Rezervat e LSI, Bushati: Qeveria
matet me punë dhe jo me fjalë!

Rezervat e LSI, Bushati: Qeveria<br />matet me punë dhe jo me fjalë!
Partia Socialiste është e gatshme të vijojë bashkëqeverisjen me LSI-në dhe është e ndërgjegjshme se reformat e ndërmarra nga kjo qeveri nuk do të arriheshin pa këtë koalicion. Këtë e pohon për “Shqiptarja.com” deputeti i PS-së, Ervin Bushati. I pyetur për kritikat e bëra nga LSI-i për disa segmente të qeverisë, Bushati thotë se qeveria matet me punë dhe jo me fjalë. Sa i takon rikandidimit të tij, nëse do të jetë apo jo në pjesën fituese të listës, Bushati, i cili drejton degën e PS-së për njësinë 8, thotë se kjo do të vendoset nga vullneti i qytetarëve.

PS-ja po shkon tashmë drejt zgjedhjeve të reja. A mund të bëni një bilanc qeverisës përpara se të vendosni rrugëtimin e ri elektoral?
Po është e vërtetë që po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja. Në më pak se katër muaj qytetarët do t`i drejtohen kutive të votimit ku dhe do të shprehin vullnetin e tyre. Nëse do të bënim një analizë se ku kemi arritur deri më tani, personalisht dhe profesionalisht do të thoja se sot jemi  shumë më mirë se disa vite më parë.  Vërtet ndoshta nuk jemi aty ku do të donte çdo shqiptar të ishte, por edhe çdo amerikan, italian, francez nuk është i kënaqur me ekonominë që kanë sot. Dhe në fakt në të gjithë botën nuk di që të ketë qytetarë që të thotë jam i kënaqur me ekonominë. Por me një rritje prej 3.4% në raport me GDP-në, shumë vende do ta quanin një rritje më se të kënaqshme. Po të kemi parasysh krizën globale, atë në Evropë apo tek fqinjët tanë dhe mbi të gjitha në optikën tonë, ashtu si e morëm ekonominë nuk kishte premisa për të patur një zhvillim, pra kishte një rritje 3 herë më të vogël se kjo që kemi sot, kishim një defiçit buxhetor 2-3 herë më të madh se ky që kemi sot. Ajo që vlen të theksohet është se ne punuam për të ulur borxhin kombëtar dhe jemi i vetmi vend mesa di un sot, të paktën në Evropë, që ka një defiçit buxhetor më të ulët sesa rritja ekonomike. Defiçiti jonë buxhetor është 2%  ndërsa rritja 3.4%, pra të kesh një defiçit buxhetor gati dy herë më të vogël se rritja ekonomike është  një super konsolidim fiskal. Mendoj dhe them me bindje se kemi bërë një punë mjaft të mirë deri më tani dhe kemi ndërtuar një rrugë në të cilën mund të ecim me hapa të sigurt.

Si i shikoni sulmet e fundit që LSI ju ka bërë ndaj pjesës së PS-së në qeverisje?
Kjo është një pyetje të cilës i kam dhënë shpesh përgjigje. Ajo që mendoj është se  ka ardhur koha që s’ka aq rëndësi se çfarë ndodh brenda një partie, e rëndësishme është sesi performon qeveria. Pra kjo nuk ka lidhje me sjelljet e caktuara, por me atë se çfarë ka fituar Shqipëria nga ky koalicion. Qeveria matet me punë dhe jo me fjalë. Mendoj se kjo qeverisje ka bërë shumë për qytetarët. Reformat e ndërmarra sot nuk do të ishin bërë po të mos kishim këtë koalicion. Unë jam besimplotë se ky koalicion do të shkojë përpara, pasi kjo është një aleancë strategjike për të majtën e gjeneratës tjetër.

Sa do të përcaktojnë ato marrëdhëniet e koalicionit?
Ashtu siç thashë edhe më sipër kjo nuk ka lidhje me sjellje të caktuara. Partia Socialiste është e gatshme të bashkëqeverisë e të shkojë përpara në rrugën e nisur. Ne sot jemi kryelartë për atë që kemi bërë në raport me mundësitë që kemi pasur.

A është PS vonë në shkrimin e programit të saj qeverisës? Si ekspert ekonomie, cilat mendoni se do të jenë shtyllat e programit ekonomik?
Që në fillimet e qeverisjes sonë ne kemi patur një program të qartë se çfarë duhet bërë dhe ku duhet të shkojmë për të patur një qeverisje sa më të mirë dhe sa më produktive për qytetarët. Shtyllat kryesore të kësaj qeverisjeje janë disa pasi në vendin tonë ka mjaft për të bërë, por tre mbeten fushat kryesore- arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Këto janë tre fusha ku asnjëherë nuk mjafton investimi për to si dhe janë sfida për çdo shtet të zhvilluar. Gjithashtu një nga reformat më të vlerësuara dhe më të rëndësishme për ekonominë në Shqipëri është reforma në sektorin energjetik.  Por nuk duhet të harrojmë që janë marrë shumë reforma për të stabilizuar dhe rritur performancën ekonomike si ulja e ekonomisë informale, tregtia e jashtme, lehtësimi i investimeve, reduktimi i barrierave për biznesin, punësimi etj. Mos harroni se këto që po ndodhin, siç është konsolidimi i mëtejshëm fiskal apo ulja e borxhit, po ndodhin në një vit zgjedhjesh parlamentare. Nuk ka ndodhur në historinë e financave publike të 20 viteve të fundit, që një qeveri të ketë përgjegjshmërinë maksimale për të vazhduar konsolidimin fiskal në një vit elektoral. Ditët me modele të vjetra ekonomike tashmë kanë ikur edhe për vendin tonë.  Ky përmirësim i vlerësimit ekonomik, u atribuohet reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat kanë nisur të japin efekte pozitive.

Pas 4 vjetësh qeverisjeje të majtë, shqiptarët nuk po ndjejnë mirëqenie të diferencuar dhe klima ekonomike nuk është ajo e lulëzimit që Edi Rama premtoi. Çfarë nuk shkoi në politikat ekonomike të qeverisë “Rama”?
Nuk mendoj se kjo është e vërtetë. Në katër vite qeverisjeje ne kemi bërë shumë, por jo çdo gjë arrihet në pak vite, aq më tepër kur në kohën që ne morëm pushtetin Shqipëria ishte zhytur në një krizë totale. Në sot kemi ecur përpara ekonomikisht dhe jo vetëm, madje këtë nuk e themi vetëm ne por edhe partnerët tanë kryesorë si BE, SHBA, FMN dhe BB të cilët janë dakord me të gjitha shifrat të cilat në fakt janë të rakorduara me ta. Por që politikat dhe reformat e ndërmarra të japin një efekt në popullatë apo siç quhet “trickle down effect” pra deri sa të rrjedhin te baza, patjetër që duhet pak kohë. Unë e kuptoj që shpesh herë të zhgënjyer nga politika apo nga premtimet shumë të mëdha apo nga shifrat shpesh herë të rreme, qytetarët mund ta kenë humbur durimin me politikbërjen apo edhe me zhvillimin ekonomik. Megjithatë duhet ta kuptojmë të gjithë që sot jemi shumë më mirë sesa 10 vite më parë, sot jemi më mirë sesa tre vite më parë, dhe nesër unë kam shumë shpresë dhe besim profesional që do të kemi një ekonomi shumë më të aftë të performojë dhe ta përçojë te qytetarët këtë mirëqënie e cila vërtetë vonon por nuk harron, do të vijë patjetër dhe ka filluar të ndjehet. Por nuk duhet humbur besimi, pasi fakti që nuk bëjmë dot gjithçka  brenda natës nuk duhet të na dëshpërojë. Në një ekonomi maten tre parametra kryesorë: ku kryesorja është rritja në raport me GDP-në, dhe për sa kohë rritja është pozitive dhe është e kënaqshme atëherë nuk duhet humbur durimi, pasi sot ajo që është e sigurt është se sot ka rritje konsumi më shumë se disa vite më pare, sot konsumohet më shumë si nga qytetarët si nga bizneset.

Ju jeni angazhuar në njësinë 8, duke sjellë disa risi në këtë zonë përmes aplikacioneve online, apo uebsajteve të njësisë. Si drejtues i kësaj njësie, ju do të jeni pjesë e listës fituese të së kandidatëve sërisht ?
Njësia 8, Tiranë është njësia që unë përfaqësoj dhe jam mjaft i kënaqur me rezultatet e arritura deri më sot. Në këto vite është bërë një punë mjaft e mirë në njësinë tonë e cila karakterizohet nga një frymë bashkëpunimi dhe optimizmi. Në njësinë 8 janë bërë shumë aktivitete dhe vepra të cilat janë përkthyer në punë konkrete duke patur gjithnjë kryefjalë mirëqenien e qytetarëve. Mund të them me bindje se fryma e bashkëpunimit dhe optimizmi  që karakterizon njësinë tonë është ajo që na ka bërë të ecim përpara e të bëjmë gjëra të mëdha.  Në do të jem apo jo pjesë e listës fituese të kandidatëve, shpresoj dhe kam besim tek banorët e kësaj njësie dhe tek vullneti i tyre i lirë. Mendoj se në këto vite kemi bërë vepra të mira dhe i kemi ardhur në ndihmë njësisë 8. Së bashku me banorët e zonës kemi ngritur problematika dhe u kemi dhënë zgjidhje atyre rasteve që për banorët kanë qenë të domosdoshëm. Mendoj se së bashku kemi arritur shumë dhe kemi bërë shumë për këtë njësi, ndaj unë mendoj se besimi dhe respekti është reciprok. Unë e dua njësinë 8 ashtu siç edhe besoj se kjo njësi më do mua, por besoj se kjo do të shihet shumë shpejt e përkthyer në vota nëse do të jem apo jo sërish pjesë e listës fituese të kandidatëve.
 
dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Pamje dramatike/ Stuhitë e shiut përmbytin ishujt Majorca në Spanjë, evakuohen banorët (VIDEO)

Pamje dramatike/ Stuhitë e shiut përmbytin ishujt Majorca në Spanjë, evakuohen banorët (VIDEO)