Blackout-i në sistemin e Self-Care apo Platforma Qendrore e Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara, krijoi jo pak probleme për mijëra biznese, duke u pamundësuar aksesin në faturat e fiskalizuara.

Edhe pse një biznes mund të lëshojë një faturë të fiskalizuar, ai nuk e kontrollon dot në sistem për gabime. Të vetepunësuarit që nuk kanë aplikacionin e fiskalizimit, përdorin platformën e Self-Care. Për pasojë nuk kanë patur asnjë mundësi të lëshojnë fatura të fiskalizuara. Kategoria e tretë e madhe e prekur bzineset e import-eksportit. Faturat e zhdoganimit të mallrave, po ashtu nuk u fiskalizuan në këtë periudhë.

Por tatimet thonë se prej ditës së djeshme 28 janar sistemi është kthyer në punë.

“Administrata Tatimore informon se problematika e konstatuar ditët e fundit në aksesimin e Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur, dhe se platforma prej pasdites së sotme, 28 janar, është në shërbim të plotë dhe funksionon normalisht”, thuhet në njoftimin e tatimeve.

Por bizneset po përballen përsëri me vështirësi. Sistemi është tepër i ngadaltë. Edhe pse mund të futen në platformë, nuk bëjnë dot veprime.

“Sapo hyn në platformë, kur kërkon të kryesh veprime bllokohet. Del mesazhi "gabim- kontakto administratorin", thotë kontabilisti Sotiraq Dhamo.

Një tjetër shqetësim është edhe fakti që shumë të dhëna nuk janë të disponueshme, duke ngritur edhe dyshime që mund të jenë fshirë.

"Janë fshirë shumë të dhëna. Deri në çfarë mase janë fshirë nuk mund ta vlerësojmë dot fiks por ka mungesa të thella në sistem”, thanë për Report TV, nga shoqata e Profesionistëve të Lirë.

“Kam aplikuar ditën e enjte për 3 NIPT-e, si person fizik. Të premten u aprovuan, hyra në e-albania dhe pashë NIPT-in. Kur të hënën doja të bëja regjistrimin e biznesit, NIPT-i dhe çështja, nuk dilte gjëkundi, ndërkohë tatimet sollën pasuordin në emal”, thotë kontabilistja Etleva Treska.

Një nga problemet kryesore lidhet me pamundësinë për të mbyllur bilancet financiare të vitit 2025, pasi faturat nuk shfaqen në sistemin “Self Care”.

“Problemi është që kur futesh në sistem nuk ke të ruajtura të dhënat e tjera të 2025-ës, që na vështirëson gjithë procesin e dorëzimit të bilanceve të biznesit”, thotë një tjetër kontabilist.

Përtej këtyre shqetësimeve Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nuk jep informacion nëse të dhënat e bizneseve janë fshirë apo nëse do të ketë rikuperim të tyre, por vijon me ofrimin e disa zgjidhjeve alternative kur hasen vështirësi në fiskalizimin e faturave.

Për 139 mijë tatimpagues që lëshojnë fatura përmes softëare-ve thonë tatimet duhet të vazhdojnë të lëshohen fatura edhe pse Self-Care nuk punon pasi kur ajo kthehet në punë mund të fiskalizohen fatura.

Për të vetëpunësuarit, që janë 3 mijë në total, kur kanë probleme me platformën duhet të blejnë softëare ose t’i drejtohen me kërkesë Drejtorisë Rajonale Tatimore për t’u pajisur me bllokun e veçantë të faturave.

Kurse në rastin e zhdoganimit të mallrave në njoftim theksohet edhe një herë afati 7- ditor për kryerjen e fiskalizimit, por kur ky afat nuk respektohet për shkak të vështirësive që mund të krijohen gjatë aksesimit të Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara, do të merret në konsideratë rast pas rasti.

Si u trajtua ky problem nga autoritetet?

Defekti nisi më 20 janar. Prej asaj dite tatimet janë shprehur se “AKSHI është duke punuar që ta kthejë në funksion të plotë”.

Më 26 janar Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ilir Binaj tha në një konferencë se faturat mund të ngarkohen në një moment të dytë.

“Patjetër që në punën tonë ka edhe momente që sistemet mund të krijojnë probleme dhe ato adresohen nga strukturat tona të IT me përgjegjësi maksimale. Bizneset kanë mundësi që të dhënat që ato nuk janë në gjendje ti raportojnë në sistemin tonë ti transmetojnë në një kohë të dytë”, tha Binaj.

Kurse më 27 janar nga seanca plenare Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj tha se defekti ishte prej energjisë elektrike, dhe se bizneset nuk ishin dëmtuar.

“Është e vërtetë që para disa ditësh ka pasur një problematikë në ofrimin e shërbimeve përsa i përket direktive të tatimeve. Ky disfunksionalitet ka ardhur si pasojë e disa ndërhyrjeve në rrjetin e energjisë elektrike, pra pa asnjë lidhje me sistemin e tatimeve, ndërkohë që disa biznese mbeten ende pa shërbim, është Përfitimet, i cili i ofron shërbim bizneseve të cilët deklarojnë një apo dy fatura nga muaj, dhe koha për të deklaruar është deri në datën 10 shkurt. Pra, asnjë disfunksionalitet në ofrimin e shërbimeve nuk ka ardhur”, tha Ibrahimaj.