I Dërguari Special i SHBA-së për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka reaguar mbi një postim në rrjetin social "X" për deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me administratën amerikane dhe mbështetjen për Kosovën.

"Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se administrata e dytë e Donald Trump është administrata amerikane më pro-Kosovë që nga koha e George Ë. Bush, kur Kosova shpalli pavarësinë. Osmani tha se administrata e Joe Biden kishte kërkuar vazhdimisht lëshime nga Kosova në bisedimet me Serbinë, ndërsa administrata e Trump mbështet sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial dhe anëtarësimin e saj në NATO pa kërkuar lëshime. Duke folur për takimin e saj me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, Osmani tha se ata diskutuan për krijimin e një plani konkret për njohjen e Kosovës nga vendet që ende nuk e njohin atë dhe ndihmën për Kosovën që të anëtarësohet në NATO Osmani gjithashtu e quajti pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes një arritje shumë të madhe, duke thënë se udhëheqës nga vende që nuk e njohin Kosovën i kanë thënë se tani mund të marrin në konsideratë njohjen e saj. Ajo shtoi se e gjithë kjo është arritur pa u shpenzuar asnjë para për lobim",- thuhet në postimin faqes @kos_data në "X".

Grenell ka akuzuar Osmanin se po gënjen dhe ka kritikuar qeverisjen aktuale në Kosovë.

“Ajo po gënjen. Ekipi Kurti/Osmani ka qenë një katastrofë dhe të gjithë po e shohim qartë këtë. Ajo do të thotë gjithçka për mbijetesën e saj politike”, ka shkruar Grenell.

Është e paqartë se për çfarë po përgenjeshtron Grenell-Osmanin dhe cila është arsyeja e këtij sulmi, por kujtojmë se në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes që u mbajt në Uashington më 19 shkurt, presidenti Donald Trump komplimentoi presidenten e Kosovës për lidershipin e saj. Gjithashtu, ai i tha se nëse Kosova do të ketë probleme me Serbinë "më telefonin".