Rrjeti social kinez, Tik Tok u rihap në Shqipëri, me vendim të qeverisë, një vit pas bllokimit. Këshilli i Ministrave informoi se po punohet për filtra sigurie, ndërsa paralelisht u përballën në Gjykatën Kushtetuese me një padi që akuzon qeverinë se shkeli lirinë e shprehjes duke e mbyllur platformën marsin e vitit 2025.
Ministria e Arsimit informoi gjykatën se nuk ka marrëveshje me TikTok, por kompania ka marrë disa angazhime.
Gjyqtarja Marjana Semini: A jemi më të sigurt tani? A u vendosën filtra? Keni protokolle zyrtare me TikTok?
Herald Jonuzaj, përfaqësues i qeverisë: Kemi arritur dakordësi me TikTok për të vendosur filtrat.
Ministria e Arsimit, Erzen Tola: Platforma do të zhvillojë sensibilizim përmes një cikli videosh ndëgjegjësuese për kujdesin prindëror dhe rreziqet e përdorimit nga fëmijët. Me TikTok jemi dakordësuar për të vendosur filtra me fjalë kyçe në gjuhën shqipe. TikTok do të vendosë filtra me fjalë dhe shprehje në shqip për të mos u lejuar më për përdorim. Në platformë do të vendosen linja telefonike dhe e-maile të institucioneve tona ku çdo ankesë mund të vijë dhe TikTok t’i adresojë menjëherë. TikTok ka marrë përsipër të jetë në kontakt me ne.
Gjyqtarja Sonila Bejtja: Është me shkrim marrëveshja?
Herald Jonuzaj, përfaqësues i qeverisë: Ka një angazhim, por marrëveshje në kuptimin ligjor, nuk ka, nuk ka ekzistuar ky vullnet dhe duhen dy palë për të bërë një marrëveshje, por ata kanë marrë angazhim.
Gjyqtarja Sonila Bejtja: Po sikur filtrat të mos funksionojnë, do e bllokojmë prapë?
Ministria e Arsimit, përfaqësuesi Erzen Tola: Do ketë një event publik brenda muajit shkurt ku ata do të shpallin këto angazhime.
Herald Jonuzaj, përfaqësues i qeverisë: Nëse shohim që edhe në të ardhmen këto filtra nuk vendosen ose angazhimi nuk përmbahet, do të mblidhemi sërish për të vlerësuar masat.
Edhe pse mbyllja e platformës u njoftua nga kryeminsitri Edi Rama si një ndërhyrje pas vrasjes së 14-vjecarit Martin Cani pranë shkollës së tij, qeveria u tha gjyqtarëve, se ngjarja nuk lidhej drejtpërdrejtë me vendimin.
Gjyqtari Ilir Toska: Si i lidhni të miturit me TikTok dhe jo me platformat e tjera? Si provohet që lidhej vrasja e Martin Canit me masën?
Gjyqtarja Sonila Bejtja: S’mund të digjet i njomi me të thatin.
Herald Jonuzaj, Përfaqësuesi i qeverisë: Ne nuk e mbyllëm TikTok për shkak të ngjarjes së rëndë. Media tha që u vra për TikTok, nuk e kemi thënë këtë ne. Ne ndërhymë sepse AMA kishte ankesa për TikTok. Materialet fshiheshin, por nuk merreshin masa për të ardhmen. Mjeti i vetëm ishte mbyllja, për të garantuar fëmijët.
Qeveria kërkoi që të pushonte kontrolli kushtetues, as pasi TikTok u rihap. Por gjykata pranoi kërkesat e dy organizatave mediatike, AGSH dhe BIRN, që gjykimi të vazhdojë pasi ka interes publik. Konkluzionet përfundimtare do të jepen më 23 shkurt.
Reagimi i plotë i Kryeministrisë:
Agjencia për Media dhe Informim sqaron median dhe opinion publik në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave datë 03.02.2026 për heqjen e masave të përkohshme për ndalimin e aksesit në platformën online TikTok
Heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.
Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje e parandaluese, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe adresimit të shqetësimeve të evidentuara gjatë asaj periudhe. Ajo shërbeu edhe për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm. Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.
Ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.
Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online. Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online.
Kjo qasje e balancuar synon të garantojë lirinë e aksesit, duke vendosur njëkohësisht interesin e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve në qendër të politikave publike.

Komente













Lajm i madh
Përgjigju