Rikthehet në skenë
“Kontraversal”-i  i Gjergj Prevazit

Rikthehet në skenë<br />“Kontraversal”-i  i Gjergj Prevazit
TIRANE- Dansteatri me titull “Kontraversal” i Gjergj Prevazit ka shënuar sukses në publik gjatë shfaqjes së premierës në muajin shkurt të këtij viti. “Kontraversal” do të rikthehet sërish në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për t’u shfaqur në datat 21 e 22 mars, në orën 19:00. Koreografi Gjergj Prevazi e ka ngjitur në skenë premierën duke përzgjedhur muzikën e Eva Reiter – Alle Verbindungen Gelten Nur Jetz dhe balerinët Elton Cefa e Labinot Rexhepi.

Në “Kontraversal” dy kërcimtarët ndajnë bashkarisht çdo ditë të njëjtën hapësirë pune, jetojnë së bashku si shokë në të njëjtin apartament, hanë të njëjtin ushqim që e gatuajnë së bashku, kanë ide dhe qasje të përafërta për jetën, për shoqërinë, për femrat, etj. Ideja e kësaj koreografie në stilin dansteatër, inspirohet nga marrëdhëniet disi kontraverse mashkull-mashkull në traditën tonë shoqërore e sociale.

Kritiku Josif Papagjoni e ka vlerësuar premierën, duke u shprehur konkretisht se: “Te kjo performancë cilësore dhe elegante prej dy valltarëve, Elton Cefës dhe Labinot Rexhepit, unë pashë se si një miqësi shndërrohet në motiv e stimul jete, pune, arti, kërkimi, eksperimentimi.

Në artin e tyre duket se janë sa të pranishme po aq aktive e ndërvepruese edhe lëvizja e përpunuar koreografike, edhe plastika, edhe gjesti ekspresiv, edhe veprimi fizik, edhe hapi e ritmi muzikor, pra koreografia, por po ashtu edhe fjala, edhe rrëfimi, edhe imitimi, edhe pantomima, më gjerë personazhi si artist e artisti si personazh, pra aktrimi.
 
Koreografi Prevazi, duke iu refruar konceptit të shfaqjes shprehet se “Parë në këndvështrimin tradicional shqiptar të këtyre marrëdhënieve, si dhe reflektimin në realitetin e sotëm, kjo marrëdhënie vjen e përthyhet në përballjen me modernizimin gjithnjë e më tepër të jetës urbane, ndikimit të kulturave të tjera, etj.” Koreografi kujton një shprehje të Frojdit që ka thënë se “Aftësia për t’u kënaqur me këto përafërsime në vend të sigurisë, dhe aftësisë për të vazhduar punën konstruktive pavarësisht nga mungesa e konfirmimeve të fundme, janë në fakt tipare të prirjes shkencore të mendjes”.

Por koreografi ka zgjedhur një mënyrë tjetër, luan me ndjesitë dhe perceptimet për të provokuar audiencën. “Sigurisht kërkimi ynë artistik ka një qasje tjetër me atë të Frojdit. Përgjithësisht me mjete shprehëse të dansit, por edhe me ato të teatrit, fjalës e imazhit filmik, shfaqja do të ndertohet mbi principet e dramaturgjise së fragmentarizuar, me kalime situatash nga dramatike në komike, nga realiste në surealiste, nga ilustrative në ndjesore, duke mos pasur si qëllim tregimin e një historie konkrete, por përcjelljen e ideve dhe të një imazhi qe “provokon” audiencën duke e ftuar drejt një reflektimi intelektual, i cili jo detyrimisht ndodh gjatë kohëzgjatjes së performancës”, shtrehet koerografi, ndërsa në premierën e muajit shkurt ai ka prekur suksesin me interesin e publikut për këtë shfaqje.

Koreografi Gjergj Prevazi gjithmonë sjell në skenë vallëzime provokuese, që rrokin tema të mprehta sociale. “Megjithatë kjo s’do të thotë se tema të tilla të sigurojnë gjithmonë suksesin. Çelësi i një suksesi në skenë mbetet mirëfilli arti koreografik, muzika, interpretimi i balerinëve, pavarësisht temës që trajtohet” 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf