Rexhep Qosja: Në letrat shqipe
mungon historia e përkthimit

Rexhep Qosja: Në letrat shqipe<br />mungon historia e përkthimit
Ka një gjysmë shekulli që kur historianë të letërsisë europiane ankoheshin se në asnjërën nga letërsitë kombëtare në Evropë nuk kishte “punime fundamentale nga historia e përkthimeve, megjithëse pa trajtimin historiko-letrar të këtij tipi ende të pastudiuar të krijimtarisë letrare, historia e letërsisë mbetet e mangët”.
 
ÇKA MUND TË THEMI NE PËR KËTË ÇËSHTJE?
 
Mund të themi se gjysmë shekulli pas botimit të veprës në të cilën është theksuar mendimi i cituar, ne nuk kemi fare teori të përkthimeve, kemi fare pak trajtesa, studime a monografi për përkthimet e mëhershme dhe pothuajse aspak vështrime ditore për përkthimet e shumta që bëhen sot! Për një histori të përkthimeve në gjuhën shqipe as nuk është bërë fjalë ndonjëherë, as nuk bëhet fjalë sot.

E historia e përkthimeve është një shkencë shumë e rëndësishme dhe është shumë e rëndësishme për dy arsye: e para, është e   rëndësishme për studimin e gjuhës në të cilën bëhen përkthimet, për studimin e historisë së saj, të zhvillimit të saj, të pasurimit të saj me fjalë e me trajta morfologjike të reja dhe, e dyta, është e rëndësishme për studimin e letërsisë kombëtare, të procesit të zhvillimit të saj, të rrymave dhe drejtimeve të saj, të stileve dhe teknikave të saj krijuese.

Përkthimet, si e thonë historianë të tyre, herët më të shpeshta janë faktor i evolucionit në letërsinë dhe në kulturën në të cilën bëhen. “Nga aspekti i çdo letërsie të veçantë kombëtare të shikuara, përkthimet janë faktorë që sjellin llojllojshmëri më të madhe; përkthimet sjellin në stilet dhe në mënyrën e mendimit të letërsisë e të kulturës në të cilën bëhen impulse që vijnë, ta themi, prej Hemingueit, Foknerit ose Joneskos dhe kështu i kontribuojnë diferencimit të brendshëm të letërsisë kombëtare. 
 
Arsyet pse nuk kemi as teori të përkthimeve, as histori të përkthimeve dhe pse studimet e përkthimeve në gjuhën tonë janë të pakta e të vona, pa dyshim, janë të ndryshme, por arsyeja kryesore është kjo: deri në Luftën e Dytë Botërore është jashtëzakonisht i vogël numri i përkthimeve në gjuhën shqipe.

Për këtë arsye kur flitet për rolin e përkthimeve në procesin e zhvillimit historik të letërsisë shqipe deri në Luftën e Dytë Botërore duhet të njihen, jo vetëm ato pak përkthime që janë bërë, por njëkohësisht duhet të dihen edhe emrat e shkrimtarëve të huaj, që shkrimtarët tanë kanë lexuar, kanë cituar apo vetëm kanë përmendur në krijimtarinë e tyre. Leximi i letërsive të mëdha evropiane në gjuhët në të cilat janë krijuar ato luan rolin që në krijimtarinë e tyre do të luanin përkthimet.
 
LETËRSIA E VJETËR DHE PËRKTHIMET
 
Siç dihet, që nga dokumentet e para të shkrimit të gjuhës shqipe e deri te epoka e Rilindjes Kombëtare, domethënë për më tepër se katër shekuj kemi fare pak përkthime në gjuhën shqipe. Dhe, ato janë përkthime të librave fetare të bëra për nevoja fetare, kryesisht nën ndikimin apo me kërkesën e institucioneve fetare të Reformacionit në Vatikan.

Disa prej këtyre përkthimeve, sidomos ato që janë bërë prej autorësh me prirje letrare, sikundër ishin, fjala vjen, Pjetër Budi dhe Pjetër Bogdani, Muhamet Kyçyku dhe Dalip Frashëri, nuk janë pa vlerë, disa më të paktë e disa më të dukshme letrare.

Por, megjithatë, nuk mund të thuhet se këto përkthime kanë luajtur ndonjë rol në zhvillimin historik të letërsisë shqipe, as që kanë frymëzuar rryma e drejtime, as që e kanë shpejtuar procesin e zhvillimit historik, as që e kanë çuar në drejtim të letërsisë evropiane letërsinë shqipe. Ato ishin përkthime, mbi të gjitha, me rëndësi historike shkrimore në kulturën e popullit shqiptar.
 
LETËRSIA E RILINDJES KOMBËTARE DHE PËRKTHIMET
 
Edhe në epokën e Rilindjes Kombëtare, sidomos në etapën e saj të parë, deri te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, vazhdon përkthimi i librave fetare në gjuhën shqipe, por, tani, në radhë të parë përkthimi i librave të shenjtë: i Biblës dhe i Kur’anit.

Vetëm nga fundi i epokës së Rilindjes, në gazetat dhe revistat e pakta në gjuhën shqipe dhe në përmbledhjet e rilindësve botohen disa përkthime a përshtatje vjershash, fabulash dhe prozash, kryesisht nga letërsia antike greke e romake, letërsia italiane dhe letërsia franceze.

Botimi i ndonjë përkthimi si libër është tejet i rrallë. Veprimtaria përkthyese si një veprimtari e organizuar dhe e përhershme, edhe në epokën e Rilindjes Kombëtare, mbetet institucion kulturor i panjohur në letërsinë shqipe.

Si atëherë mund të flasim për rolin e letërsisë evropiane në procesin e zhvillimit të letërsisë shqipe? Si mund të flasim për rolin e përkthimeve në letërsinë e Rilindjes sonë Kombëtare?
Shkrimtarët e Rilindjes sonë Kombëtare kanë ditur më shumë gjuhë të huaja.

Dhe, kanë ditur gjuhë të huaja qoftë pse numri më i madh i tyre kanë jetuar jashtë atdheut – në kolonitë shqiptare në Itali, në Stamboll, në Bukuresht, në Kairo, në Sofje, në Selanik, qoftë pse të gjithë ata janë shkolluar në gjuhë të huaja. Njohja e gjuhëve të huaja, para së gjithash, e italishtes, e frëngjishtes, prej disave nga ata edhe e gjermanishtes a anglishtes, do t’u bëjë të mundshme atyre t’i lexojnë letërsitë e mëdha kombëtare evropiane dhe, ashtu, të mos e ndjejnë mungesën e përkthimeve.

Shkrimtarët që kanë çmuar më së shumti ata, prandaj, edhe i kanë cituar apo vetëm përmendur në shkrimet e tyre të ndryshme – në poezi, në prozë, në shkrime kritike e në publicistikë, janë: Homeri, Sapfo, Anakreonti, Pindari, Plauti, Lukreci, Katuli, Virgjili, Horaci, Tibuli, Ovidi, Lukani, Juvenali, Taciti, Plutarku, Dante, Petrarka, Ariosto, Shekspiri, La Fonteni, Molieri, Volteri, Ruso, Metastazi, Gëte, Lesingu, Shileri, Uhlandi, Shatobriani, Lamartini, Alfred de Myse, Parini, Gjusti, Monti, Manconi, Peliko, Porfiri, Edmondo de Amiçis, Bajroni, Mistrali, Foskolo, Leopardi, Viktor Hygo, e disa të tjerë më pak të rëndësishëm, bashkëkohës të të sipërmendurëve.

Emrat e shkrimtarëve evropianë, të përmendur më shpesh se të cituar në shkrimet e tyre, dëshmojnë se shkrimtarët e Rilindjes sonë Kombëtare më së shumti kanë çmuar, prandaj edhe kanë lexuar, letërsitë e këtyre epokave e periudhave në historinë e letërsisë evropiane: letërsinë antike greke, letërsinë romake, letërsinë e Renesansës italiane, Klasicizmin, Iluminizmin dhe Romantizmin.

Mos do të thotë kjo se letërsia e shekujve të shkuar jo vetëm se ishte pjesë e kulturës së përgjithshme të shkrimtarëve të Rilindjes sonë Kombëtare, por edhe letërsia që ndikonte fort në prirjet e tyre, në ndjeshmërinë e tyre, prandaj edhe në strukturën e formacionit letrar që do të ndërtojnë ata? Pa dyshim-po. Nuk mund të dyshohet se prej këtyre letërsive do të përzgjidheshin edhe veprat që do t’i përkthenin ata po t’i kishin kushtet që të merreshin edhe me veprimtari përkthyese.
 
LETËRSIA SHQIPE MIDIS DY LUFTËRAVE BOTËRORE DHE PËRKTHIMET
 
Është plotësisht e kuptueshme që në periudhën vijuese, pasromantike të letërsisë shqipe, të shtohet numri i përkthimeve në gjuhën shqipe, numri i shkrimtarëve të letërsive të ndryshme kombëtare që do t’i lexojnë dhe numri i shkrimtarëve që do t’i përmendin në shkrimet e tyre shkrimtarët tanë. Shqipëria është bërë e pavarur. Shumica e shkrimtarëve janë kthyer në atdhe.

Është shtuar shumë numri i gazetave dhe i revistave në gjuhën shqipe. Janë themeluar shtëpi botuese, sidomos, në vitet e tridhjeta të shekullit njëzet. Zhvillohet jetë shumë gjallëruese mendore sidomos në kryeqytetin e shtetit të ri në Tiranë. Ide të reja dhe rryma mendore depërtojnë në publicistikën shqiptare gjithnjë e më të zhvilluar.

Ballafaqohen mendësi të kundërta, të djathta dhe të majta, që nxisin shkrimtarët dhe publicistët për leximin apo, madje, për përkthimin e veprave në të cilat janë trajtuar ato mendësi. Mund të vërehet se edhe në këtë periudhë të letërsisë shqipe para së gjithash lexohen dhe përkthehen pak a shumë letërsitë e epokave dhe periudhave që janë lexuar edhe prej shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare.

Por, mund të vërehet se lexohen apo, madje, përkthehen edhe vepra të shkrimtarëve, filozofëve, shkencëtarëve, publicistëve të pjesës së dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë apo të dhjetëvjetëshave të parë të shekullit njëzet: trajtesa dhe sprova të Frojdit, Dyrkemit, Niçes dhe jetëshkrime politike si jetëshkrimi i Ataturkut dhe jetëshkrimi i Benito Musolinit me parathënie të Ernest Koliqit!

Përpos poezisë së poetëve antikë grekë e romakë, të Renesansës, të Klasicimit e të Romantizmit, tani do të përkthehen edhe vjersha të Bodlerit, të Vërlenit, të Xhoshue Karduçit, por edhe proza të Prosper Merimesë, Aleksandër Dymas, Selma Lagerlefit, Mark Tvenit, Gy de Mopasanit, Luigji Pirandelos, Oskar Vajldit, shkrimtarëve amerikane Perl Bak dhe Hariet Biçer Stou, Blasko Ibanezit, Ivan Turgenievit, Çehovit, Rabindranat Tagores, Emilio Salgarit, madje edhe të Maksim Gorkit.

E të tjerëve. Megjithëse botohen vepra të shkrimtarëve evropianë që kanë jetuar në kohë më të afërme apo, madje, edhe në kohën midis dy luftërave botërore, bie në sy se, me përjashtim të poezisë së Bodlerit e Verlenit, nuk përkthehen vepra dhe, madje, nuk përmenden emra të shkrimtarve modernë.

Poezia e Rembos, Stefan Malarmesë, Pol Valerysë, Rainer Maria Rilkes, Tomas Stern Eliotit, Federiko Garsia Lorkës, Sent Xhon Persit, Pol Elyarit, Gyjom Apolinerit, Ramon Himenezit, Rafael Albertit dhe proza e Marsel Prustit, Franc Kafkës, Xhems Xhojsit dhe Virxhinia Vulfit mbesin plotësisht jasht interesimeve letrare të shkrimtarëve tanë midis dy luftërash botërore.

Pothuaj e kuptueshme. Zhvillimi shoqëror dhe kulturor, prandaj edhe zhvillimi letrar shqiptar nuk ishin bashkëkohësuar aq sa të pranoheshin lehtë e shpejtë idetë, temat, pamjet dhe ndjeshmëria që paraqiteshin në poezinë e në prozën moderne. Mendësia dhe ndjeshmëria folklorike, tradicionale dhe romantike, ishin edhe më tej mendësi dhe ndjeshmëri mbizotëruese në jetën kombëtare shqiptare.

Por, megjithatë, veprat që përkthehen dhe veprat që lexohen në vitet ndërmjet dy luftërave botërore dhe, sidomos, gjatë Luftës së Dytë Botërore mund të supozohet se, pak a shumë, ndikojnë në shpejtimin e procesit të zhvillimit të letërsisë shqipe, duke ia afruar atë sadopak më shumë se letërsia e Rilindjes Kombëtare procesit të zhvillimit të letërsisë evropiane, domethënë procesit të zhvillimit të letërsive të mëdha evropiane – franceze, italiane, angleze, gjermane dhe spanjolle.
 
LETËRSIA E SOTME DHE PËRKTHIMET
 
Pas Luftës së Dytë Botërore do të bëhen shumë përkthime në gjuhën shqipe. Vepritmaria përkthyese, tani, është veprimtari kulturore e organizuar dhe e institucionalizuar, që financohet prej institucioneve shtetërore. Në këtë kohë bëhen përkthime jo vetëm prej letërsive të mëdha evropiane – prej letërsisë antike greke e romake, prej letërsisë së Renesansës, prej letërsisë së Klasicizmit e të Ilumnizmit, prej Letërsisë së Romantizmit e të Realizmit, por edhe prej letërsive të popujve të vegjël evropianë dhe prej letërsive të kontinenteve të tjera.

Meqenëse letërsisë botërore i kushtohet shumë kujdes në plan-programet e gjuhës e të letërsisë, shtëpitë botuese, të cilat janë të financuara prej shtetit, janë të obliguara t’i kushtojnë kujdes përkthimit dhe botimit të veprave që janë në ato plan-programe. Si në Shqipërinë shtetërore, ashtu edhe në Kosovë, politika dhe ideologjia sunduese do të ndikojnë shumë, në Shqipëri pothuaj përcaktueshëm, në politikën e përkthimeve.

Me kritere, që nuk mund të quhen se janë në kundërshtim me ideologjinë e doktrinës së realizmit socialist, në shtëpitë botuese në Shqipërinë shtetërore do të përzgjidhen veprat që do të përkthehen. Këto kritere nuk do të bëhen pengesë që të botohen vepra të shkrimtarëve të mëdhenj botërorë – të Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Lukrecit, Ovidit, Virgjilit, Dantes, Petrarkës, Ariostos, Shekspirit, Servantesit, Volterit, Rusoit, Rasinit, Kornejt, Molierit, Rablesë, Viktor Hygosë, Lamartinit,
Shatobrianit, Pushkinit, Balzakut, Floberit, Mopasanit, Emil Zolas, Tolstojt, Turgenievit, Gogolit, Gëtes, Shilerit, Çarls Dikensit, Teodor Drajzerit e shumë e shumë të tjerëve.

Përkthyes të tyre do të jenë poetë, prozatorë, publicistë e gjuhëtarë të njohur, të shkolluar në botën e huaj, kryesisht, në Itali, në Austri, në Francë, që njihnin për mrekulli jo vetëm gjuhën amëtare në të cilën bëheshin përkthimet, por edhe gjuhët prej të cilave i bënin përkthimet.

Nuk është e çuditshme, prandaj, pse përkthimet e tyre do të mbesin shembull i përkthimit në historinë e përkthimeve në gjuhën shqipe deri sot. Kriteret e doktrinës së realizmit socialist, ndërkaq, do të bëhen pengesë që në shtëpitë botuese në Shqipërinë shtetërore të përkthehet letërsia moderne.

Përkthimi i veprave të kësaj letërsie pengohej për shkaqe politike, ideologjike dhe si, thuhej, pedagogjike. Në të vërtetë ajo zhvlerësohej ideologjikisht dhe gjoja teorikisht si letërsi dekadente, e sunduar prej subjektivizmit, racionalizmit, pesimizmit, psikologjizmit, kundërhumanizmit, formalizmit, në  përgjithësi prej karakterit reaksionar!

Veprat e Bodlerit, Marsel Prustit, Franc Kafkës, Xhems Xhojsit, Viljem Foknerit, Alber Kamysë, Zhan-Pol Sartrit, Alen Rob Grijesë, Mishel Bytorit, Natali Sarotit, dhe shumë e shumë shkrimtarëve të tjerë bashkëkohorë, që quheshin modernistë, ishin të ndaluara jo vetëm për përkthim, por edhe për lexim. Ato nuk mund të importoheshin dhe ato po të gjendeshin në biblioteka, nuk mund t’u jepeshin lexuesve!

Në Kosovë, realizmi socialist nuk ishte doktrinë sunduese në krijimtarinë artistike dhe shkencore, por edhe në Kosovë politika zyrtare, kur më pak e kur më shumë, ndikonte në politikën e përkthimeve të shtëpive botuese. Prej tyre kërkohej që të botojnë sa më shumë vepra letrare e shkencore të kombeve e të kombësive të Jugosllavisë, por edhe të letërsive të vendeve të painkuadruara me të cilat Jugosllavia përbënte një si bllok politik.

Në Kosovë do të botohen po thuaj të gjitha përkthimet e shkrimtarëve botërore që ishin botuar në Shqipërinë shtetërore plus një numër përkthimesh që në shtëpitë botuese në Tiranë nuk ishin botuar. Por, letërsia moderne nuk do të jetë e përkthyer sa do të ishte e nevojshme as në Kosovë megjithëse arsyet e përkthimit të paktë të veprave moderne dhe avangarde në Kosovë nuk ishin ato arsyet që në Shqipëri e pengonin plotësisht përkthimin dhe botimin e tyre.

Arsyet këtu ishin të tjera. E para, mjetet e lejuara prej institucioneve shtetërore për veprimtarinë përkthyese në masë të madhe do të shpenzohen për përkthimin dhe botimin e veprave nga letërsitë e kombeve e të kombësive të Jugosllavisë dhe, e dyta, letërsia moderne nuk ishte e njohur mirë as në Kosovë.

Përpos prej republikave të Jugosllavisë, në Kosovë institucionalisht nuk importoheshin libra, gazeta e revista prej shteteve të tjera, përpos, me një sërë kufizimesh, prej Shqipërisë. Megjithëse kjo letërsi nuk ishte as e përkthyer sa do të duhej dhe as e njohur mirë në rrethet krijuese, sot mund të flasim për një ndikim të letërsisë moderne në letërsinë shqipe në Kosovë, në mënyrë të veçantë në poezinë shqipe në Kosovë.

Dhe, ky ndikim i letërsisë moderne në letërsinë shqipe në Kosovë do të vijë përmes letërsive kombëtare, para së gjithash serbe, kroate dhe boshnjake, në të cilat ishte i fortë ndikimi i letërsisë moderne, dhe avangarde, evropiane. Në sajë të këtij ndikimi të drejtpërdrejtë dhe të ndërmjetuar të letërsisë moderne evropiane në letërsinë shqipe në Kosovë, sidomos, pas viteve të ’70 të shekullit të kaluar, shpejtohet procesi i zhvillimit të letërsisë shqipe, sillen në të rryma, stile dhe teknika të reja krijuese, që më pak a më shumë e përshpejtojnë procesin e zhvillimit dhe të europeizimit të saj.
 
LETËRSIA SHQIPE PAS RËNIES SË KOMUNIZMIT DHE PËRKTHIMET
 
Pas rënies së komunizmit në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë dhe në Maqedoni shtohet shumë numri i shtëpive botuese. Shtohet numri i gazetave dhe i revistave. Shtohet numri i radiove dhe i televizioneve. Marrëveshja politike, letrare, artistike dhe shkencore me botën është e liruar prej pengesave, që i viheshin në kohën e komunizmit.

Është e kuptueshme, prandaj, pse në këtë kohë shtohet jashtëzakonisht shumë numri i përkthimeve nga letërsitë evropiane, nga letërsia amerikane dhe nga letërsitë latinoamerikane. Ribotohen përkthimet e veprave klasike të letërsisë botërore dhe bëhen përkthime të reja të traditës letrare evropiane dhe, pak a shumë, amerikane. Letërsia moderne, ndërkaq, nuk do të jetë më shumë e përkthyer se sa në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar në Kosovë.

Me përkthimin e disa prozave të Kafkës, të Xhojsit, të Virxhinia Vulfit, të Samuel Beketit, të Markesit, të Gynter Grasit, të Umberto Ekos, të Natali Sarotit e Mishel Bytorit nuk mund të thuhet se plotësohet nevoja letrare për njohjen e letërsisë moderne në jetën tonë mendore.

Arsyet kryesore pse shtëpitë tona botuese sadopak ngurrojnë për botimin e veprave moderne dhe, tani, postmoderne, është interesimi edhe më tej i vogël i lexuesve për këta tipa të letërsisë. Pavarësisht pse komercializmi në masë të madhe po ndikon në politikën tonë botuese, dhe, rrjedhimisht, në politikën e përkthimeve, mund të thuhet se roli i përkthimeve dhe i marrëveshjeve të papenguara me botën sot është më i madh dhe më i gjithanshëm se kurrë në historinë e letërsisë shqipe.

Në sajë të këtyre përkthimeve dhe në sajë të këtyre marrëveshjeve po rritet përvoja jonë krijuese, po qarkullojnë ide të reja në jetën tonë mendore, po përvetësohen prirje, stile, teknika të reja krijuese, po përshpejtohet ritmi i zhvillimit të letërsisë shqipe dhe i artit shqiptar në përgjithësi. Bota është gjithnjë e më e pranishme në jetën tonë shpirtërore. Por, cili do të jetë fati i Vatrës sonë në Botën e sotme mbetet për t’u parë.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Arton Zekaj zgjedh Kosovën, mediat serbe 'shpërthejnë' ndaj 23-vjeçarit të lindur në Suboticë

Arton Zekaj zgjedh Kosovën, mediat serbe 'shpërthejnë' ndaj 23-vjeçarit të lindur në Suboticë