Rikthehet opera “Tosca”
me tenorin Agim Hushi

Rikthehet opera “Tosca”<br />me tenorin Agim Hushi
TIRANE- Opera “Tosca” do të rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, pasi u dha premierë në janar të po këtij viti. Megjithatë, nga TKOB njoftojnë se nuk do të mungojnë risitë e kësaj here. Rolin e Cavarados do ta këndojë tenori Agim Hushi, i cili rikthehet në këtë skenë pas 7 vitesh mungesë. Ai ka qenë i pari që e ka interpretuar këtë rol në TKOB e njëkohësisht e ka rolin më të arrirë në skenat botërore. Agim Hushi është aktualisht Shef i Departamentit të Operës në Konservatorin e Vjenës dhe konsiderohet si një prej eksperteve me  të mire të belkantos në Evropë.

Ai vazhdon te ushtroje aktivitetin e tij vokal në botë me një vitalitet dhe freski profesionale. Edhe pse mban shtetësinë australiane, Agim Hushi ne çdo moment ka mbajtur lidhjet me Shqipërinë. Nga viti 1991-1992 Agim Hushi u emërua ne TOB, ku punoi ne rolet kryesore në Toska , Cavalleria Rusticana dhe Il Trovatore. Me pas vazhdoi studimet e tij pasuniversitare në Akademinë e Muzikës Franz Liszt në Budapest, ku  paralelisht me studimet vokale , ai  specializohet  në pedagogjinë e të kënduarit.

Agim Hushi ishte artisti i parë shqiptar që i jepet një kontratë si solist në një opera kombëtare të huaj, në Operën Kombëtare Hungareze më 1993-shin, pas shembjes së komunizmit në Shqipëri. Deri ne vitin 1997 ai interpretoi rolet kryesore ne Manon Lescout, Turandot, Il Tabarro, Il Lombardi dhe Purgacov.

Me pas në vitin 1997 Agim Hushi ka ndjekur karrierën e tij në Australinë e largët, ku u ftua për të kënduar së pari, rolin e Des Grieux në Manon Lescout të Puçinit për Operën e  Australisë së Jugut në Adelaide, nën dirigjimin e maestros me famë legjendare Richard Bonynge, dirigjenti ekskluziv i Luciano Pavarotit dhe bashkëshort i legjendares Joan Sutherland, një nga mbështetëset me të mëdha të Hushit. Në shtypin e kohës maestro Bonynge u shpreh se: "Në tërë përvojën time të gjatë puna me Agim Hushin ka qenë një zbulim i mrekullueshëm dhe eksperienca me e bukur e jetës time. Agim Hushi dhe Laura Niculescu u cilësuan si çifti më i mirë në botë në operën Manon Lescout të Pucinit".

Bazuar në një sukses të tillë të madh, Agim Hushi u ftua për të kënduar për Operën Australiane, në Sidney Opera, ku debutimi i tij  u vlerësua nga kritikët si një zbulim dhe Hushi u krahasua me tenorin legjendar Beniamino Gigli. Agim Hushit iu dha brenda 9 muajve pasaporta australiane me motivin  “Talent Botëror” dhe debutimi i Hushit u quajt si më i suksesshmi ne kontinentin Australian prej 70 vitesh, që nga themelimi i Operës Australiane. Ne vitin 1999 Agim Hushi shkoi në Milano ku studioi repertorin operistik italian dhe teknikën vokale me tenorin e madh Franko Koreli, i cili gjithashtu u mrekullua me zërin e tij e shkroi: “Agim Hushi ka një zë të madh, të bukur, pasionant dhe e kënduara e tij me shpirt e bëjnë atë një tenor të madh, i cili meriton botën dhe një karrierë të madhe”.

Po ashtu në vitin 2000 Kryeministri i Australisë i akordoi Agim Hushit titullin më të lartë: Emerging Artist of the Year 2000, ku Hushi ishte një nga katër artistët më të spikatur të Kontinentit Australian. Hushi ka kënduar në Australi, Zelandën e Re,Kinë, SHBA, Malajzi, Singapor, Brunei, Dubai, Hungari, Gjermani, Rusi, Slloveni, Maqedoni, Kosovë, Kroaci, Çeki, Rumani, Bullgari, Francë, Greqi, Qipro, Danimarkë, Itali, Spanjë, Britani, Zvicër, Shqipëri dhe Austri. Ne operën shqiptare kontributi i Hushit ka qenë i madh, sidomos për realizimin e roleve kryesore të tenorit në premierat historike të TKOB; në operat Turandot si Calafi i parë shqiptar, Aida si Radamesi i parë shqiptar, si dhe role të tjera të spikatura si Manrico nga Opera Trovatore, Cavaradosi nga Toska e plot aktivitete të tjera solistike si recitale, koncerte dhe incizime.

Agim Hushi mban titujt e larte të Akorduar nga Presidenti i Republikës Mjeshtër i Madh, Nderi i Qytetit të Kavajës, si dhe titullin Profesor nga Universiteti i Qingdaos në Kinë. Rolet e tij më të mira në skenat e ndryshme botërore të operës janë Cavaradosi nga opera Tosca,Calaf nga Turandot, Des Grieux nga Manon Lescout, Radames nga Aida, Manrico, Luigi Il Tabarro, Canio nga Pagliaci dhe Turiddu nga Cavaleria Rusticana. Në tetor 2012 Agim Hushi regjistroi albumin e tij të parë solo Amore Grande me këngët më të famshme tenorit me New Europe Simfonik Orkestra. Kjo CD është konsideruar nga kritika dhe Deutche Gramaphone si një nga CD më të bukura të botës. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Qëlloi me shpullë të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato

Qëlloi me shpullë të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato