Richard Grenell në Prishtinë, takohet me presidentin Thaçi, Kurtin dhe Mustafën: Të hiqet taksa me Serbinë

I dërguari special i Presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka mbërritur në Prishtinë.

Grenell do të zhvillojë sot një darkë pune me Presidentin Hashim Thaçi ku mendohet se temë e diskutimeve do të jetë marrëdhënia me Serbinë dhe vazhdimi I bisedimeve të mbetura pezull mes dy vendeve që prej vendosjes së taksës 100% nga ana e Kosovës për mallrat serbe.

Grenell nesër do të takohet mekrerët e partitive politike për të biseduar rreth krijimit të institucioneve.

Ai gjithashtu nga Kosova do të udhëtojë për në Serbi ku të premten në mëngjes do të takohet me presidentn serb Aleksandër Vuçiç.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:31
Përfundon takimi me Kurtin dhe Mustafën, Grenell kërkon heqjen e taksës ndaj Serbisë

I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump në dialogun Kosovë – Serbi pas takimit me të parin e LV-së, Albin Kurtin ka deklaruar se nuk do që të përfshihet në përplasjen për krijimin e qeverisë së re në vend, teksa ka përsëritur thirrjen për heqje të taksës prej 100 për qind.

Grenell ka deklaruar se i inkurajon liderët në vend që të veprojnë sipas ligjit, duke mos komentuar zhvillimet në bisedimet për koalicion.

“Ishte kënaqësi të shoh përsëri z.Kurti, formimi i qeverisë së re nuk është problemi im dhe nuk jam i interesuar që të përfshihem aspak.  Dua të them dy gjëra, i thash z.Kurtit se ne jemi duke shikuar se çka po ndodhë ju inkurajojmë që të ndiqni ligjin sikur se të gjithë”, thotë ai.

Grenell ka shtuar se është në Kosovë që të ndikojnë në ndihmë për ekonominë e vendit.

“Dua të sqaroj se shtytja ekonomike që unë jam duke dashur që të bëjë është më e rëndësishmja, formimi i vendeve të reja të punës, njerëzit janë të interesuar që të ndihmojnë ekonominë këtu, administrata e Trumpit ka qenë mjaft e suksesshme në rritje të ekonomisë duke ju ndihmuar bizneseve përmes qeverisë”, shton ai.

Ambasadori amerikan në Berlin ka shtuar se do të kërkojë nga politikanët tjerë në vend në takimet që do të mbajë sot gjatë ditës që të hiqet tarifa 100 për qind për produktet serbe e boshnjake.

Ai ka deklaruar se do të kërkojë ndërkaq nga Beogradi, ku do të qëndrojë nesër gjatë ditës që të ndalin fushatën për tërheqjen e njohjeve.

“Jam duke u munduar që të injorojë përplasjet politike dhe të koncentrohem në rritje ekonomike dhe për këtë kam kërkuar nga z.Kurti dhe do të kërkojë edhe nga politikanët tjerë që është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë tutje në zhvillim ekonomik që tarifa 100 për qind të hiqet. Kjo është një gjë që duhet të largohet në të njejtën kohë fushata për tërheqje të njohjeve nga Serbia duhet të ndalet. 

Unë do ta përcjellë të njëjtin mesazh edhe në Beograd. Ky është mesazhi që e mbaj këtu sot edhe në Serbi”, shtoi Grenell.

I deleguari i presidentit amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell ka folur para mediave pas takimit me zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai e ka falënderuar kreun e LDK-së, Isa Mustafën për pritjen, teksa ka përsëritur se nuk do të përfshihen në formim të qeverisë së re.

Grenell ka shtuar se janë të interesuar në zhvillim ekonomik. Ambasadori amerikan në Berlin ka bërë thirrje që të hiqet tarifa, ndërsa, ka përsëritur se do të kërkojë nesër në Beograd që të ndalet fushata për heqje të njohjeve.

“Sapo u takova me liderët e LDK-së, dua që të falënderoj z.Mustafën që na ka pritur, kemi shikuar disa fotografi prej karrierës së tij dhe ai ka shumë eksperiencë. E ndava mesazhin e njëjtë që është se ne në Amerikë nuk jemi të interesuar që të përfshihemi ose se si do të formohet qeveria, ne jemi të interesuar në zhvillim ekonomik, dhe e ndava vizionin tim për të arritur aty shumë shpejtë duke hequr tarifën, ndërsa serbët që të ndalin kampanjën për tërheqje të njohjeve.

Ora 08:32
Grenell pas darkës me Thaçin: Duhet të bëjmë progres që përfshin edhe heqjen e taksës

Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se nuk do të ndërhyjë në debatet e brendshme politike për formimin e qeverisë së Kosovës.

Ai i bëri këto komente në fillim të takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, që është edhe takimi i tij parë në kuadër të vizitës që po zhvillon në Kosovë ku sot do të takojë edhe përfaqësues të tjerë politik, para se të shkojë në Beograd.

Grenell tha se "presidenti Trump është veçanërisht i përqendruar për zgjidhjen e këtij problemi, jo duke shikuar prapa dhe jo vetëm duke shikuar argumentet e vjetra. Ne duam të përparojmë në këtë rajon, në Kosovë, të kemi zhvillim ekonomik për njerëzit që e meritojnë. Qytetarët e Kosovës meritojnë të kenë punë dhe ardhmëri të ndritshme. Ajo që po përpiqem të bëj është që të shoh tërë këto çështje që kanë ndikim ekonomik".

Ambasadori Grenell e nisi vizitën në rajon dy ditë pasi bashkë më këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.

Ai tha në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara do të nxisin "të dyja qeveritë dhe udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi që të fillojnë të ecin përpara me krijimin e vendeve të punës.

Grenell tha se “Komuniteti i biznesit në Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti i biznesit në Europë duan të vijnë në këtë rajon. Por nuk mund ta bëjnë këtë nëse ka konflikt nga establishmenti politik. Ajo që po përpiqem të bëjë është të shohim përpara dhe të çojmë përpara një gamë projektesh dhe idesh”.

Presidenti Thaçi, falënderoi Grenell dhe presidentin Trump për marrëveshjen rreth linjës linjës ajrore Prishtinë – Beograd duke thënë se

"Mendoj që është diçka e re, ajo që të tjerët nuk kanë arritur ta bëjnë është duke e bërë ambasadori Grenell dhe administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli i SHBA-së në këtë proces është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kam besim të plotë se nën lidershipin e presidentit Trump do të arrijmë deri te marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, e kjo do t’i ndihmojë shumë zhvillimit ekonomik, progresit, paqes dhe stabilitetit".

Vizita e Grenell në Kosovë ndodhë në një periudhë kur vendi ende nuk ka një qeveri të re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit por ai tha se nuk do të përfshihet në debate politike.

Mandatin për themelimin e qeverisë e mori në fillim të javës kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, një parti politike që ishte kritike e rreptë e mënyrës se si janë zhvilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Këto bisedime janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb