më të bukur aty për të ndërtuar. Pastaj del një pronar i vetëm, vjen policia të zë në dru. Polici private e maskuar dhunon banorët. Kjo nuk është rastësi, me kë tallen tani? Fisi ngjitur kufitar me pronën fituan në Apel. Të njëjtat dokumenta kanë edhe të tjerët aty”, tha mes të tjerash Kapri.
Komente












