TIRANË- Vendimi i kryeministrit Edi Rama për të dërguar për ‘riedukim’ gazetarin ka sjellë reagime nga shoqëria civile duke e konsideruar si një cenim të lirisë së medias dhe fjalës së lirë. Analisti Ilir Yzeiri thotë se e shikon si një përplasje normale dhe nuk mund të quhet shkelje e lirisë së medias.

I ftuar në Report TV, Yzeiri sjell shembullin e Donald Trump, i cili thotë se e ka quajtur CNN si një rrezik kombëtar për vendin dhe asnjë nuk e ka quajtur cenim të lirisë së medias. Analisti thotë se ka një perceptim për Ramën që është fyes e arrogant, por kjo sipas tij nuk tregon që po cenohet fjala e gazetarit.

“Më ashpër se Rama përgjigjet Trump i cili e ka quajtur CNN rrezik kombëtar për SHBA, por nuk thonë institucionet se rrezikohet liria e medias.Jemi nga vende që kemi akses pafund në internet, mund të futesh ku të duash. Ishim vendi me numrin e titujve më të mëdhenj në raport me popullsinë. Si iu rrezikonka liria e medias këtij vendi. Sjellja është edhe personale, kryeministri e mban vetë koston, siç e mori Trump, Macron që mund të kenë manifestuar sjellje jo të pëlqyeshme. Ka një perceptim negativ ndaj Ramës që është pak fyes, arrogant, që mund të ketë një kryeministër kjo s’mund të quhet shkelje e lirisë së mediat, Vikor Orban ka blerë të gjithë televizionet”, tha Yzeiri.

Në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, aktivisti Koloreto Cukali kundërshton analistin, pasi sipas tij ‘riedukimi’ i përdorur nga kryeministri Edi Rama është si në kohën e diktaturës. Cukali thotë se kjo është një shkelje e hapur e lirisë së medias.

“Kjo ngjarje është e përsëritur, Do filloja nga termi riedukim i diktaturës që dërgoheshin për riedukim, të çonin për të edukuar në mënyrë të dhunshme. Që në koncept termi riedukim, nuk e nderon një kryeministër. Besoj se është term i qëllimtë. Juve nuk vleni, nuk jeni askushi. Liria e opinionit është ndryshe nga liria e informimit. Konferencat janë të domosdoshme dhe duhen bërë pyetje shumë të forta. Në dijeni time një pjesë e atyre gazetarëve janë të zgjedhur me dorë që zgjidhen me dorë, ka edhe nga ata gazetarë që nuk u shkon festa. Dhe tek tuk qëllon ndonjë që bën pyetje dhe më pas përjashtohet. E konsideroj cenim të lirisë së medias”, tha Cukali.

Pak ditë më parë në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, gazetari pyeti këtë të fundit nëse e ka takuar bashkëshortin e saj, investitor strategjik, në prani të dy anëtarëve të administratës, siç e parashikon kodi i ri etik apo e ka thyer kodin e ri i cili parashikon sanksione deri në largim nga puna. Kjo për kreun e qeverisë u cilësua si shkelje etikës, dhe çoi gazetari për ‘3 muaj në riedukim’. Vendimi për pezullimin e gazetarit nga konferencat për tre muaj nuk u prit mirë nga aktivistët dhe të tjerë gazetarë të cilët një ditë më parë u ngritën në protestë.