TIRANE- Shoqëria "Rametal", e cila ka marrë bekimin e qeverisë që për vitin 2012, të importojë dhe riciklojë në vendin tonë 25 mijë ton alumin, zotërohet nga një afrikan. Ambientalistët janë kundër importit të mbetjeve dhe sipas tyre alumini është një ndër ndotësit më të mëdhenj që rrezikon shëndetin e popullatës.

Në regjistrat zyrtar të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, rezulton se firma "Rametal", që do të riciklojë alumin të importuar, është themeluar në vitin 2010 dhe ka si përfaqësues ligjor afrikanin Elman Abule, rezident në Belgjikë. Po sipas këtij regjistri, "Rametal" zotërohet në masën 50% të aksioneve nga "Mak-08" dhe në 50 % nga "FidAlba", shoqëri kjo që po sipas regjistrave të QKR-së, rezulton të jetë 100 % në pronësi të Elman Abule. Për ambientalistët në të vërtetë nuk ka rëndësi firma që i është dhënë leja për importin, por fakti që vitet e fundit janë hapur shumë shoqëri të tilla dhe ndotja që prodhohet nga riciklimi. Gjithashtu ata shohin një të ardhme të errët për shëndetin e shqiptarëve pas 10-20 vitesh, ku një pjesë e tyre do të jenë sëmurë nga ndotja e madhe a ajrit, ujit dhe tokës.

Lavdosh Ferruni, na shpjegon edhe se sa i dëmshëm është riciklimi i aluminit

Zoti Ferruni, dy ditë më parë qeveria dha dy leje importi, njëri për riciklim alumini dhe tjetra për riciklim plastike, çfarë do ndodhë me mbetjet në vendin tonë?
Me lejimin e importit, unë parashikoj një të ardhme të zymtë për ambientin në vendin tonë. Dy ditë më parë u dha leje që të futen në vendin tonë 30 mijë ton mbetje për t'u ricikluar, shtoju këtyre edhe mbeturinat që ne prodhojmë vetë, Shqipëria do të kthehet në një kazan të madh plehrash. Dhe në një të ardhme jo shumë të largët, pas 10 apo 20 vjetësh çdo gjë do të jetë e kontaminuar. Uji i ndotur, ajri i ndotur dhe njerëzit do të jenë të gjymtuar dhe sakatë. Kjo është e ardhmja që e shoh unë me miratimin e importin të plehrave.
Po shoqëritë që qeveria u dha lejen sa të besueshme janë?
Mua nuk më interesojnë shumë si shoqëri se cila janë, por më shqetëson fakti që së fundmi janë hapur shumë të tilla. Nuk e di kush i ka hapur dhe se di si guxojnë t'i hapin duke u bazuar te lënda e parë e importit. Një firmë tjetër në Xhafzotaj pret të marrë lejen për 25 mijë ton mbetje skrap të makinave të vjetra..

A prodhohet ndotje nga procesi i riciklimit?
Megjithëse këto janë në listën e gjelbërt, sërish prodhojnë ndotje. Edhe alumini që duket sikur nuk ka ndotje, në të vërtetë çliron ndotje në ajër, në grimca, në gaze helmuese, në furane, në dioksina, lëndë kancerogjene. Sigurisht që % e ndotjes së riciklimit është më e vogël se prodhimi i aluminit, por ama ndot dhe kjo ndotje na lihet neve këtu. Orientimi nga riciklimi i huaj bën që të shmanget edhe riciklimi vendas. Nuk e di nëse kjo ka lidhje me fushatën që ka ndërmarrë bashkia për largimin e romëve, ndoshta duan t'i sjellin nga importi.

A i kontrollojmë dot ne se çfarë mbetjesh futen?
Ne nuk kemi laborator për të kontrolluar llojin e mbetjeve, mbështetemi vetëm te deklarimi i kompanisë që eksporton. Pra gjithçka varet nga ndershmëria e atij që eksporton.

Po përse i sjellin në vendin tonë për riciklim? Nuk kanë vendet e BE-së kompani riciklimi?
Një kompani franceze, angleze apo italiane, që t'i sjellë dhe t'i riciklojë në Shqipëri, duhet të paguajë edhe koston e transportin, ndërkohë që ata kanë vetë plot kompani riciklimi. Ajo që është e kuptueshme, përfitimi në këtë rast qëndron te ndotja. Në Shqipëri nuk paguan për ndotjen, por kudo që do të jesh në çdo vend tjetër të Evropës do të paguash një më një për ndotjen.

Intervista e zotit Lavdosh Ferunit u publikua sot në gazetën "Shqiptarja.com"
(sg/shqiptarja.com)