KORCE
Në Korçë, rreth 100 shqiptarë nga Maqedonia ndodhen të bllokuar në Qafën e Pestanit, pjesë e aksit Pogradec- Ohër, për shkak të reshjeve të borës. Shqiptarët kishin qenë turistë në Greqi dhe do të ktheheshin drejt Maqedonisë nëpërmjet pikës kufitare të Tushemishtit por reshjet e dendura të borës, sidomos nga toka maqedonase, i kanë detyruar të ndërpresin udhëtimin. Në këtë zonë trashësia e dëborës arrin në 35 cm, njofton oranews.
Drejtoria e Rrugëve ka marrë masa për të mbajtur të kalueshme akset nacionale, por reshjet e vazhdueshme bëjnë punën të vështirë. Policia i bën apel drejtuesve të mjeteve për të pasur kujdes dhe të përdorin zinxhirë sidomos në Qafë Thanë, Grabovicë. Raportohen për probleme dhe në akset drejt Dardhës e Voskopojës. Të bllokuara komunat Lekas dhe Mollas në Pogradec.
SHKODER- PUKE, KUKES, PESHKOPI
Në Shkodër situata e vështirë paraqitet në zonat e thella malore. Janë bllokuar akset që të cojnë drejt komunave të Dukagjinit dhe Vermoshit. Në Pukë aksi Qafë Mali- Qafë Shllak është i bllokuar për lëvizjen e automjeteve pasi sasia e dëborë këtu arrin në 35 cm.
Në Kukës reshjet e borës kanë ribllokuar komunat e thella malore,, atë të Grykë Cajës, Kalisit, Zapodit . Situatë e rënduar është në komunën e Shishtavecit, ku trashësia e dëborës arrin në mbi një metër, ndërsa erërat e fuqishme dhe ngricat kanë vështirësuar ndjeshëm rihapjen e aksit rrugor që lidh fshatin me pjesën tjetër të rrethit. Akset nacionale janë të kalueshme por këshillohet të bëhet kujdes dhe të përdoren zinxhirët.
Në Peshkopi reshjet kanë bllokuar rrugët Peshkopi-Kukës dhe Peshkopi-Librazhd. Janë të bllokuara komunat Arras, Zall Dardhë, Rec, Selishtë, Luzni, Kalaja e Dodës, Lura.
(sg/shqiptarja.com)











