Respekt e profesionalizëm edhe në gazetari

Respekt e profesionalizëm edhe në gazetari
 
Pas shumë kërkesash, pas shumë betejave të kolegëve që kalojnë ditët, javët në mbledhje të fakteve dhe të vërtetave për të bërë një lajm, më në fund një sinjal i mirë. Një nga portalet që shpesh merrte lajmet më të mira të bëra nga grupi ynë mediatik dhe i publikonte si të tijat pa cituar, ka reaguar. Sot ky portal ka cituar në mes të shkrimit Shqiptarja.com, duke bërë një hap të vogël, por të mirë drejt respektit, njohjes dhe mirënjohjes së punës, lodhjes së të tjerëve kolegë. Do të kishte qenë 100 herë më mirë sikur të citonte dhe emrin e gazetarit, në këtë rast i yni Adriatik Doçi, por shpresojmë që si fillim është kështu, e më vonë do të jemi edhe më përfektë dhe profesionalë në vlerësimin dhe respektin që të tregojmë ndaj punës së gazetarëve më të mirë profesionistë.
Sepse le ta themi të vërtetën: Në tregun tonë mediatik janë gjithnjë e më të rrallë, gjithnjë e më të paktë gazetarët që lodhen për të gjetur një lajm, për të marrë një intervistë e për të bërë më të mirën në informacionin e ofruar për lexuesin shqiptar kudo ndodhet, në botë e në Shqipëri.

Me punën e pak vetëve janë ngritur si kërpudha qindra portale që pa cituar e duke përvetësuar andej e këtej kujtojnë se realizojnë një media të tyren. Por nuk është kaq e lehtë, nuk është kollaj të fitosh besimin e lexuesve e ata të kuptojnë se te Shqiptarja.com e pak media të tjera gjejnë informacionin e siguruar me djersë dhe të vërtetë.
Mes shumë cilësive të tjera, kjo e gazetarit, nuk mund të jetë mision e profesion pa ndershmërinë dhe korrektesën intelektuale. Nuk ka ende gjykatës e Shtet në Shqipëri që të mbrojë nga grabitjet e nga informaliteti online që në vendin tonë rritet përditë, por të paktën, një kod, një pakt xhentëllmenësh mes gazetarësh profesionistë duhet bërë, edhe pse i pashkruar e i pasanksionuar: Puna, faktet e kolegëve të tjerë nuk merren pa cituar dhe pa nderuar duke përmendur emrin. Nëse vendosim të marrim një shkrim nga një tjetër media, asgjë nuk na kushton të përmendim autorin. Respektin e kolegëve që punojnë, ne e përsërisim dhe e kemi gjithnjë parasysh mes nesh në redaksi. Nga nxitimi apo indiferenca, edhe  ka ndodhur që të mos kemi cituar. Ka ndodhur shumë rrallë, nuk është bërë me qëllim, dhe sapo e kemi marrë vesh e kemi korrigjuar, duke kërkuar ndjesë e duke hapur – për herë të tjera – sytë mirë.
 
Këto vitet e fundit, me të drejtë, gazetarët bërtasin se “nuk respektohen nga politika”.  E vërtetë. Por gjërat do të shkojnë edhe më mirë, nëse ata pak gazetarë e botues me sens etik dhe estetik, të pretendojnë pikësëpari nga njëri-tjetri dhe të tjerët përmirësim, respekt të punës, burimeve dhe të vërtetave që gjenden, verifikohen, faktohen me mundim.
Ndoshta fryu një fllad i lehtë ndryshimi edhe në gazetari. Mendoj se varet nga ne, nëse duam, të risjellim në vendin e nderit që meritojnë gazetarët dhe gazetarinë. Eshtë një punë aq e vlefshme dhe e çmuar për shoqërinë, saqë të gjithë duhet të kujdesemi që të jetë në formën më të mirë.

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Arsyet pse SHBA i rikujtoi Sali Berishës sanksionet

Ylli Pata: Arsyet pse SHBA i rikujtoi Sali Berishës sanksionet