Elez Gjozaj është zgjedhur sot presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Ai fitoi në raundin e dytë me 10 vota kundrejt 6 të Eglantina Çunit, ndërkohë që të drejtë vote kishin 17 anëtarë, por Lushnja u përjashtua pasi u përfaqësua me kryetarin e bashkisë, në kundërshtim me statutin e federatës.

Gjithsej ishin katër kandidatë, por Flamur Isufi u dorëhoq pak para zgjedhjeve, duke u deklaruar hapur pro Elezit. Ndërkohë Everest Troka u eliminua në raundin e parë ku nuk mori asnjë votë.

Për Gjozajn kjo është hera e dytë si president, ndërsa të parën u largua për shkak se shumë peshëngritës rezultuan pozitiv në testet e dopingut. Pas zgjedhjes për 4 vitet e ardhshme Gjozaj u shpreh:

 “Unë falënderoj ata që më votuan, por edhe ata që nuk më zgjodhën, pasi të gjithë do të punojmë bashkë. Ne jemi një federatë elitare dhe më e mira në Shqipëri. Përsa i përket çështjes së dopingut do të mbajë marrëdhënie shumë të sakta dhe permanente me WADA dhe ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve. Unë kësaj radhe do vendos me vendim të kryesisë që sportisti që del pozitiv do të shkojë për ndjekje penale”, tha Gjoza. 

Zgjedhjet ishin parashikuar të zhvilloheshin me 14 nëntor, por dështuan për shkak se anëtarët kërkuan përfshirjen e Elez Gjozajn, i përjashtuar nga komisioni për pastërtinë e figurës. Për rrjedhojë u thirr asambleja e jashtëzakonshme e cila u mbajt sot më 26 dhjetor 2020.