Në prezantimin e fituesit, anëtari i jurisë, Drejtori i Qendrës Arkitekturore në Vjenë Dietmar Steiner, tha:
"Nuk prisja që një projekt kaq i vogël të kishte një gamë kaq të gjerë zgjidhjesh nga arkitektësh. Kjo është provë e konkurrimit arkitekturor për të gjetur një përzgjedhje."
Në konkursin ndërkombëtar të projektimit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, aplikuan gjithsej 26 studio, ndërsa faza e parë, e mbyllur më 28 shkurt, me përzgjodhi listën me 5 studiot fituese.
Fototeka "Marubi" pritet të jetë pjesë e një itinerari turistik të vendeve të Adriatikut, ku do të përfshihen objektet e trashëgimisë kulturore të përbashkët, që do të rikonstruktohen dhe pajisen për t’u bërë të arritshme nga vizitorët.
Ndërkohë më parë kryeministri Edi Rama kishte shkruar në Facebook në lidhje me konkursin e fototekës "Marubi":
“Konkursi ndërkombëtar për muzeun Marubi në Shkodër. Më në fund thesari i Marubëve do dalë nga burgu i harresës e lagështirës”, shkruan kryeministri Edi Rama në Facebook, pak para se të nisë edhe prezantimi publik i projekteve për këtë muze.
Duke folur në këtë aktivitet, Rama tha se, këtë thesar duhet që ta heqim nga ai vend i papërshtatshëm. "Ta kalojnë thesarin nga vendi krejt i papërshtatshëm në vendin që meriton”, deklaroi kryeministri.
Konkursi për Muzeun "Marubi", ka nisur në orët e paradites dhe fjalën e hapjes e mbajti ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila tha se, pasuria e dinastisë Marubi është pasuri për të gjithë.
ORA 12:57 RAMA: KËTË THESAR TA ÇOJMË ATJE KU E KA VENDIN
Kryeministri Edi Rama, duke folur në konkursin për muzeun “Marubi” tha se, këtë thesar duhet që ta heqim nga ai vend i papërshtatshëm. “Me pasion dhe me vullnet që na tregoi gjendjen e mjeruar që ishin lënë gjithë pjesët e çmuara të këtij thesari, veç vetëm nga përpjekjet individuale të disa personave. Ta kalojnë thesarin nga vendi krejt i papërshtatshëm në vendin që meriton”, deklaroi kryeministri.
“Në një hapësirë të projektuar nga një prej figurave më të shkëlqyera Kolë Idromeno. Përgëzoj Ministren e Kulturës, për mbërritjen kaq shpejt në këtë stacion. E kishim parashikuar brenda 300 ditëve të para të qeverisë. Donim të garantonim këtë cilësi, dhe ja arritëm”, theksoi kryeministri Edi Rama në fjalën e tij.
Sipas tij, “e dyta për inventarizimin e thesareve tona të lëna rrugëve. Për të cilat sot e gjithë ditën, nuk kemi inventar, nuk dimë ekzaktësisht se sa vlera materiale disponojmë në fushat e trashëgimisë kulturore”.
“Sot në kaq pak kohë, janë blerë të gjitha aparaturat, është përgatitur ekipi teknink për të filluar dixhitalizimin e veprës së Marubit. Deri në ditët tona ka ardhur i dëmtuar por që ka akoma për t’ju thënë brezave që do të vijnë. Me ministren ndajmë bindjen, se me 1 km asfalt më pak dhe një thesar të shpëtuar, se kaq kushton shpëtimi, bëjmë më tepër rrugë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Sipas tij, qeveria është “shumë e vendosur që çdo vit të rrisim volumin e të mirave materiale që do të shpenzojmë për trashëgimin kulturore”. “Ne besojmë se duke bërë hapa si ky sot, bëjmë të mundur rritjen e dinjitetit kombëtar dhe forcimin e dinjitetit evropian. Marubët kanë drithëruar botën kur kanë dalë në sy të ekspertëve të huaj”, tha ai.
“Veprat që do të tregonin patriotizmin tonë mungojnë siç mungon një muze dinjitoz për Marubët. Këtë muze si akt të patriotizmit dhe si fillim i një rruge të re për Shkodrën. Janë thënë shumë fjalë por pak është bërë për të ruajtur vlerat e saj kulturore, që Shkodra i ka fatkeqësisht të dëmtuar, por që ende mund të shpëtohen”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Sipas tij, “pjesë e Ministrisë së Kulturës është edhe një rivlerësim i veprave kulturore të Shkodrës”. “Ne kemi bindjen se rrisim cilësinë e jetës së komunitetit. Ky projekt pavarësisht se është i vogël ka një fuqi për të rritur ekonominë e qytetit”, tha ai.
“Një nga instrumenta që vendi ynë ka për të rritur ekonominë është bukuria natyrore dhe të thesareve kulturore. Duke rikthyer vëmendjen tek këto thesare do të shohim se si këta e rrisin ekonominë e një vendi. Ky është vetëm fillimi”, theksoi gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama.
Në përfundim të fjalës së tij kryeministri Rama, shtoi se shpëtimi i thesarit të Marubit ka vlera të mëdha pasi sipas tij shpëtohet thesar i gjithë Evropës.
"Vlerat e këtij projekti janë shumë të mëdha. Kjo pasi ne duke shpëtuar thesarin e marubëve, shpëtojmë jo vetëm thesarin e Shqipërisë, por shpëtojmë thesarin e gjithë Evropës." tha në përfundim të fjalës së tij Rama.
ORA 10:35 NIS CEREMONIA, KUMBARO: MARUBI PASURI PER SHQIPERINE
Ka nisur ceremonia për konkursin e Muzeut Marubi. Fjalën e hapjes e mbajti ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila tha se, fototeka Marubi është një pasuri për të gjithë shqiptarët.
“Me këtë Muze të Marubit në synojmë që të shtojmë vlerat pasi jo vetëm Marubi por edhe Shkodra është një xhevahir në kurorën e kulturës shqiptare”, tha gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro.
Ndërkaq pas fjalës së ministres, është bërë prezantimi i jurisë dhe më pas i studiove që konkurrojnë.
ORA 09:55 SOT KONKURSI PER MUZEUN MARUBI
Ditën e sotme në Kinema Millenium në Shkodër, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, do të bëhen pjesë e prezantimit publik të fazës së fundit të përzgjedhjes së projekteve fituese për projektin “Restaurimi dhe Muzealizimi i Fototekës Kombëtare ‘Marubi”’.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)