PRISHTINË - Në kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me gjendjen në veri të Kosovës.
Ministri i brendshëm, Bajram Rexhepi ka bërë një përmbledhje të ngjarjeve, veçanërisht për shpërthimin në Mitrovicë.

Rexhepi duke raportuar për gjendjen në Mitrovicë theksoi se përgjegjës për gjenden atje janë institucionet e Serbisë, të cilat janë kapluar nga ethet zgjedhore.
Ai deklaroi se me arrestimet e qytetarëve të Kosovës në Serbi, me moszbatimin e marrëveshjeve, po dëshmohet se ministri i rendit i Serbisë, Ivica Daçiç me plot fanatizëm po dëshmon se është trashëgimtar i Millosheviçit.

Rexhepi duke folur rreth vrasjes së Selver Haradinaj tha se rasti është cilësuar si akt terrorist, dhe i i tillë është duke u hetuar nga Njësiti antiterrorist i Policisë së Kosovës, mbështetur nga Task-forca e EULEX-it.

Ministri i rendit, ndër të tjera u shpreh se pas gjendjes së krijuar kanë shtuar prezencën e policisë në lagjet e banuar me popullatë të përzier.

Opozita
Subjektet politike opozitare në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për veriun theksuan se gjendja atje është më e keqe se disa vite më parë, ndërsa theksuan se shpëtimi i vetëm i vendit është dorëheqja e kësaj qeverie që sipas tyre ka përkeqësuar çdo çështje.
Dy partitë opozitare e kanë arsyetuar mos nënshkrimin e kërkesës për seancë te jashtëzakonshme javën e kaluar nga Vetëvendosje me mospraninë e Thaçit në Kuvend. Sot kryeministri ishte për një orë i pranishëm në Kuvend, por nuk ka folur dhe diskutuar. Ai ka dalë nga parlamenti derisa deputetët ishin duke debatuar.
Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se gjendja në veri të Mitrovicës është e rëndë. Ai theksoi se në veri vazhdon të mos funksionojnë institucionet e shtetit, ndërsa qytetarët po terrorizohen dhe adresa është Serbia.
Beqiri kërkoi veprime urgjente, si funksionimin e gjykatave, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe qarkullimin e lirë në veri, presion për lirimin e shqiptarëve të arrestuar në Serbi, të nxirren para ligjit bashkëpunëtorët ekomomik me kriminelët e veriut, EULEX-i e KFOR-i t’i ushtrojnë detyrat sipas mandatit.

Ndërsa, Visar Ymeri, shef i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes tha se po të kishin qenë këta deputetë të sinqertë dhe po ta kishin menduar vërtetë se situata në veri është e jashtëzakonshme, atëherë do ta nënshkruanin kërkesën e tyre për seancë të jashtëzakonshme javën e kaluar, 11 ditë nga vrasja e Selver Haradinajt.

“Po na thuhet se veriu në njëfarë forme funksionon kështu siç është që prej vitit 1999. Por kur kthehemi pak në histori do ta shohim se tërheqja e institucioneve të Kosovës nga atje është bërë gradualisht dhe me hapa. Sikur të ketë qenë e planifikuar”, tha Ymeri duke kritikuar kryeministrin që për katër vite e gjysmë të drejtimit të qeverisë, strukturat ilegale të Serbisë janë toleruar vazhdimisht të veprojnë, terrorizojnë, vrasin, dhunojnë e plaçkitin çdo gjë shtetërore, publike e private në atë pjesë të vendit.

“Njëlloj sikur në kohën e qeverive të mëparshme. Tash e katër vite e gjysmë kjo qeveri e ka përkeqësuar çdo gjë në të cilën ka prekur, por edhe ato aspekte ku ajo nuk ka vepruar. E tash deputetët e saj na thërrasin në seancë, për ta zëvendësuar mungesën e veprimit qeveritar e institucional atje”, tha Ymeri, duke shtuar se kjo qeveri e ka vetëm një mënyrë për ta shpëtuar Kosovën, e kjo sipas tij, është dorëheqja e saj.

Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini se veriu i Kosovës është reflektim i qeverisë. Ai tha se qeveria çdo gjë që e ka bërë ka qenë false, duke u zhveshur kështu Kosovën prej mundësisë për t’u marrë me veten.

Duke iu referuar raportit të ministrit Rexhepi, shefi i GP-së së AAK-së tha se Qeveria e Kosovës tërë kohën e shfrytëzon për të kamufluar, për t’i hedhur hi syve qytetarëve të vendit dhe për Qeverinë tha Gjini për çdo gjë të gjithë kanë faj përveç atyre.

Sipas tij, akuzimi i Serbisë për çështjet në veri është paaftësi e institucioneve për t’u marrë me problemet.
Duke shprehur qëndrimin se siguria në veri është më e keqe, veriu më pak i integruar, strukturat ilegale më të sigurta, më pak shqiptarë në veri se në vitin 2008, Gjini tha se me këtë qeveri në pushtet Kosova po shkon drejt zhbërjes, për atë që është munduar me shekuj.

Mazhoranca
Para se të fillonte seanca, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se problemi i veriut nuk është çështje as e pozitës dhe as e opozitës por e të e të gjithëve. Grabovci komentoi edhe iniciativën e parë të Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme për veriun, ku edhe u protestua nga dy deputetët Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri.
Grabovci tha se i është dhënë mbështetje seancës të kërkuar nga Vetëvendosje, por është kërkuar që të respektohen procedurat.

Ai nuk komentoi se pse kanë mbledhur nënshkrimet e deputetëve të mazhorancës kur e kanë kryeministrin i cili ka të drejtë kushtetuese që të thërras një seancë të jashtëzakonshme kurdo që vlerësohet nga ekzekutivi.
/rg/shqiptarja.com/