Muajin e kaluar, Sali Berisha, ndërmori dy lëvizje me karakter politik, si revokim të ngjarjeve të viteve ’97-’98. Lideri i demokratëve dha kushtrimin nga salla e parlamentit për rrëmbimin e armëve kundër qeverisë, ndërsa disa ditë më pas, kërcënoi se mund të merrte pushtetin me dhunë me 5 mijë vetë, duke shtuar se, grushti i shtetit i 14 Shtatorit të ’98 do t’i dukej lule Edi Ramës. As orakujt më të çmendur nuk mund ta parashikonin se, vetëm disa javë më pas, do të kishim vërtetë një rikthim të pjesshëm të viteve ’97-’98, tashmë jo më për fatin e Shqipërinë, por vetëm për Partinë Demokratike. Vitet e zeza ’97-’98 nuk janë shënjuar vetëm nga grushtet e shtetit dhe skenarët për të futur në luftë Veriun me Jugun, por mbahen mend edhe për izolimin e thellë ndërkombëtar të Partisë Demokratike, duke provokuar edhe fundin ciklit të saj politik. Asokohe, opozita dhe kryetari i saj, thuajse nuk njiheshin më nga ndërkombëtarët. Për disa vite, Sali Berishën jo vetëm nuk e priti askush jashtë Shqipërisë, por nuk pranohej më as në aktivitete të rëndomta në Tiranë. 18 vjet më vonë, nuk kemi gjakderdhje dhe rrëmbim armësh, sikundër mund të ëndërronte Berisha, por në horizont janë shfaqur konturet e izolimit të asaj kohe për Partinë Demokratike. Nëse 18 vjet më parë amerikanët nuk i njihnin Sali Berishës zgjedhjet e përdhunuara, nuk i njihnin pushtetin e marrë me dhunë si dhe e mënjanuan nga çdo aktivitet dhe axhendë për Shqipërinë, sot, amerikanët i akuzojnë publikisht Sali Berishën dhe Lulzim Bashën për bllokimin e Reformës në Drejtësi, duke iu kundërvënë vullnetit të ’99 për qind të shqiptarëve. Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar deputetët e PD se do të mbajnë përgjegjësi individuale, për votën kundër Reformës në Drejtësi, duke i ftuar të distancohen nga dyshja Berisha-Basha. Për 18 muaji me radhë, Sali Berisha e tërhoqi Partinë Demokratike në hullinë anti-Perëndim, në një betejë për jetë a vdekje, për të mbrojtur arkitekturën e sistemit aktual të drejtësisë, me po ato gjyqtarë dhe prokurorë. I vetëdijshëm se betejën reale e kishte me SHBA-BE, Berisha luajti çdo gurë, për ta kthyer betejën me Edi Ramën dhe shumicën në pushtet. Por, përplasja e madhe me Perëndimin, ashtu si në vitet ’97-’98, duket se ishte e pashmangshme. Pas një sërë paralajmërimesh të ambasadorit amerikan në Tiranë, ishte Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ajo e cila i telefonoi Sali Berishës, duke çuar në një stad tjetër presionin amerikan, për votimin e Reformës në Drejtësi. Një telefonatë me nota të ashpra flitet se ka marrë edhe nga këshilltarja e kancelares Angela Merkel. Ndërkaq, përplasja e nëndheshme me SHBA-BE për të mbrojtur këtë sistem drejtësie shpërtheu dje në sipërfaqe, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, bashkuan qëndrimet kundër Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Dhe fillimi i izolimit ndërkombëtar të opozitës sapo ka nisur. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com