Rigers Kaçorri, magjia e verës 
 trashëgohet tek pasardhësit

Rigers Kaçorri, magjia e verës <br /> trashëgohet tek pasardhësit
TIRANE- Të shijosh deri në pikë e fundit magjinë e verës është sikur të futesh nëpër labirinthet e historisë. Në këtë bisedë të gjatë me enologun më të ri të tregut shqiptar, shikojmë se pija më e dashur e të gjitha kohërave po mbizotëron edhe tregun shqiptar. Rigers Kaçorri, është pasardhësi i familjes Kaçorri, ku gjithë studimet e tij i ka përqëndruar vetëm në prodhimin dhe studimin mbi verën, traditë kjo e ndjekur më herët nga babai i tij. Në këtë rrëfim, enologu tregon se shqiptarët i janë rikthyer verës, duke ringjallur kështu traditën e dikurshme.

Jo vetëm në jug, por edhe në luginat malore sidomos ato të Bukmirës të cilat murgjit e manastireve katolike shijonin çdo pikë të verës së prodhuar nga këta troje, vazhdojnë ta ndjekin traditën e lashtë. Pavarësisht shkatërrimit që u bë në kohën post-komuniste, sot shumë sipërmarrës i kanë kthyer sytë nga kultivimi i vreshtave dhe pordhimit të verës, madje duke konkurruar edhe tregun europian, ku vera vlerësohet si art më vete.
 
Kantina “Arbëri” tashmë ka krijuar një traditë në vendin tonë(familjen Kaçorri). Cila është lidhja juaj me verën dhe sa ndikon kjo në familjen Kaçorri?
Kantina “Arbëri” është një iniciativë e babait tim prej vitit 98’-99’ ku nisi edhe ndërtimin dhe rikonstruktimin e disa magazinave që ishin në pronësi të familjes si dhe investimi disa vjeçar në vreshta që ishin në pronësi të familjes dhe të gjithë në zonën e Mirditës ku dhe në vitin 2003 lindi kantina “Arbëri”. Në atë kohë unë isha i vogël, gjithmonë në familjen tonë, por edhe në rrethin e Mirditës është pirë një gotë verë sepse Mirdita është toka e katedraleve ku në tavolinat tona vera ka qenë gjithmonë prezent. Mbaj mend, rreth viteve 95’-96’ kur isha i vogël bashkë me kushërinjt shkonim dhe merrnim rrushin në vreshtat e familjes dhe prodhonim verë në mënyrë shumë tradicionale.

Që në këtë moshë më lindi pasioni për verën, por gjithmonë e diktuar edhe nga babai. Një tjetër person i rëndësishëm i familjes sime, ishte gjyshja e cila me mënyrën e saj artizanale më mësonte se si mund të prodhohej verë. Me kalimin e kohës, babai filloj ndërtimin e kantinës dhe aty fillova të kuptoj që kjo iniciativë e tij po merrte përmasa të mëdha. Edhe në atë kohë mbaj mend vështirësitë e mëdha për të bërë realitet një ëndërr që babai dhe familja e kishin prej vitesh. Ne nuk kishim eksperiencën për të realizuar një gjë të tillë, por me punë dhe përkushtim arriti të ja dalë.

Fal një investimi arriti të siguroj të gjitha makineritë e duhura, duke i dhënë dalëngadalë jetë projektit. Eksperienca filloj të ndryshojë dhe familja investoi më shumë në vreshta dhe teknologji. Synimi kryesor ka qenë përpunimi i varieteteve autoktone shqiptare edhe pse kjo gjë në fillim dukej si e pamundur sepse varietetet tona nuk njiheshin në asnjë vend, por me degustimet e bëra brenda dhe jashtë Shqipërisë po shikonim që kishte shumë kërkesë për këto lloj verash dhe dyfishuam prodhimet. Në të njëjtën kohë arritëm të bëjmë edhe një bashkëpunim me zonën e Bukmirës ku është e vetmja zonë pas viteve 90’ që nuk u dëmtua dhe vreshtat e saj janë ndër më të vjetrat dhe më të punuar në vendin tonë.
 
Ju thatë që e keni të trashëguar nga familja, po profesionalisht ju keni studiuar për këtë gjë?
Duke parë investimet e familjes dhe përkushtimin në këtë punë, vendosa që pasionin që kisha ta shikoja edhe si profesion sepse në ditët e sotme është e vështirë të bësh një punë që e ke edhe pasion. Sigurisht, edhe këtë qëllim e realizova falë familjes. Pas mbarimit të gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë, vendosa të studioj në Itali në Universitetin e Bolonjës për degën ‘Enologi’ e cila është shkenca që merret me prodhimin e verës dhe të pijeve alkolike, por veçanërisht për verat. Fillimi ishte shumë i vështirë pasi po studioja një degë që nuk kisha shumë njohuri edhe pse lidhja ime me kantinën ishte e kahershme, përballja me eksperiencat italiane, franceze apo spanjolle janë sfida për faktin se janë të vetmet shkolla që merren me këtë shkencë.

Pas shumë eksperiencash në Bolonja në të gjitha kantinat më të mëdha dhe më me emër në regjonin e Emilia-Romanjës, arrita të diplomohesha ndër 4 studentët e parë të grupit dhe për mua kjo gjë ishte shumë domethënëse sepse kisha miq studentë nga gjithë bota si; Kina, Argjentina, Kili, Franca, Spanja, Brazili, Afrika e Jugut e shumë vende të tjera ku prodhimi i verës ka shekuj që bëhet. Mbarova diplomën duke studiuar për 8 muaj varitetin ‘Kallmet’ ku dhe kjo ishte një sfidë për mua sepse të gjithë profesorët e mi nuk e njihnin si varitet dhe aq më tepër nuk mendonin që Shqipëria prodhon verë!

Pas një pune shumë të madhe arrita ti bind me argumenta dhe duke iu dërguar verën shqiptare të prodhuar nga familja, nuk e besonin që kjo verë prodhohej në vendin tonë. Kujtoj se, gjatë periudhës së studimeve në Bolonja, arrita të bëj eksperinca dhe të vizitoj të gjithë Italinë dhe të njoh zonat dhe regionet e kantinat më të mira Italiane dhe kjo më ka ndihmuar shumë. Pas përfundimit të Universitetit vendosa të specializohem në Universitetin e Firencës, gjithmonë për verat, por në këtë rast edhe të marr njohuri në anën organizative dhe anën e menaxhimit dhe marketingut të një kantine prodhuese.

Arrita të vizitoj komplet regonin e Toskanën dhe të bëj eksperienca dhe vizita të drejtuara nga Universiteti në kantinat më me emër si; Marchesi Mazzei, Antinori, Frescobaldi, Villa a Sesta, San Felica e shumë të tjera dhe në fund një eksperiencë prej më shumë se 5 muajsh tek kantina ‘IL BORRO’ pjesë e familjes së Salvatorre Ferragamo. Këto eksperienca për mua kanë një domethënie shumë të madhe.
 
Na rrëfeni pak anën profesionale të studimeve, pasi janë të paktë njohësit e verës në Shqipëri?
Përsa i përket anës profesionale, falenderoj dy miqtë e mi dhe të familjes sime; Luigi Costandini dhe Vicenzo Lucarini të cilët i kam njohur përpara se unë të studioja Enlogi në Itali, të cilët punojnë në studion më të madhe enilogjike italiane. Ata, kanë qenë dhe janë profesorët që më kanë mësuar të gjitha metodat dhe njohuritë në prodhimin e verës

dhe sidomos duke ndërthurur njohuritë e Universitetit bashkë me eksperiencën e tyre. Profesioni i Enologut është shumë delikat! Të bësh këtë profesion, duhet ta duash sepse të punosh me verën është njëlloj sikur ti japësh jetë diçkaje të gjallë që jeton. Personalisht, besoj se shqiptarët janë njohës të mirë të verës, por nuk kanë besim tek prodhimet vendase. Po të analizosh gjatë periudhës së tranzicionit, por edhe më herët, ky arsytim vjen si pasojë e prodhimeve të dobta që ka bërë shqipëria pas periudhës post-komuniste.

Sot, ka shumë kantina vere të cilat sjellin prodhim cilësor edhe për tregun ndërkombëtar. Për ta përmisuar situatën mbi prodhimin e verës në shqipëri mendoj se e parë nga ana profesionale, në radhë të parë duhet të ndërhyjmë në legjislacionet që kemi për të parë prespektivën e prodhimit të variteteve autoktone shqiptare dhe atyre ndërkombëtare sepse vërtet kemi zonat dhe varitete që mund të prodhojmë verë cilësore që mund të konkurrojmë edhe tregjet botërore.
 
A është vera kulturë në Shqipëri?
Pavarësisht zhgënjimit që shqiptarët kanë pasur për prodhimet shqiptare, ku nuk flasim vetëm për verën, por edhe prodhimet e tjera bujqësore, besoj se me investimet që prodhuesit kanë bërë në këtë 10 vjeçar, prodhimet vendase po konkurrojnë edhe tregun e huaj. Gëzohem kur shikoj që shqiptarët konsumojnë prodhimet vendase, por më vjen keq ku shumë të tjerë porosisin verën x apo y të një vendi tjetër. Jo çdo verë e huaj është e mirë, mjafton të jetë e huaj dhe është e mirë, ky përkufizim është i gabuar.

Duhet të kemi besim tek prodhimet shqiptare edhe pse ka pasur raste që nuk kemi ngelur të kënaqur, por duke i dhënë besim prodhuesit, nxisim edhe më shumë ekonominë tonë dhe prodhimet shqiptare. Këtu, një rol të rëndësishëm dhe promotor duhet të luaj edhe shteti, duke survejuar edhe prodhimet që vijnë nga jashtë. Kujtoj këtu, traditën e vjetër të rakisë. Me kalimin e viteve po shikoj se konsumimi i rakisë tashmë po zëvendësohet me verën, një ndryshim që mua si profesionist më gëzon sepse vera është  e vetmja pije me bazë alkoli që ndihmon organizmin tonë. Jashtë ekziston një shprehje që thotë “një gotë vere e mirë mbanë mjekun larg teje”, flasim gjithmonë për sasi brenda normës së lejuar, një gotë vere të bën mirë gjithmonë.
 
Sipas teje sa e njohin shqiptarët verën dhe a dinë të vlerësojnë shijen e saj?
Mendoj që shqiptarët e njohin verën edhe pse kjo pije është kaq e dashur dhe e mirë për shëndetin nuk është në nivelet e duhura të konsumit siç shohim në vendet europiane ose në ballkan që vera është një produkt që është prezent gjithmonë. Duhet të jemi realist që pas viteve 2000, konsumi i verës në Shqipëri është rritur shumë dhe këtë e kam nga statistikat e fundit, duke më kthyer besimin se po ringjallet sërish kultura e konsumit të verës. Kur deguston ose shijon një verë shqiptare apo të huaj, konsumatori shijon një varietet, zonë malore ose kondrinore, një metodë prodhimi pra, nuk pi vetëm verën.
 
Në krahasim me vendet europiane si Francë dhe Itali, Shqipëria nuk shquhet për një vend prodhues i verës. Mendoni se në këtë 10 vjeçar jemi orientuar drej prodhimit të verës dhe eksporitmit të saj jashtë vendit?
Italia dhe Franca, kanë gati 70% të prodhimit botëror të verës brez pas brezi. Është e vërtet që Shqipëria nuk shquhet si një vend prodhues i verës, por e kaluara ka ikur, ti kthehemi të tashmes dhe asaj që ne kemi aktualisht! Po mundohemi të rindërtojmë potencialet e një prodhimi vere të standarteve europiane. Besoj se gjatë dekadës së fundit, është bërë një punë shumë e mirë në këtë aspekt, ku janë rritur parcelat e prodhimit të rrushit dhe po prodhohet një verë e mirë për të gjitha tregjet ndërkombëtare. Një shembull konkret është vera “Arbër” e cila prej disa vitesh është prezent në Amerikë. Gjithashtu kemi disa kantina të tjera shqiptare që kanë depërtuar në tregun europian.
 
Si njihet një verë e mirë nga një enolog dhe a ndikon vendi ku prodhohet rrushi në cilësinë e verës?
Vendi ku prodhohet rrushi ndikon shumë në prodhimin e verës. Që të prodhosh një verë të mirë, duhet të kesh një rrush të mirë dhe shumë të shëndetshëm. Pra, duke punuar dhe ushqyer mirë vreshtin gjithë vitin, marrim një prodhim të mirë. Nuk duhet të harrojmë që çdo vit ka veçorinë e tij dhe çdo vit është i ndryshëm nga tjetri. Në qoftë se rrushi është i dëmtuar, enologu kur ta punojë në kantinë e ka shumë të vështirë të arrijë të bëjë një verë të mirë. Vendi ku prodhohet ndryshon nga vreshti në vresht dhe nga zona në zonë sepse kështu është përbërja e tokës. Në një vreshtë po të spostohemi 50 metra më lart shikojmë që përbërja e tokës ndryshon dhe kjo sjell një ndryshim të vogël edhe në cilësinë e rushit; ‘Vera e mirë vjen nga një rrush i mirë’.

kantina e veres











































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Moti për fundjavën, diell e vranësira, të dielën do pasohen me shi! Harta për çdo qytet

Moti për fundjavën, diell e vranësira, të dielën do pasohen me shi! Harta për çdo qytet