Pas dy vitesh pa një mbledhje të përbashkët, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës po punojnë për të caktuar takimin e radhës. Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, tha për Report Tv se data mbetet për t’u vendosur dhe se kriza politike në Kosovë e kishte vështirësuar organizimin e mbledhjes. Sipas tij, qeveritë po shqyrtojnë edhe ecurinë e mbi 60 marrëveshjeve të nënshkruara, për të parë cilat janë zbatuar dhe ku ka vonesa.

“Ne kemi zhvilluar tetë mbledhje mes qeverive. Natyrisht që nuk ka pasur mbledhje në këto dy vitet e fundit, sepse në Kosovë ka pasur një proces zgjedhor. Ne po punojmë për të gjetur momentin e duhur për mbledhjen e radhës. Nuk mund t’ju them datën, por do të kemi një mbledhje të radhës, sepse marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë institucionalisht të konsoliduara dhe ndiqen në të gjitha nivelet, deri në nivelin më të lartë.

Ne kemi nënshkruar mbi 60 marrëveshje. Po analizojmë marrëveshjet që janë zbatuar, ato që janë në zbatim e sipër dhe ato që mund të kenë mbetur prapa, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të plotë se ku jemi, çfarë kemi bërë dhe çfarë kemi ende për të bërë.

Tani në Kosovë ka një qeveri që ka një mandat të qartë katërvjeçar. Ne nuk kemi absolutisht asnjë arsye për të mos vijuar këtë marrëdhënie të ngushtë, e cila nuk është ndërprerë asnjëherë, as gjatë këtyre dy viteve. Por nuk ka qenë e lehtë të organizohej një mbledhje mes qeverive, ndërkohë që Kosova ka qenë vazhdimisht në një proces zgjedhor dhe të formimit të institucioneve të reja. Tani situata na lejon të planifikojmë më mirë dhe më qartë se çfarë na duhet dhe çfarë do të bëjmë”, thekson Hoxha.


Lajmi kryesor:

Nga samiti i NATO-s te buxheti për diplomacinë e rruga drejt BE-së, ministri Ferit Hoxha intervistë në Report Tv