Pas muajsh punimesh, dyert e shkollës “Lef Sallata” në Vlorë janë hapur sërish. Këtë herë me ambiente të reja, moderne dhe gati për 650 nxënës e mësues.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjete sociale. Sipas Ramës, projekti është realizuar nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë. Shkolla ofron kushte moderne mësimi, me hapësira të bollshme dhe ambiente të konceptuara sipas standardeve të mësimdhënies në epokën digjitale.
Në postimin e tij, kryeministri thekson se godina e re nuk shërben vetëm për procesin mësimor, por edhe për sporte, arte dhe veprimtari të ndryshme kreative, duke krijuar një mjedis më frymëzues për nxënësit dhe mësuesit.
Postimi mbyllet me urimin që shkolla e re të shfrytëzohet sa më mirë dhe me suksese për të gjithë ata që do ta përdorin.
"Siç u premtua, u bë! Për 650 nxënësit dhe mësuesit e shkollës "Lef Sallata" në Vlorë kjo javë nisi bukur me një shkollë krejt të re, të rilindur përmes projektit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Vlorë duke siguruar kushte moderne me hapësira të bollshme, të konceptuara e të mobiluara në përputhje me standardet e mësimdhënies në epokën digjitale, por edhe frymëzuese për sporte, arte e plot veprimtari kreative.E gëzofshi shkollën e re dhe suksese" shkroi Rama në Facebook.
Rindërtimi i shkollës “Lef Sallata” është pjesë e projekteve të investimeve në arsimin parauniversitar, të zhvilluara nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me pushtetin vendor.

Komente












