Me propozim të kryetarit të Komisionit, Fatos Bejës, diskutimi i Rezolutës u shty për diskutim të martën e ardhshme, pasi teksti të rishihej edhe njëherë nga relatorët Kadilli e Minxhozi dhe paraqitësi i saj, Shpëtim Idrizi.
Që në hapje të mlbledhjes, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka kërkuar të dijë: "Çfarë është kjo rezolutë dhe cila është baza ligjore, mbi të cilën po shqyrtohet?".
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka sqaruar se "Rezoluta është nismë ligjore, e bazuar mbi Kushtetutë".
Dule ka kundërshtuar shqyrtimin e saj, me argumentin se "rregullorja e Kuvendit ka ndryshuar dhe nuk e lejon një gjë të tillë".
Deputeti demokrat Fatbardh Kadilli, i caktuar relator i saj, ka kërkuar më tepër kohë për ta shqyrtuar, ndërsa nga PS-ja, relatori Qemal Minxhozi, tha: "PS-ja e ka vlerësuar në programin e saj politik, zgjidhjen e çështjes çame.
Situata ka precipituar me fyerjet e deputetit Tahiri të PDIU--së ndaj Dules me fjalët: "Jeni palaço"! Nuk jemi për procedurë këtu, mos thoni të njëjtat gjëra".
Idrizi i e ka kundërshtuar Dulen me fjalët: "Ju e kaloni etikën, se mbani mbi supe një genocid dhe i keni fshehur problemet, gjithmonë. Por ne nuk mund të bëjmë sikur harrojmë. Kjo çështje është sorollatur nëpër tavolinat e politikës. Ne nuk kërkojmë ndryshim kufijsh, por status minoriteti, që së paku të kthehemi në shtëpitë tona".
Deputetja socialiste Arta Dade ka sugjeruar që deputeti Tahiri t'i kërkojë ndjesë, kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe vazhdimin e diskutimit: "Kemi pasur dy muaj kohë për ta lexuar këtë rezolutë", shtoi ajo.
Tahiri është përgjigjur: "Kur Dule t'u kërkojë falje shqiptarëve për atë që u ka bërë shqiptarëve, atëherë do të kërkoj edhe unë". Pas këtyre fjalëve, Vangjel Dule është larguar nga komisioni duke thënë: "Kjo është sjellje rrugaçërie, faji është i këtij komisioni".
Deputeti socialist Qamil Minxhozi e ka anashkaluar situatën, duke hyrë në temë: "Ejani ta shqyrtojmë nen për nen, Rezolutën".
Nga ana e tij, deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa, është shprehur "pro" Rezolutës për Çamërinë, por ka qënë kundër përdorimit të saj elektoral. Pas debateve, kryetari i Komisionit e shtyu seancën e diskutimit për javën e ardhshme, duke lënë porosi, rishikimin e tekstit të Rezolutës për Çamërinë.
(Foto Vangjel Dule duke ikur sot nga Komisioni i Jashtëm pas debateve dhe fyerjeve me Shpetim Idrizin, në të djathtë)
DEBATI I PLOTË
Dule: Është një akt parlamentar i parashikuar nga procedurat parlamentare.Do të lutesha që të më jepni bazën ligjore se ku mbështeteni ju që të sillni një diskutim në Komisionin e Jashtëm për një akt parlament që quhet rezolutë. Cila është dispozita, si votohet dhe pse votohet?
Idrizi: Në bazë të rregullores së Parlamenti, rezoluta konsiderohet një nismë ligjore dhe mund të ndërmerret nga deputetët. Gjithsesi ne kemi dhe precedent. Precedentët e Kuvendit në vitin 99’ për Kosovën apo për vitin 2006 për dënimin e krimeve të komunizmit.
Dule: Parlamenti është e vërtetë që ka votuar rezolutë, por që atëherë Kuvendi ka pasur tjetër Rregullore. Me rregulloren e sotme dhe me Kushtetutën e sotme të Shqipërisë ju nuk keni asnjë mbështetje ligjore për një procedurë të tillë.
Tahiri: Ore do pushosh ti, mos e ngatërron me kushtetutën greke.
Idrizi: Kjo rezolutë në radhë të parë është që marrëdhëniet midis dy vendeve tona të jenë më të mira, megjithëse zoti Dule nuk është përfaqësues i shtetit grek , pro I një partie shqiptare. Gjithsesi edhe në teknikën legjislative, ajo që nuk ndalohet është e lejuar.
Kadilli: Kemi pasur vështirësi në konsultimin e legjislacionit grek pasi është një gjuhë ku personalisht nuk jam familjar dhe shumë shqiptarë që e lexojnë nuk kanë kulturën e nevojshme juridike. Do të ishte e arsyeshme që të na jepet më tepër kohë për të punuar më seriozisht.
Minxhozi: Kjo përmbajtje që është paraqitur është e papranueshme, prandaj duhet një rishikim dhe një ristrukturim. Duhet pasur parasysh për të ruajtur ekuilibrat e interesit me ato të fqinjësisë me Greqinë.
Tahiri: Kemi 5 muaj që e kemi sjellë dhe jemi dhe 70 vjet që presimd he më vjen keq që kërkoni edhe prova. Kjo nuk lëvizin aspak nga karta universale nga të drejtat e njeriut, pavarësisht se ky palaço që kam këtu përpara, përfaqëson atë parti.
Dule- Bejës: Me këtë terminologji të tillë vazhdoni mbledhjen,ju qofshi.
Beja: Me atë gjuhë na fyen të gjithëve, ne jemi të gjithë deputetë.
Idrizi: Është një rezolutë që tenton që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë të jenë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Deri më sot kemi bërë sikur kemi marrëdhënie të mira me shtetin grek sepse kemi një trashëgimi shumë të madhe problematike midis dy vendeve tona. Nuk kërkojmë ndryshim kufijsh, por rikthimin në shtëpitë tona. E gjitha kjo mund të mbarojë edhe me një frazë. Dhe e dyta hiqni ligjin e luftës.
Dade: Nuk mund të vazhdohet me patetzimë dhe me tone të larta.
Tahiri: Etikën time ju e keni parë shumë mirë për 4 vite dhe unë do ta bëj me vullnetin tim atë që ju më kërkuat për të bërë, por vetëm me një kusht kur zoti Dule të rregullojë gjuhën e tij dhe të tu kërkojë falje gjithë popullit çam dhe nga shteti grek, atëherë do ta bëj dhe unë këtë.
Dule: Komisionin e Jashtëm po e ktheni në një arenë rrugaçërie. Përgjegjësia është e juaja.
Tahiri: Rrugaç je ti (Largohet Dule)
Oketa: Besoj se mund të jetë një çcështje që nuk mund të zgjasë pambarismisht. Qëndrimi im personal është se unë jam dakort në parim, por duke u distancuar nga një çështje e tillë për efekte elektorale.
Redaksia Online
(ar.sh/shqiptarja.com)