Prej disa ditësh, redaksia e Syri Televizion është përfshirë nga tensione të forta, pasi gazetarët e newsroom-it kanë dalë në protestë dhe kanë refuzuar të paraqiten në punë. Sipas medias “Prapaskena” shkak i “revoltës” është bërë fakti që gazetarët nuk kanë marrë pagat e 4 muajve të fundit. Situata ka agravuar deri në pikën që gazetarët refuzuan të shkojnë në redaksi.

Vetëm pas kësaj, drejtuesit, sipas Prapaskenës, janë detyruar të japin një pjesë të pagave. Gazetarët janë paguar vetëm për muajin tetor dhe nëntor, edhe pse në bankë marrin vetëm një pjesë të vogël të rrogës reale, ndërsa pjesën tjetër e marrin në cash të shpërndarë nëpër zarfe.

Sipas “Prapaskenës”, gazetarëve u kanë mbetur pa marrë pagesat për 2 muajt e fundit, dhjetor dhe janar, ndërsa punonjësit e televizionit të familjes Berisha ankohen edhe se nuk u paguhen sigurimet shoqërore nga pronari formal i Syri Tv, Çim Peka.

Kjo situatë vjen në një kohë kur televizioni i familjes Berisha, i ka të bllokuara llogaritë bankare nga Tatimet pasi ka refuzuar të paguajë një gjobë. Syri Tv po hetohet ende nga Prokuroria e Tiranës për pastrim parash dhe evazion fiskal dhe pavarësisht bllokimit të llogarive bankare vazhdon aktivitetin e tij. Kjo gjë konfirmon dyshimet e prokurorisë se televizioni i familjes Berisha funksionon me para të pista.

Prapaskena shkruan se “ndërkohë që gazetarët presin rrogat, drejtuesit e televizionit akuzohen se zhvillojnë takime e pazare në emër të medias, duke u pasuruar personalisht. Pretendohet se ndërsa reporterët sakrifikojnë në terren, drejtuesit lëvizin me makina të shtrenjta dhe investojnë në prona luksoze.”

Madje, sipas Prapaskenës gazetarët pretendojnë se janë trajtuar si “mish për top” nga drejtuesit e televizionit gjatë protestës së dhunshme të Berishës më 10 shkurt, në të cilën kanë dalë në terren të pa pajisur me maska dhe mushama. Ndërsa kolegët e tyre në televizione të tjera ishin të pajisur me të gjitha mjetet për të përballuar gazin lotjsellës, gazetarët e Syri Tv ishin të pambrojtur.

Jo vetëm kaq, por Prapaskena shkruan se “akuza edhe më të rënda qarkullojnë për administratorin e televizionit, për të cilin thuhet se u kërkon përqindje bashkive të djathta për projekte të financuara nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama. Nëse këto pretendime janë të vërteta, ato përbëjnë një skandal të rëndë etik dhe ligjor.

Si mundet një media që pretendon të jetë opozitare të lërë gazetarët e saj pa paga? Si mund të flitet për moral publik dhe transparencë, kur brenda vetë institucionit, sipas zërave të ngritur, ka shfrytëzim dhe mungesë përgjegjësie?

Kjo situatë ngre një pyetje më të madhe: çfarë përfaqëson realisht opozita sot? Nëse në opozitë shfaqen praktika grabitqare, çfarë garancie ka publiku për të nesërmen në pushtet?

Protesta e gazetarëve është një kambanë alarmi jo vetëm për një televizion, por për standardet e medias dhe moralin politik në vend. Në fund të fundit, pa gazetarë të paguar dhe të respektuar, nuk ka media të lirë. Dhe pa media të lirë, nuk ka demokraci të shëndetshme.”