KALIBRIMI
Majlinda Hoxha, drejtore e sektorit të metrologjisë shkencore dhe industriale, na shpjegon se aparaturat mjekësore janë objekt kalibrimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, por në të vërtetë nuk kanë bërë asnjëherë një proces të tillë. Sipas saj, kjo pasi kalibrimi i aparaturave, nuk është një proces i detyrueshëm dhe si i tillë ata nuk mund të ndërhyjnë. "Ligjërisht, kalibrimi i aparaturave mjekësore është shërbim vullnetar. Si i tillë duhet që spitalet, klinikat private apo laboratorët të na kërkojnë neve për të bërë një shërbim të tillë. Indirekt, deri më tani vetëm një klinikë private na ka kontaktuar në telefon dhe ka kërkuar informacion, por as ajo nuk ka kërkuar që institucioni jonë të bëjë kalibrimin e aparaturave mjekësore", - na shpjegon Majlinda Hoxha. Sipas saj, në parim kjo fushë specifike e mjekësisë duhet të jetë e kontrolluar. "Ta zemë, një peshore, duhet të kalibrohet qoftë nëse përdoret për të peshuar një produkt në treg, qoftë nëse përdoret për të peshuar një masë tjetër ne mjekësi, por duke qenë se është në dëshirën e institucioneve mjekësore kjo nuk ndodh", - na ka shpjeguar Hoxha. Ajo thotë se aparaturat duhet të kalibrohen të paktën njëherë në vit, por shton se ky proces në të vërtetë varet edhe nga lloji i aparaturës, sa ekzaminime bën, lloji i reagentëve të përdorur, koha e përdorimit, etj. Megjithatë ajo pohon se instituti i Metrologjisë në Shqipëri është relativisht i ri, ndaj pretendimi për të pasur një laborator, që të mund të bëjë kalibrimin e të gjithë pajisjeve mjekësore do të ishte një luks. Ajo na shpjegon se ai është një laborator i thjeshtë, por që për fat të keq, ende nuk po përdoret në fushën e mjekësisë.
INSTITUTI I AKREDITIMIT
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Sigurimit të Cilësisë dhe akreditimit të spitaleve, Isuf Kalo, thotë se kalibrimi i aparaturave mjekësore nuk është një kriter i detyrueshëm, por është një problem që rrezikon të bëhet serioz. "Kalibrimi i aparaturave mjekësore nuk është një proces i detyrueshëm, më shumë u është lënë kontratave që ata kanë me firmat përkatëse nga i marrin, të cilat bëjnë edhe kontrollin teknik të tyre. Realisht ministria ka një strategji, si blihen, si menaxhohen, si trajtohen kur dalin jashtë përdorimit aparaturat mjekësore, por nuk ka një lloj sistemi të metrologjisë së funksionimit të tyre të tipit, ta zemë, siç e kanë e kanë makinat. Nëse ti ke një makinë, duhet të kalosh në një kontroll teknik çdo vit për të parë se si funksionon. Kjo ka të bëjë dhe me sigurinë e aparaturave, ka të bëjë edhe me saktësinë e tyre", - ka deklaruar Kalo. Sipas tij, çdo standard që propozohet duhet të jetë i matshëm dhe i arritshëm, dhe përderisa ne sot për sot nuk e kemi këtë shërbim, nuk mund të jetë as kusht për akreditimin e spitaleve, megjithatë ai ka deklaruar se kalibrimi i aparaturave mjekësore dhe pajisjeve të ndryshme që përdoren nëpër laboratorët e anlizave do të jetë objekt i kërkesave të tyre. Kjo ka të bëjë me rregullimin e parametrave sa më të drejtë në këtë fushë. Sipas Kalos zgjidhja më e mirë do të ishte një laborator reference, ku rezultatet të ishin të krahasueshme dhe të matshme. Sipas tij në të ardhmen, institucioni që ai drejton do ta shikojë me prioritet edhe çështjen e kalibrimit të aparaturave mjekësore, pasi ky do të ishte një proces që nuk lë vend për pasaktësi në ekzaminimet e ndryshme laboratorike.
(s.g/shqiptarja.com)