Antonio Conte mund të marrë frymë lirisht pasi Chelsea i tij është rikthyer tek fitorja. Blutë e Londrës kanë fituar ndeshjen hapëse të javës së 9-të të Premier League ndaj Uatford 4-2 me përmbysje. Pedro kaloi Chelsea në avantazh me një supergol.

Spanjolli tundi rrjetën në minutën e 12-të me një supergjuajtje që përfundoi në rrjetë. Miqtë do të barazonin në minutën e fundit shtesë të pjesës së parë me Dukure dhe në barazim 1-1 do të mbyllej fraksioni i parë. Me fillimin e pjesës së dytë Uatford do të shënonte golin e avantazhit me Roberto Pereira .

Michy  Batshuaji i futur në pjesën e dytë nga Conte do të barazpeshonte gjithcka me një gjuajtje të bukur me kokë.Në minutat e fundit londinezët do të shënonin edhe dy herë për tu rikthyer tek tre pikët. Fillimisht Cesar Azpilikueta shënoi në të 87-tën për të kaluar vendasit në avantazh.

Më pas në fund të kohës shtesë Batshuaji do të shënonte edhe golin e dytë personal dhe do të vuloste rezultatin përfundimtar Chelsea 4 e Uatford 2.Chelsea ngjitet në kuotën e 16 pikëve në renditje duke siguruar fitoren e pestë.

Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com