Revoltat 1939, Koliqi: Të mbyllen
Liceu i Korçës dhe i Shkodrës

Revoltat 1939, Koliqi: Të mbyllen<br />Liceu i Korçës dhe i Shkodrës
TIRANE- Dokumnetet e shkurtit 1940/ Si percepituan ngjarjet që çuan në masën drastike të përjashtimit të profesorëve dhe liceistëve deri në mbylljen e shkollave...

Pas hetimeve të gjata dhe zbulimin e përgjegjësve, që kishin organizuar revolta dhe kundërshti në Liceun e Korçës dhe të Shkodrës, gjatë festimeve për 28 nëntorin 1939, në këto dy qytete dukej se qe e pamundur të vihej rendi. Qeveria fashiste në Tiranë kishte bërë disa ndërhyrje. Kishte pushuar nga puna apo trasferuar disa profesorë, kishte përjashtuar nga liceu shumë nxënës, por sërish liceistët krijonin trazira, nuk pranonin përshëndetjen fashiste, dhe asnjë rregull të ri e të vendosur pas prillit 1939.

Në këtë moment të ngjarjes, me 2 shkurt 1940 mbahet një mbledhje e Këshillit të Ministrave dhe vendoset që të mbylleshin përkohësisht liceu i Korçës dhe i Shkodrës. Tre dokumentet e përzgjedhura sot për botim flasin pikërisht për këtë fakt.

Dokumenti i parë është një telegram i prefektit të Korçës, i cili kërkon të bëhet kujdes e të mos kishte ngutje për ta mbyllur liceun e Korçës. Ndërsa dy dokumentet e tjerë të firmosur nga Ernest Koliqi, lajmërojnë dy prefekturat atë të Korçës e të Shkodrës se vendimi tashmë ishte marrë për mbylljen e liceve dhe shpjegon se ç’hapa do të ndiqeshin pas kësaj.
 
Dokumenti 1
 
Prefektura e Korçës
Nr. 20/3 Res.                                                         
Korçë, më 3-II-1940.
Ora 12.
Urgent
Ministris P. të Mbrendëshme
Seksionit Politik
Tiranë
Vijon teli Nr. 20/7 Res datë 2-2-1940-XVIII .

Lutemi intervenoni për mos me u ngutë në mbylljen e Lyceut . Nji pjesë e firmatarvet të shkollës kolektive të njoftuar me të sipërmen kanë deklarue me shkresë se janë gabue në firmimin e shkresës . Na autorizoni të bajmë hetime tue hyrë në kontakt direkt me studentat dhe me profesorët dhe mbasi të raportojmë përfundimin të merren masat e rastit .

Prefekti
Dr. A. Kosmaçi
MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
Zyra POLITIKE DHE E PERSONALIT
Mbritur më 3.II.40.XVIII
Nr. 724/114 ex 39
 
Dokumenti 2
MBRETNIJA SHQIPTARE
MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
Zyra Politike dhe e Personalit
Nr. 724/114 ex 39         
Tiranë, më 3-II-1940-XVIII
 
Tel-Shifër
Prefekturës Korçë
P.T. Nr. 20/8 Res datë 3-2-1940-XVIII .

Mbyllja e Liceut u vendos dje mbrëma prej Këshillit Ministruer kryesue nga Mëkambësi i Mbretit Peranduer . Lyceu do të çelet mbas nji jave me rregjistrime të reja .  Në lidhje me telegramin që ju ka drejtue Kryeministri pritni instruksione nga ajo Ministri .
Zav. MINISTRI:
(firma)
 
Dokumenti 3
MBRETNIJA SHQIPTARE
MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
Zyra Politike dhe e Personalit
Nr. 724/115 ex 39
Tiranë, më 3-II-40-XVIII
 
Tel-Shifër
Prefekturave Shkodër-Korçë
Në referim të telit Nr. Extra Res data e sotëshme, që ju ka drejtue direkt Kryeministri, ju njoftohet se Këshilli Ministruer, kryesue nga Mëkambësi i Mbretit Perandor, në mbledhjen e datës 2-II-1940-XVIII, vendosi sa vijon . 1) T’emënohet një komision për të zhvillues hetimet mbi origjinën e turbullimeve në shkolla . Në këtë komision marrin pjesë Prefekti, Prokurori i Shtetit, Drejtor’ i Liceut edhe Komandanti i KK.MM. . 2) Të mbyllet Liceu për t’u rihapun mbas disa ditsh me nënshkrime të reja .

Nxansat që kanë dëshirë të rregjistrohen përsëri në shkolla, duhet të paraqesin një deklaratë me shkrim, të nënshkrueme prej tyne dhe të kundërfirmueme nga prindërit ose tytorët e tyne . Formula e kësaj deklarate, do t’i dërgohet për së shpejti Drejtorit të Liceut . 3) Prindërit ose tytorët do të paralajmërohen se bahen direkt përgjegjësa për sjelljet e fëmijve të tyne . 4) Do të ftohen të paraqesin lutje për t’u pranuar rishtazi në shkolla edhe nxanësit e përjashtuem nga të gjitha shkollat e Mbretnis .

5) Do të ndalohen rreptësisht mbledhjet e nxanësve . 6) Nxanësit që kanë me u pranue në shkollë dhe mandej kanë me krye gjithënjë vepra indisipliore, po qe se do të jenë  më të vegjël se 18 vjeç, do të dërgohen në shtëpija qortimi (case do correzioni) . Nxanësit në moshën ma të madhe do të internohen . Prindërit ose tytorët e të parëve ose të dytëve do të internohen gjithashtu .

Porositeni që në bshkëpunim sa ma të ngushtë me Drejtorin e Liceut dhe me misat e tjerë të komisionit, të veprohet në mënyrë që të spastrohet një herë e mirë Liceu, që kështu të mos përsëriten më incidente të pa pëlqyshme . Në komisionin e Shkodrës do të marrë pjesë edhe Nën-Drejtori i Liceut .

Për të spastruar konviktin e Shkodrës nga elementa turbulluesa do t’ju komunikohen udhëzime verbalisht prej Drejtorit të Liceut, me të cilinjini të porositur të bashkëpunoni sa më ngushtë . Lutemi, çashtjes t’i kushtohet një kujdesi e veçantë, dhe na vini në korrent herë mbas here mbi rezultatin e veprimeve t’uaja dhe të komisionit .
ZAV. MINISTRI
(firma)
faksimile














































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Furrat e bukës, OSHEE apel subjekteve të deklarojnë kontratat dhe të aplikojnë për ndryshimin e tarifës 14 lek/kWh

Furrat e bukës, OSHEE apel subjekteve të deklarojnë kontratat dhe të aplikojnë për ndryshimin e tarifës 14 lek/kWh