Në një artikull kushtuar kryesisht problemeve të Malit të Zi për aderimin në Bashkimin Evropian, ndër të tjera, preket edhe çështja e Shqipërisë. Në artikull thuhet se, një tjetër shtet që aspiron të hyjë në BE rrezikon të zemërojë Brukselin. Kjo është Shqipëria.
Që nga dhjetori i vitit 2010 ka hyrë në fuqi heqja e vizave bdrejt vendeve evropiane, që i lejon qytetarët shqiptarë të lëvizin lirisht në zonën Shengen të Evropës pa kufij, por Tirana po e vë këtë në rrezik me një projektligj të hartuar nga qeveria, që do t’i jepte nënshtetësinë shqiptare kujtdo që investon të paktën 200 mijë dollarë në vend.
Në artikull shtohet se, me bregdetin e fundit të pazhvilluar të Evropës, çdo investitor i ardhshëm që do të sillte 200 mijë dollarë, do të kishte mundësinë të kapte një vend të privilegjuar në plazh.
VLERËSIMI
Në artikullin e BNE bëhet edhe një analizë e aspekteve pozitive dhe negative që ofron Shqipëria për investitorët e huaj. Ndër aspektet pozitive renditen: një taksë e ulët për të ardhurat personale dhe ato për bizneset, prania e bregdetit të fundit të pazhvilluar në Evropë, afërsia me Korfuzin dhe një klimë mesdhetare. Sikurse duket qartë, tri nga katë kushtet Shqipëria i ka nga natyra dhe vetëm një është përcaktuar nga njerëzit.
Por, nga ana tjetër, kushtet negative janë shumë të rënda. Sipas BNE, Shqipëria shquhet për një shkallë të lartë të kriminalitetit; në të ka mungesë të stabilitetit politik dhe korrupsion; rrugë drejt Bashkimit Evropian duket të jetë e largët, ndërkohë që vihet në dukje edhe fakti që shërbimet dhe infrastruktura paraqiten në gjendje shumë të dobët ose mungojnë krejtësisht.
PROJEKTI
Që në mbledhjen simbolike të qeverisë, të zhvilluar në Vlorë në festime te 100-vjetorit të Pavarësisë, kryeministri Sali Berisha kërkoi rishqyrtim të ligjit për shtetësinë, duke thënë se “ligji duhet të përcaktojë kushte, në të cilat ata që kanë investuar 100 mijë euro të marrin shtetësinë shqiptare”. Më pas, në mbledhjen e rradhës të 12 dhjetorit të vitit të kaluar, ai shtoi se shifra duhet të jetë 200 mijë dollarë dhe se ligji nuk duhet të miratohet para zgjedhjeve.
TREGU
Sigurimet, xhiroja rritet me 30%
Pavarësisht nga luhatjet e kohëve të fundit lidhur me tarifat, tregu i sigurimeve këtë vit duket se është rimëkëmbur ndjeshëm. Gjatë muajit janar, sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, xhiroja e tij shënoi një rritje me 30.21%.
Volumi i primeve të shkruara bruto u rrit me 175 milionë lekë dhe kapi shifrën 754 milionë mijë lekë. Ndërkohë, numri i kontratave arriti në 82.102, me ulje 0.39% krahasuar me janarin 2012.
Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës kapi shifrën 634 milionë lekë, në rritje 35.79% krahasuar me janarin e vitit 2012. Ndërkohë numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës kapi shifrën 75.930, ulje në masën 1.14% krahasuar me janarin e vitit 2012.
Pas më shumë se një viti, edhe sigurimet e “Jetës” ndaluan ritmin e rënies. Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kapi shifrën 120 milionë lekë, në rritje 6.96% krahasuar me janarin e vitit 2012. Gjithsej janë paguar 167 milionë lekë dëme ose 21.87% më shumë se një vit më parë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)26.02.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)