Revoltohet Dajti djeg qelinë e tij 
donin ta izolonin tek burgu 313

Revoltohet Dajti djeg qelinë e tij <br />donin ta izolonin tek burgu 313
TIRANE- Transferimi i Dritan Dajtit nga ambientet e burgut 302 në atë 313 në Tiranë, ka sjellë revoltimin e tij brenda në qeli, duke i vënë zjarrin me çakmak batanijes dhe dyshekut të fjetjes. Përpara se të kryente këtë veprim, i dyshuari i prokurorisë për pesë vrasje në 7 gusht 2009, ka shkruar një letër, ku bënte me dije se gjithçka e ka kryer në shenjë proteste, ndaj vendimit për transferim, vendim ky që vjen si rezultat i konfliktit me gjyqtarin Idriz Mulkurti, që gjykon të pandehurin Dajti.

Zjarrvënia në qeli ka ndodhur rreth orës 23:00 të natës dhe është dashur ndërhyrja e gardianëve të sigurisë së brendshme të burgut 313, për të shuar flakët e zjarrit. Sipas burimeve pranë këtij burgu, fillimisht është nxjerrë nga qelia Dritan Dajti, i cili është shoqëruar nga disa gardianë të tjerë, duke u mbyllur në një qeli tjetër. Ndërkohë më pas është bërë dhe shuarja e zjarrit deri në pastrimin e plotë të qelisë ku mbahej i mbyllur i pandehuri Dajti.

Letra e plotë
Unë Dritan Dajti, i paraburgosuri në burgun 313 ju bëj me dije se me datën 30.05.2014 më kanë transferuar nga burgu 302 edhe pse në burgun 302 nuk më kanë mbajtur më shumë se tre javë. Mendoj se arsyeja e transferimit tim ka qënë dhe është konflikti me gjyqtarin Idriz Mulkurti, që më gjykon mua. Mbrëmë rreth orës 11 të natës më është dashur ti ve flakën dhomës në shenjë proteste, sepse mua duan që të më mbajnë në izolim në katin e parë. Ju kam bërë me dije oficerëve të policisë të burgut 313 që unë kërkoj të trajtohem njësoj si të burgosurit e tjerë që mbahen në këtë institucion.

Të jem i sinqertë nga ana e punonjësve të këtij burgu mbrëmjen e djeshme është bërë e pamundura për të shpëtuar jetën time dhe të burgosurve të tjerë, sepse zjarri ishte i përmasave tepër të mëdha, ku nga nxehtësia dyert prej hekuri nuk mund të hapeshin. Mendoj që mënyra që po ndjek gjyqtari Idriz Mulkurti për t’u hakmarrë ndaj meje duke ma mbyllur gojën ose për të më marrë mua provat që lidhin vajzën e tij me kunatin, gjatë kontrolleve që më bëhen për transferimin tim nga njëri burg në tjetrin. Ju bëj me dije që asnjëra prej fotove që ka dalë kunati im me vajzën e gjyqtarit nuk është montuar dhe jam i gatshëm që secila foto t’i nënshtrohet ekspertizës. Në seancën e ardhshme do kem prova të tjera që provojnë lidhjen e vajzës së Idriz Mulkurtit me Ergest Xhoxhin.

Përjashtimi i gjyqtarit
Pas fotove të vënë në dispozicion të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku shfaqej kunati i Djatit Ergest Xhoxhi dhe vajza e gjyqtarit Mulkurti, duke pirë kafe, ditën e djeshme Dritan Dajti ka paraqitur një kërkesë në sekretarinë e kësaj gjykate, ku kërkon përjashtimin nga trupi gjykues i gjyqtarit Idriz Mulkurti. Kjo kërkesë bëhet për shkak të konfliktit të interesit. Interesi konsistonte në faktin se vajza e gjyqtarit kishte marrëdhënie me kunatin Ergest Xhoxhi, ish-i pandehur në këtë proces.

”Ky ishte dhe shkaku pse gjyqtari në fjalë kohët e fundit kish intensifikuar veprimet e kundraligjshme ndaj meje deri në atë masë sa arriti të administrojë prova në shkelje të ndalimeve të vendosura nga ligji, duke futur në fashikullin e gjykimit me dhjetëra prova shkresore pa ju nënshtruar shqyrtimit dhe verifikim në seancë gjyqësore”-thuhet në kërkesë.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 maj 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë