Ulian Shpataraku, ish-zyrtar policie që u arrestua teksa shoqëronte biznesmenin Ergys Agasi, është transferuar në qelitë e paraburgimit në Peqin. Shpataraku ishte në timonin e një makine Audi RS 6, me vlerë rreth 100 mijë euro, kur u arrestua nga forca të shumta në zonën e Plepave në Durrës, më 26 gusht.
Në vendin e parë të pasagjerit, u gjend i shumëkërkuari i SPAK, Ergys Agasi, ndaj të cilit janë ngritur 7 akuza të rënda, përfshirë grup i strukturuar kriminal.
Gjykata e Posaçme, caktoi arrest me burg, për Shpatarakun, i konsideruar krahu i djathtë i ish-drejtuesit të policisë së Shtetit Ilir Proda. Sipas SPAK, Shpataraku ka përkrahur autorin e krimit të një vepre të lidhur me grup të strukturuar kriminal, që sipas nenit 302/2, dënohet nga dy deri në shtatë vjet burg.
Avokati i tij Elton Hyseni kërkoi moskompetencë nga SPAK, ose një masë më të butë sigurie, ndërsa klienti i tij Ulian Shpataraku para trupit gjykues nuk pranoi akuzën.
Shpataraku ka pasur poste të larta drejtuese, përfshirë zv/drejtor i policisë në Elbasan, por kur Proda u emërua e mori pranë vetes në Drejtorinë e Përgjithshme, edhe pse burime mediatike e identifikonin atë ende me ndikim në hije në drejtimin e policisë së Elbasanit.
Në Drejtorinë e Përgjithshme, Uljan Shpataraku ka mbajtur detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit. Por më 20 maj, kur në vend të Prodës u emërua Skënder Hita, ai firmosi përjashtimin e Shpatarakut nga radhët e bluve, me argumentin se nuk paraqitej në punë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento