U sajua një Operacion o soit gueril. Një “hero” i heshtur, i infiltruar në strukturat e PS Tiranë, ia doli të vjedhi arshivën “sekrete” të partisë. Database-in ‘sekret” ia dorëzoi një portali kundësrshtar të PS. Dhe...plasi “skandali”!.. “U zbulua” një strukturë e fshehtë, e rrezikshme brenda PS. Drejtues dhe analistë të Opozitës, dje dhe sot, nxituan të amplifikojnë “zbulimin”. Sipas oreksit të gjithëseicilit, mbi patronazhistët u derdhën etiketime sa monstruoze edhe qesharke. Fantazia e tyre shkoi deri atje sa patronazhistët i cilësuan: “..një skemë vertikale ku njeh dhe kontrollon gjithçka për qytetarët...”, “..mjet shantazhi, intimitidimi dhe presioni..”, ”.. struktura paramilitare...” etj.. Sipas liderit të PD, është sanksionuar “..ngritja e sistemit kriminal të patronazhistëve...”. Në këto cilësime disa janë prirur nga përvoja jetësore e tyre, disa nga interesa politike të momentit dhe disa për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve.

Aludojnë ngjashmëri me strukturat vullnetare të ish sigurimit të shtetit para vitit 1990 sepse vetë ata nuk mund të çlirohen nga hieja e jetës së dyfishtë për atë kohë. Aludojnë për ngjashmëri me struktura paramilitare sepse ata prej një kohë mbi 30 vjeçare bashkëjetojnë me struktura të tilla që kanë derdhur gjak qytetarësh e policësh. Aludojnë se patronazhistët joshin, premtojnë e bëjnë presion sepse të tillë modele i kanë me shumicë në radhët e tyre. E vërteta është se kudo në botën demokratike, përfshi SHBA dhe BE, partitë politike kanë jo pak aktivistë e militantë të cilët kryejnë veprimtari politiko shoqërore, sidomos në kohë fushatash zgjedhore. Konkretisht ata: mbajnë listat e zgjedhësve, japin opinion për orientimin e votës së tyre, kontaktojnë pa ndrotje qytetarët votues në ambiente publike e deri në shtëpitë e tyre për t’iu kërkuar votën, telefonojnë qytetarë dhe iu kërkojnë votën. E gjithë veprimtaria e tyre administrohet nga struktura partiake apo shtabe zgjedhore ku hartohen regjistra apo database-e dhe mbi to bëhen bilance parashikuese për rezultatin zgjedhor. Po çfarë kanë bërë më shumë patronazhistët e PS apo çfarë kanë bërë më pak aktivistët e PD dhe LSI, në raport me çfarë listuam më sipër? Publikimi i një database-i vesh me konspiracion, sipas tyre u mësua se ekzistonte një strukturë e okulte dhe kriminale e Partisë në pushtet!.. Është më shumë dashakeqe se e turpshme; nuk ka zbulim sepse patronazhistët nuk u krijuan enkas.

Ata kanë ekzistuar si një kategori aktivistësh partiakë, veprimtaria e tyre kurdoherë ka qenë e hapur siç ishte edhe në këtë fushatë zgjedhore. Ata njihen nga komuniteti, nuk i fshihen askujt sepse nuk kanë bërë ndonjë paudhësi që ti fshihen jetës publike. Ata nuk i kanë bërë presion e shantazh apo nuk i kanë ofruar lekë e favore askujt; as kanë sharë, vrarë apo plagosur njeri. Përkundrazi, akte të tilla i kanë bërë ata që anatemojnë dhe përdhosin figurën e të tjerëve; aktivistë të tyre janë kapur me zë dhe figurë duke joshur me para e vende pune apo duke fotografuar/shitur votën në kabinën e votimit; paramilitarët e tyre vranë, plagosën e shantazhuan qytetarët në Elbasan, Dibër e gjetkë.. Kur ata kanë qenë në pushtet, aktivistët e tyre mbanin nën komandë forca e mjete të policisë, ushtrisë e të shërbimit informativ; ata vërtet kanë bërë masakra zgjedhore. Qyrkun e tyre të përgjakur, nuk mund t’iua veshin të tjerëve!

Patronazhistët e PS nuk janë “spiunët e rinj”, nuk janë “specie politike e panjohur në botë”. Ata janë aktivistë shoqëror e politik, njerëz të thjeshtë e të nderuar, banorë mes banorëve në komunitet; jetojnë me ata dhe si ata. Kontributi i tyre është për tu admiruar sepse në thelb është punë e hapur dhe e drejt për drejt me qytetarët. Këta janë të ndershëm e transparent dhe jo si ata që hedhin gurë ndaj tyre. Këta janë patronashistët e PS. Nëse dikush nuk bën dot si dhe sa ata, të paktën të heshtë e ti respektojë ata.