Rezarta Kapaj: Bukuria, realitet apo perceptim?

Rezarta Kapaj: Bukuria, realitet apo perceptim?
Një burrë i mençur ka thënë dikur: “Nuk di ta përshkruaj bukurinë, por di ta njoh kur e shoh përbri”. Shumë poezi, këngë e legjenda i janë thurur fytyrës së bukur të një gruaje, luftëra janë luftuar për një grua të bukur dhe kur burra trima kanë vdekur në duele vetëm për një buzëqeshje tërheqëse. Por a është bukuria diçka që matet shkencërisht, apo thjesht një perceptim personal?
 
Studimet e shumta mbi psikologjinë e njeriut kanë treguar se çdo burrë apo grua kërkon tek partneri i tij ose i saj gjenet më të mira, rrjedhimisht një fytyrë e bukur do të thotë shëndet më i mirë, pra gjene më të mira. Tiparet që kërkohen në fytyrën e gruas janë ato të lidhura me feminilitetin, dhe pse jo fertilitetin. Buzët e plota, ta zëmë, konsiderohen si simboli një gruaje më sensuale sepse lidhen me seksualitetin e gruas. Gjithashtu një fytyrë e pastër, pa njolla dhe më lëkurë të shndritshme tregon shëndetin e mirë, pra është në tipar i dëshirueshëm.
 
Duke marrë parasysh të gjithë tiparet që bëjnë një fytyrë gruaje të bukur, është më se e kuptueshme që ndryshimi i izoluar i njërit prej tipareve, nuk do të shndërrojë patjetër një fytyrë të zakonshme në një fytyrë të bukur.
 
Kur flasim për një fytyrë të bukur femërore, tipari i parë i rëndësishëm është siç e përmendëm dhe pak më parë, lëkura e shndritshme dhe e shëndetshme. Tipari i dytë po kaq i rëndësishëm është simetria midis dy gjysmave të fytyrës. Këto tipare janë të përbashkëta tek bukuria femërore dhe mashkullore. Ndërsa tiparet që do të shpjegojmë në vazhdim ndryshojnë nga mashkulli në femër dhe përbëjnë diferencat gjinore. Duhet theksuar se baza e këtyre diferencave janë hormone mashkullore dhe femërore, ndaj sa më të theksuara këto tipare, aq më tërheqëse bëhet fytyra për “personin e etur për gjene të mira”. Meqë femrat janë më të prirura ndaj bukurisë, po ndalemi tek tiparet e gruas së bukur.
 
Një ballë i lartë gjithmonë është asociuar me një person mendimtar e të zgjuar. Por në fytyrën e gruas balli i lartë dhe disi i nxjerrë është tipar i preferuar edhe nga ana vizuale. Meqë syri percepton dritëhijet, thyerja e dritës në ballin e gruas bën të bien më shumë në sy harku i vetullës dhe sytë të duken më të bukur.
 
Hunda është një nga tiparet që është studiuar më shumë ndoshta në bukurinë e fytyrës. Hunda e vogël, e hollë dhe me majë zbut pamjen e përgjithshme të fytyrës. Gjithashtu hunda e bukur bën që të bjerë më shumë në sy pjesa e mesme e fytyrës, ashtu si një tablo e bukur mbyll një vrimë në mur.
 
Mollëzat dhe pjesa rreth hundës preferohet të jenë të ngritura. Edhe ky faktor provon edhe një herë faktin se fytyra e shëndetshme është ajo e preferuara.
 
Buzët preferohen të jenë të plota, me buzën e poshtme pak më të madhe se ajo e sipërmja. Buzët nuk duhet të zënë më shumë se gjysmën e fytyrës së poshtme dhe duhet të jenë të formuara me kontur të rregullt.
 
Mjekra tek fytyra e bukur femërore duhet të jetë e vogël dhe të mbetet disi prapa buzës së poshtme. Konturi i nofullës së poshtme duhet të jetë i butë dhe pa hije të forta, por duhet të jetë i dallueshëm dhe i ndarë nga qafa. Së fundmi, qafa preferohet disi e gjatë dhe me lëkurë të lëmuar.
 
Strategji të shumta janë zhvilluar për të zbukuruar fytyrën e gruas. Gjatë kohës së Rilindjes për shembull, gratë hiqnin flokët për të patur një ballë më të lartë. Përdorimi i buzëkuqit për të patur buzë me të kuqe apo i pudrës për të patur faqe më të shëndetshme, janë të njohura që prej dy shekujsh. Por cilat janë strategjitë e sotme të përmbledhura shkurt për të zbukuruar fytyrën e gruas?
 
LËKURA
Strategjitë janë kaq të shumta sa është e vështirë të përmblidhen në këtë shkrim. Duke filluar që nga kremrat kozmetike e duke vazhduar tek strategjitë e zhveshjes së lëkurës si peeling dhe lazer, mënyrat janë shumë dhe efikasiteti ndryshon, ndaj konsulta me mjekun e duhur është kusht për një lëkurë më të mirë.
 
SIMETRIA
Përgjigja në këtë rast, kalon nga salla e operacionit. Operacionet janë të shumta duke filluar nga trajtimet me dhjam për të barazuar dy anët e fytyrës deri tek zhvendosja e kockave.
 
BALLI
Strategjia e parë për rritjen e ballit është padyshim BOTOX. Me anë të këtij ilaçi magjik, balli duket më i lëmuar dhe më i lartë. Mbushjet me dhjamin e vetë pacientes po bëhen këto kohë me trend se kurrë dhe rezultatet janë shumë natyrale. Lëkura nën të cilën vendoset dhjami bëhet më e shndritshme dhe më e lëmuar, një përfitim ekstra ky i kësaj procedure.
 
HUNDA
Rhinoplasti dhe rhinoplasti. Megjithëse me disa strategji makiazhi mund të arrihen rezultate të përkohshme, përgjigja për rregullimin e hundës kalon përsëri nga salla e operacionit. Shërimi i këtij operacioni zgjat rreth tre javë, por rezultati zgjat gjatë gjithë jetës.
 
MOLLËZAT
Ekzistojnë shumë substanca që mund të përdoren për ngritjen e mollëzave. Nga acidi hialuronik, i cili zgjat rreth një vit deri tek dhjami i marrë nga vetë pacienti, të gjitha këto strategji premtojnë një fytyrë të mesme me konvekse. Për ata që duan rezultate më të dukshme, protezat zigomatike përdoren me anë të një incizioni brenda gojës, pra të padukshëm nga jashtë.
 
BUZËT
Kohët e fundit po flitet gjithmonë e më shumë për substancat e ndryshme mbushëse. Acidi hialuronik është më i përdoruri dhe rezultatet mund të zgjasin deri në një vit. Gjithashtu dhjami përsëri përdoret për mbushjen e buzëve me efikasitet dhe dhjami i mbetur pas gjashtë muajsh mbetet në buzët tuaja gjithmonë. Por mënyra më dramatike sërish kalon nga salla e operacionit. “Dermofat grafts” merren nga zona të tjera të trupit dhe vendosen në buzë, për buzë më të plota dhe më të bukura. Gjithashtu mukoza e brendshme e buzës mund të avancohet për të patur rezultate afatgjata.
 
MJEKRA
Në rastin e një mjekre të nxjerrë një incizion kryhet në pjesën e brendshme të buzës së poshtme dhe kirurgu eliminon teprinë në mjekrën e pacientes. Kjo është një procedurë shumë e njohur në botën e Hollywood, ku gratë e famshme justifikohen se fytyra është bërë më ovale dhe më pak e mprehtë gjatë rritjes. Sigurisht që, meqë incizioni është fare i padukshëm brenda buzës, askush nuk e di sekretin dhe përsëri përkthehet si “ gjene të mira”.
 
Me zhvillimin e shkencës së estetikës fytyra e bukur po bëhet çdo ditë më e prekshme. Ju urojmë gjithmonë ditë të bukura dhe mos harroni se një fytyrë e buzëqeshur, nuk mund të jetë kurrë e shëmtuar.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'