Ministri Blendi Gonxhja njoftoi nisjen e projektit për rikualifikimin e Shpellës së Spilesë në Himarë, një hapësirë me vlera të veçanta natyrore dhe historike, e lidhur edhe me mitin e Ciklopit.

Projekti parashikon ndriçimin e brendshëm të shpellës dhe përmirësimin e zonës përreth, duke e kthyer atë në një pikë të rëndësishme turistike dhe publike për rivierën. Financimi sigurohet nga Banka Botërore në bashkëpunim me institucionet shqiptare.

Postimi i Blendi Gonxhes

Shpella e Spilesë në Himarë përfaqëson një nga hapësirat më të veçanta të bregdetit shqiptar, aty ku peizazhi natyror ndërthuret me historinë, legjendat dhe kujtesën kolektive. E lidhur shpesh me mitin e Ciklopit të përmendur nga Homer, kjo shpellë mbart një potencial të rëndësishëm kulturor dhe turistik për zonën. Përmes një ndërhyrjeje të kujdesshme, synohet mbrojtja dhe interpretimi i kësaj hapësire unike, duke krijuar mundësi që vizitorët ta përjetojnë dhe kuptojnë atë pa cenuar integritetin e saj natyror dhe historik. Ndriçimi i pjesës së brendshme do ta bëjë shpellën të dallueshme dhe të identifikueshme edhe gjatë orëve të natës, duke krijuar një eksperiencë të re për vizitorët dhe duke e kthyer atë në një pikë referimi të rivierës.

Një komponent i rëndësishëm i projektit është edhe rikualifikimi i hapësirës përpara shpellës, duke ia rikthyer këtë zonë qytetit si një hapësirë publike më funksionale, të aksesueshme dhe të integruar me vijën bregdetare. Kjo ndërhyrje krijon mundësinë për të ndërtuar një itinerar më të plotë turistik dhe kulturor për sitet e zonës së Himarës, duke lidhur trashëgiminë natyrore me atë kulturore dhe duke rritur atraktivitetin e destinacionit gjatë gjithë vitit. Projekti financohet nga Banka Botërore përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit në bashkëpunim me IKTK, me projektim nga Cultural Heritage ëithout Borders Albania dhe monitorim nga DRTK Vlorë.