Një sërë zërash publikë kanë nisur prej pak ditësh fushatën “bojkotim me votim”. Pra, të shkosh në kutinë e votimit, por të mos zgjedhësh asnjë subjekt, por thjesht votën tënde ta bësh të pavlefshme. Kjo do të ishte sipas tyre, protesta e shqiptarëve ndaj një politike që nuk e meriton më të jetë në politikë, e aq më pak të kërkojë të drejtojë fatet e vendit.

Problemi i parë i kësaj nisme ka të bëjë pikërisht me ata njerëz të cilëve u drejtohet thirrja, pra me shqiptarët. A janë shqiptarët kaq të pavarur, kaq të fuqishëm ekonomikisht, kaq të fortë mendërisht e intelektualisht sa të mos i drejtojnë sytë fare tek ata që sot, apo nesër kanë fatin e tyre në dorë, dhe me një të rënë të lapsit të zhbëjnë mundësinë e tyre për të paktën një vend pune (sa poshtë kemi rënë, në ’92 kërkonim ndryshimin, në ’97 ndryshimin, në 2005 ndryshimin, tani vendin e punës).

Sepse fatkeqësisht, ironikisht dhe dramatikisht fushata shqiptare e sivjetshme për këtë bëhet, për një vend pune. Vend pune kërkon edhe ajo që do të bëhet pastruese, vend pune kërkon edhe ai që do të bëhet ministër. E para duartroket të dytin, e i dyti i premton të parës. Thirrja e zërave publikë i drejtohet pikërisht të parës...

Ndoshta përpara se t’i bëjnë thirrjen e protestës së votës kësaj hallemadheje 20 ditë para votimit, do të kishin bërë akoma më mirë që 2 vjet përpara ta thërrisnin në protestë për të detyruar politikën që të punonte për të. Të jepnin thjesht shembullin e tyre. Me një pankartë para kryeministrisë, apo para parlamentit, apo të tjera mënyra.

Ata janë figura që njihen mirë nga publiku dhe po aq mirë publiku mund të vinte dhe t’i mbështeste, pa pritur që të ishte ndonjë aparatçik partie t’i organizonte. Të kërkosh tigan kur peshkun se ke akoma, duket më e pakta nxitim. Akoma në Shqipëri kur ndërron pushteti ndërrohet edhe admninistrata.

Akoma në Shqipëri kur ndërron pushteti, ndërrojnë pikëpamje edhe bisnesmenët e vegjël dhe të mesëm. Akoma në Shqipëri nuk ka një grup intelektual, fjala e përbashkët e të cilit të jetë në emër të njerëzve dhe jo në emër të partive. Madje jo pak herë, intelektualët janë më të “ligjtë”, ndryshojnë më shpejt flamur se pastruesja aty lartë.

Atëherë kujt i kërkohet sakrifica e votës me kryq?! Vetëm emigrantëve shqiptarë, që gjithsesi i shohin nga larg e nga lartë se çfarë ndodh në vend. Edhe ja, u bojkotua me kryq. E çë pastaj? Ja u shpreh edhe revolta, do të presësh 4 vjet të tjera për revoltën e rradhës? A e drejton dot këtë revoltë të kryqeve?! A e nis dot kryqëzatën kundër politikës 23 vjeccare?! Apo thjesht pas kësaj do thuhet; e, a e shihni, populli nuk ju votoi, ikni.

Vota e bardhë?! Në një vend, ku zgjedhjet, e pranuar kjo pa mëdyeshje edhe nga zërat publikë, preken (për delikatesë kjo fjalë) edhe kur ka vëzhguesë e numërues e komisionerë, të jashtëm e të brendshëm, e kur vota është e sigluar, imagjino se çdo të ndodhte me një votë të bardhë proteste.

Dy komisionerë, apo numërues të papërgjegjshëm sipas zërave publikë, por besnikë dhe të respektueshëm sipas partive, do t’i merrnin e do t’i ndanin këto vota; kaq për këtë parti, kaq për këtë tjetrën. Ja ku u fik edhe flaka e protestës së votës së bardhë.

Pa rregulluar sistemin zgjedhor, ku numëruesi, komisioneri, vëzhguesi e më lartë akoma, të ketë vetëm interesin që procesi të shkojë mbarë, e ndershmërinë që të shkruajë atë që lexon, kjo protesta e votës së bardhë është shkumë e bardhë deti, që shkrihet për pesë sekonda në rërën e zezë.

Si e zezë me kryq të madh, si e bardhë, kjo lloj vote shpreh indiferencën. Në llogari të fundit; bëni çtë doni...

Përpara këshillave të tilla, apo thirrjeve të tilla, apo quajini si të doni, do të ishte ndoshta më e udhës që këta zëra publikë, me idetë e tyre për të kërkuar të mirën e vendit t’i futeshin vetë politikës, duke u përpjekur të jenë “Papët” që thërrasin kryqëzatën ndaj politikës së vjetër.

Ndoshta kjo do të ishte më e mira. E nëse refuzojnë, me të gjitha llojet e arsyeve, atëherë nuk kanë asnjë arsye të ankohen e të thërrasin pse janë duke u qeverisur nga inferiorët, mashtruesit, apo hajdutët.

Shkrimi u botua sot në gazetë Shqiptarja.com (print) 06.06.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)