TIRANE- Nga 803 efektivë policie që iu nënshtruan testimit me shkrim këtë të martë për 150 kuota pranimi në Akademinë e Policisë, vetëm 60 prej tyre kanë fituar. Konkursi u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë. Burime nga policia bënë me dije për gazetën “Shqiptarja.com”, se 60 efektivët e policisë të cilët janë fitues në këtë testim me shkrim, kanë marrë një shumë mbi 70 pikësh. Po ashtu, të gjithë fituesit pritet t’i nënshtrohen edhe një testimi me gojë javën që vjen. Në përfundim të këtij testimi, Inspektorët më të mirë do të ndjekin studimet Bahcelor në Akademinë e Sigurisë.

Ndërkaq, inspektorët që do të jenë fitues edhe në testimin me gojë, do të lënë detyrën e tyre për një periudhë 3 vjeçare të cilët do të ndjekin shkollimin. Ndërkohë, mësohet se të gjithë këta inspektorë, gjatë kohës që ndjekin studimet e tyre, do të paguhen me pagën e nënkomisarit, që është edhe grada që marrin në përfundim të studimeve. Pas përfundimit të çdo viti shkollor, ata do të kryejnë detyra të ndryshme, por që janë kryesisht në funksion të vënies në praktikë të njohurive të fituara në Akademinë e Sigurisë.