Restaurohen 4 filma të arkivit
të huajt interes për filmin shqipta

Restaurohen 4 filma të arkivit<br />të huajt interes për filmin shqipta
TIRANE - Janë katër filma të famshëm shqiptarë, që kanë mbajtur prej vitesh e mbajnë ende plot nostalgji përpara ekranit publikun shqiptar. Edhe sot e kësaj dite përcillen gojë më gojë batutat e këtyre filmave: “Do ta kërkojmë Vlorën admiral, po do bredhim si çifutët nëpër Mesdhe” (Ballë për ballë); “Me kë e pe, me atë me xham apo atë pa xham” (Kapedani), etj.

Pra, filmat “Ballë për ballë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Kapedani” dhe “Ngadhënjim mbi vdekjen” do t’i nënshtrohen procesit të restaurimit. “Nëse nuk shpejtohet për restaurimin e tyre, kopjet e tyre janë në rrezik për të humbur përgjithmonë”, shprehen specialistët e Arkivit Qendror të Filmit Shqiptar.

Prej kohësh shumica e filmave shqiptarë ruhen në bodrume me kushte jo të përshtatshme, me myk dhe lagështi. Ky është një problem që është trajtuar shpesh nga mediat, por kjo s’e ka ndryshuar gjendjen e tyre. Alarmi për gjendjen e rrezikuar të filmave në arkiva është ngritur një vit më parë, pasi u bë njohja me kushte dhe fazat e degradimit të tyre.

Ndaj filmat e dëmtuar të Arkivit Qendror të Filmit Shqiptar prej një viti janë futur në një projekt restaurimi që i është përkushtuar ruajtjes, restaurimit dhe promovimit të trashëgimisë filmike shqiptare. Projekti për restaurimin e filmave vjen si bashkëpunimi midis Projektit të Kinemasë Shqiptare, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe kompanisë amerikane "Colorlab Corp".

Kompania amerikane i ka bërë një pastrim të detajuar dhe përshtatjen në gjuhën angleze filmit “Nëntori i dytë” me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Filmi që ka si subjekt shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ka si protagonist figurën e Ismail Qemalit është realizuar nga regjisori i njohur Viktor Gjika. Ky film është mbështetur mbi skenarin e shkrimtarëve Dhimitër Shuteriqi e Kiço Blushi.

Ashtu si “Nëntori i dytë”, edhe filmat “Ballë për ballë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Kapedani” dhe “Ngadhënjim mbi vdekjen”, së shpejti do t’i nënshtrohen një procesi të imët restaurues që do të ndihmojë shumë në jetëgjatësinë e tyre. Këta filma edhe pse janë zbehur nga forca e mesazhit që japin, janë themeli i historisë së kinemasë shqiptare, e cila domosdoshmërisht duhet të ruhet në kujtesën e arkivave.

Por filmat e vjetër shqiptarë janë edhe fryt i një pune dhe pasioni të madh artistik, dëshmi e zanafillës së artit kinematografik shqiptar, ndaj edhe ost këta filma shikohen me nostalgji nga shumica e shqiptarëve. Është kjo arsyeja që specialistët kanë menduar që pas pastrimit dhe dixhitalizimit çdo film i restauruar do të shfaqet më parë në festivalet e filmave dhe pastaj për një publik më të gjerë.

Qëllimi përfundimtar i Projektit të Kinemasë Shqiptare në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe “Colorlab Corp” është që të ndërtojë një hapësirë të re arkivimi dhe ekspozimi në Tiranë. Për të arritur këtë, ne kemi partneritet me laboratorët filmikë dhe festivale filmi në të gjithë botën për të bërë të mundur restaurimin e 5 filmave shqiptarë brenda 5 vjetëve.

Filmat në radhë janë: "Ballë për Ballë"  me regjinë e Kujtim Çashkut dhe Piro Milkanit, 1979; "Tomka dhe shokët e tij" me regjinë e Xhanfise Kekos, 1977; "Kapedani" me regjinë e Fehmi Hoshafit dhe Muharrem Fejzos, 1972; dhe "Ngadhnjim mbi vdekjen" me regji të Gëzim Erebarës dhe Piro Milkanit, 1967.

Projekti i Kinemasë Shqiptare, kopjet e restauruara në 35 mm do t’i përcjellë edhe si pjesë të programeve kulturore brenda dhe jashtë vendit “me qëllimin që publiku i huaj të njihet me kinemanë e vjetër shqiptare, e cila është ende pak e njohur në botë, për kushtet specifike në të cilat u zhvillua kjo kinema”, shprehen organizatorët e këtij projekti.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan