Krijimi i një rrjeti kombëtar kinemash, ku të përfshihen të 12 bashkitë, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit edhe me komunitetet arbëreshe në Kalabri janë nisma e fundit e ndërmarrë nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në bashkëpunim me bashkitë e vendit.
I ftuar në “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv, kreu i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, sqaroi synimin e marrëveshjes së arritur me ministrinë dhe fillimisht me bashkitë Elbasan e Pogradec.
‘Siç e paralajmëruam pak ditë më parë programin e ri që Qendra e Kinematografisë në bashkëpunimin me ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve po ndërmerr, rijetëzimin e kinemave kombëtare, sot e konkretizuam me një marëveshje tri-palëshe mes nesh si Qendër, ministrisë dhe 2 prej bashkive të para, që është Bashkia e Pogradecit dhe Bashkia e Elbasanit”,- tha Jorgji.
“Sot u nis me 2 bashkitë e para që disponojnë salla kinemaje dhe salla arti, dhe ashtu do të vazhdojë në të gjitha bashkitë që disponojnë salla të tilla momentalisht, që janë diku më tepër se dhjetë në rang kombëtar, dhe njëkohësisht po punohet edhe për bashkitë që nuk i kanë sallat e kinameve ose salla kinoteatrosh, për t’i ngritur salla të tilla, ku ministria me bashkitë përkatëse në bashkëpunim edh eme partnerë ndërkombëtare do të punojnë për të ngritur këtë infrastrukturë që mbase nuk ekziston”,- shtoi ai.
Kreu i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë tha se marrëveshja e arritur me ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit parashikon edhe trajnimin e stafeve të bashkive të vendit për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e kinemave publike.
“Mund të them që Qendra e Kinematografisë merr përsipër të trajnojë stafet e këtyre bashkive, që të arrijnë të mbajnë një sallë kinemaje, dhe njëkohësisht Qendra e Kinematografisë i ushqen këto salla me një përmbajtje shqip, nga produksione shqiptare, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe e Malit të Zi, pra produkte shqipfolëse. Pse jo edhe me prodhime europiane. Një kinemaje kritiko-ekspresive, e cila nxit mesazhe të mëdhaja dhe e cila edukon shijet. Dhe në këto salla, ku ashtu siç thashë do ketë investim pak nga ministria, pa nga bashkia. Publiku i këtyre qyteteve do të shohë filmin shqip që realisht i ka munguar”,- tha Jonid Jorgji.
Komente










