Rikthimi i Iskra Thomait në atdhe, kritikja e parë grua në vitet ‘80-‘90

Rikthimi i Iskra Thomait në atdhe, kritikja e parë grua në vitet ‘80-‘90

Iskra Thoma

Kur bota e letërsisë dhe arteve në Shqipërinë e diktaturës gjatë viteve ‘80-’90, po nxirrte filizat e brishtë të modernitetit, do të luante rolin e saj edhe kritika letrare. Ajo nisi të shkëputej nga patetizmi ideologjik, për t’iu qasur më shumë vlerave të krijimtarisë, stilit, risive, figuracionit letrar.

Në këtë kohë të gjithë e mbajnë mend zërin e ri të kritikës letrare shqiptare, Iskra Thoma. Dhe për herë të parë, ndryshe nga tradita e shekullit të ’20-të shfaqej me plot autoritetin e saj, një grua.

Një grua që në sytë e njerëzve dukej sa dinjitoze, aq edhe misterioze, në ndërthurje me elegancën e saj, me flokët e drejta e të gjata si rrallëkush të derdhura pas shpine, dhe me një stil unik për kohën.

Iskra Thoma, në atë kohë kishte vendosur t’i futej një rruge të pashkelur të bërjes së kritikës letrare në Shqipëri. Këtë ia bënte të mundur në sinkron edhe shpërthimi i talenteve të reja në Letërsinë Shqipe, si Ndoc Gjetja, Preç Zogaj, Luljeta Lleshanaku, Hervin Hatibi, Mimoza Ahmeti,Petrit Ruka, Ilirjan Zhupa, Petro Mejdi, Lazër Stani, Arjan Leka, e shumë e shumë të tjerë. Por ndërsa strukturat e hierakive të letrave shqipe nisën të degradojnë menjëherë pas rënies së diktaturës; duke nisur që nga mbyllja e portave të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, tek degradimi i Kinostudios “Shqipëria e re” dhe deri tek gjiganti i botimeve të letërsisë shqipe dhe asaj botërore  “Naim Frashëri”, Iskra Thomait i duhej të gjente rrugë të reja për të shprehur talentin dhe dhuntitë e saj. Emigron si shumë shqiptarë pas viteve ’90 drejt shtetit fqinj, Italisë. Por, dhe atje nuk e ndali pasionin e saj, duke u marrë me përkthime autorësh të njohur, me kritikë, studime dhe krijimtari.

Këto ditë, Iskra Thoma është kthyer në atdhe. Këtë të hënë ajo promovoi librin "Jetë buzë detit" me novela, tregime dhe publicistikë ( shtëpia Botuese" Emal" Tiranë , 2019). Promovimi u mbajt tek Akademia e Shkencave, në Sallën e Bibliotekës.

Eli Kanina, u shpreh gjatë promovimit se Iskra Thoma është ndër kritiket e para gra për Letërsinë Shqipe ndër vite, duke theksuar se “Pas eksperiencës si kritike e redaktore për shumë vite të sa e sa librave e autorëve shqiptarë, Iskra Thoma vjen sot vetë në një rol të tillë, jo aq e pasigurtë, sesa e emocionuar. Jeta për shumë vite në Itali, e ka larguar disi nga aktivitetet dhe miqtë e librave, por jo nga librat. Ajo është po aq aktive dhe studiuese me librat në Modena të Italisë. Edhe pse pa botime, për një kohë të gjatë, ajo ka akumuluar kaq shumë sa dorëshkrimet e saj, që si perfeksioniste iu rikthehet disa herë duke i përpunuar, e ato tashmë janë pothuajse libra. Por Iskra pret kohën e duhur dhe nuk ka ambicien thjesht të jetë në treg, por të mbetet cilësisht në tregun e librit, me veprat e saj si autore, përkthyese dhe kritike e publiciste.”, tha Eli Kanina, duke shtuar se  “Gjithë kulturën e leximit dhe njohjes me letërsinë e huaj, Iskra na e përcjell së pari me librin e përkthyer prej saj nga italishtja "Trëndafili i dimrit", një përmbledhje tregimesh nga autorë si: L. Pirandello, Edmondo De Amicis, Diego Angelo, M. Colombo, G. Pascoli etj të cilët vijnë si një buqetë e mrekullueshme, bërë bashkë me fillin e kuq të Krishtlindjeve, temë që ceket pothuaj tek të gjitha rrëfimet me veçantinë e stilit të çdo autori.

Sipas Eli Kaninës, libri "Jetë buzë detit" është një pjesë letërsi (novela e tregime) dhe një pjesë publiçistikë, intervista, reportazhe, korrespodenca, etj. “Gjuha e saj e pasur, stili i kristaltë i rrëfimit, eksperienca dhe bagazhi i kulturës që bart, janë suksesi i penës për këtë libër, i bukur e tërheqës që në kopertinë.” , tha Kanina.
Ndërsa Pajtim Xhelo kujton rininë e Iskra Thomait, duke kujtuar sesi u rrit personaliteti i saj. “Në botë kanë qenë dhe janë të rralla prozatoret femra të suksesshme. Në Shqipëri pas viteve ’90, emrat e shkrimtareve femra kanë ardhur duke u shtuar, po, të them të drejtën asnjëra nuk ka arritur të ngjitet në piedestalin e "Artistes së Shpirtit e të Mendjes" si Iskra. Që në gjimnaz, kjo vajzë e thjeshtë në pamje, po e thellë në pjekurinë e mendimit, plym me dëshira të pashtershme për dije, që shkreptinin në sytë e saj të mëdhenj e në qëndrimin krenar e të sigurt, rrezatonte mirësi dhe kujdes e dashuri për të gjithë.
Me prirje të padiskutuara në letërsi dhe shkencat shoqërore, po edhe nxënëse e dhjetës në matematikë, ajo ishte gjithmonë dhe kudo më e mira.”, shprehet Pajtim Xhelo, duke folur më tej edhe për stilin e arrirë në librin “Jetë buzë detit”. Ndërsa Petro Mejdi duke kujtuar rolin e Iskra Thomait në krtikën letrare, shkruan ndër të tjera se “Në letërsinë shqiptare janë disa autorët që kanë ardhur në lëmin e kritikës letrare nga letërsia. Kështu kanë ardhur Razi Brahimi me Dalan Shapllon . Razi Brahimi u konfirmua si prozator me novelat dhe romanet, ( Kthesa të forta, Zgjimi i pranverës e tj.) fillimisht të botuara në revistën “Nëntori” dhe më vonë në libra të veçantë . Dalan Shapllo ka shkruar paralelisht dhe prozë dhe kritikë letrare. Janë të njohura për lexuesit dy librat e tij" Përtëritje" dhe " Kohë lufte" , novelë. Edhe shkrimtari Foto Malo krahas krijimtarisë është marrë dhe me kritikë letrare .Ka dhe shembuj të tjerë.

Iskra Thoma vjen me një libër me prozë pas botimit të librit me kritikë letrare “Individualitete dhe vepra letrare”, një botim i suksesshëm dhe që u prit shumë mirë nga lexuesit, studiuesit dhe kolegët kritikë letrar.

“Ky libër ka qenë për kohën libri i parë me kritikë letrare nga një grua. Pasi ke lexuar prozën e Iskra Thomait të vjen keq që autorja nuk ka botuar paralelisht me kritikën letrare dhe prozë.”, shprehet shkrimtari Petro Mejdi.

“Tregimet dhe novelat e këtij vëllimi kanë një tematikë të gjerë. Është në to jeta e një sistemi që nuk është më, me marrëdhëniet njerëzore të qëndrueshme dhe që karakterizohen më së shumti nga ngrohtësia dhe mirëbesimi, njerëz që sakrifikonin dhe që shqetësimin e tjetrit e përjetonin si të tyrin. Por nuk mungonin dhe të ligjtë e dinakët, interesaxhinjtë dhe ata që duke qenë pranë pushtetit ose të etur për pushtet ,të bënin gjëmën. Në disa nga prozat e vëllimit subjekti shtjellohet në formën e retrospektivës, fate dhe jetë që kanë nisur dikur në kushte të caktuara socialpolitike , që i kishin bërë llogaritë për jetën në kushtet e një sistemi që jetoi gjatë dhe tani, në kushtet e reja ,vihen në provë marrëdhëniet njerëzore , dalin në pah ato hijet e fshehura të ndërgjegjes dhe karakterit të njeriut i cili, në etjen për fitim, në e etjen për të ecur në jetë me forma jo të ligjshme , që braktisin dashuritë dhe detyrimet, që tjetërsohen si njerëz. Në këto proza, me një antitezë të fuqishme , autorja përshkruan këtë kategori njerëzish , ato janë dhe nga më të bukurat.”, shkruan Mejdi në analizën dedikuar libri më të ri të Iskra Thoma “Jetë buzë detit”.

“Iskra Thoma , si kritike letrare ka njohur mirë traditën shkrimore të prozës së shkurtër shqiptare dhe botërore. Proza e saj të ngazëllon me fuqinë shprehëse, me ekspresivietin e saj , me karakteret njerëzore që krijon , kur lexon prozat e Iskra Thomait ke përshtypjen se nga një dritare e hapur rrezet e diellit që hyjnë ndriçojnë atë që lexon, fashat e dritës të përfytyrojnë Kutelin e Koliqin, Mopasanin dhe Merimenë, dhe mjeshrat italianë të beletristikës. Nuk janë teprime këto që po them, Iskra Thoma ka shkruar një prozë që të bën për vete, që të emocionon, që të vë në mendime .”, thekson Mejdi.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë