Ata na dukeshin si etapa të kapërcyera, ndërkohë që lidhjet tona shpirtërore i kishim kryesisht me letërsinë bashkëkohore. Ka, megjithatë, dhe një shpjegim tjetër pse ai takim më ka kaluar pa lënë gjurmë. Atje ku punoja, kisha të bëja për ditë me disa nga personalitetet e letërsisë shqiptare të traditës. Dhe këta si duket më mjaftonin.
Në shtëpinë botuese atëherë redaktonim dhe përgatitnim për botim në radhë të parë vepra të letërsisë shqipe, por dhe nga letërsia e huaj. Dhe kjo bënte që të trokisnin në dyert e zyrave tona shkrimtarë të të gjithë brezave. Në mes tyre ishin dhe shkrimtarë të brezit të vjetër. Këta të fundit do të vinin, me sa mbaj mend, aty nga mbarimi i viteve 50. Më kujtohet mirë Milto Sotir Gura që solli një vëllim me tregime të shkruara në kohën e Rilindjes, apo Nexhat Hakiu me poezitë e tij. U dha atëherë orientimi që të botoheshin vepra të traditës mbi bazën e disa kritereve, dhe kështu ne botuam romanin “Sikur t’isha djalë” të H. Stërmillit, “Lirika” të L. Poradecit, “Trëndafila që s’çelin për ne” të Helenaut etj. Në këto rrethana erdhi në dyert e shtëpisë sonë botuese edhe poeti Ali Asllani.
E nëse nuk më kujtohet takimi i parë, nuk më kanë dalë nga mendja ardhjet e tij të herëpashershme në zyrat tona, që vazhduan për disa kohë. E kam parasysh si tani kur, pasi trokiste lehtë dera, shfaqej pamja e poetit plak, shtatmesatar, me trup të ronitur, por të drejtë, me një fytyrë të kuqërremtë, me ca sy të vegjël, por tepër të gjallë e të ëmbël. Ashtu i ndrojtur hiqte kapelën republike dhe na zgjaste dorën. Kishte në sjelljen e tij jo vetëm shumë mirësjellje, por dhe elegancë e delikatesë, që me kohë do ta kuptoja se kjo i vinte jo aq nga që kish qenë diplomat, se sa nga shpirti i artistit. “Jemi njerëz të bukurisë, or tungjatjeta”, do të më thoshte më vonë.
Ai kish një natyrë të afrueshme, pa kurrfarë sqime, një zë të butë dhe vështrim ngaherë dashamirës, gati prekës. Dinte të komunikonte me të gjithë, madje me ne të rinjtë ndjehej çuditërisht në mjedisin e tij. Më pas ai do të më thoshte se “Vërtet ju të rinjtë fitoni nga ne pleqtë, por ne të moshuarit fitojmë më shumë nga ju, fitojmë nga energjia dhe freskia e vërsës së re, nga risia e mendimeve dhe e sentimenteve. Në mes jush ne ndjehemi më të rinj dhe kjo është gjë e madhe, kur ke shumë mote mbi kurriz”.
Kuptohet se përse brenda një kohe relativisht të shkurtër u krijuan midis nesh raporte dashamirëse e komunikuese dhe kjo në radhë të parë falë poetit, i cili dinte të hynte natyrshëm në psikologjinë dhe interesat e ne të rinjve, që aspironim drejt dyerve të artit. Qenë këto raporte të ngrohta njerëzore, të cilat të bënin të harroje moshën dhe të mos kishe pothuaj asnjë kompleks, siç ndodhte jo rrallë me të tjerët.
Me Ali Asllanin zhdukeshin jo vetëm kufijtë e moshës, por edhe kufijtë mes jetës dhe artit, të cilat ai i bënte pjesë të njëra-tjetrës. Ai arrinte që me thjeshtësinë dhe konfidencën që krijonte, të mos ndjehej diferenca e brezave, madje të ndjeheshe i barabartë me të. Aq e vërtetë ishte kjo sa, në bisedë e sipër, pa kuptuar, e harroje distancën dhe i hapeshe vetiu. I rrëfeje gazet e dertet rinore dhe ai në ato çaste lumturohej dhe përsëriste, herë me zë e herë nën zë fjalët italisht “Amore e felicita”.
Një shprehje që sikur përbënte kodin e tij, kodin e rinisë së përjetshme, pas të cilit ai mbahej fort edhe në moshën e pleqërisë, sado që kjo mund të tingëllonte për ne të rinjtë si diçka në mes absurdit dhe utopisë. Por kishte raste kur ai guxonte të pyeste dhe për intimitete, ndonjëherë gati liçencioze. Dhe këtë e përligjte duke arsyetuar: “Mos ma vini veshin, se mua më ka dalë turpi, pyes pa teklif, me allallexhan, or tungjatjeta!”
Poeti vinte të trokiste në dyert e shtëpisë sonë botuese për të botuar një libër me vjersha, por botimi për të nuk ishte gjë e lehtë. Me gjithë dashamirësinë dhe gatishmërinë që tregonim ndaj poetit unë dhe Drago Siliqi, drejtori i shtëpisë botuese, botimi i një libri me vjersha të tij nuk varej vetëm prej nesh. Ndërhyrja dhe përçapjet tona pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, edhe pse atje Shefqet Musarai ishte një nga drejtuesit e saj dhe ndjekës i hershëm i poezisë së tij, nuk dhanë asnjë rezultat. “Biografia” e poetit, përbënte pengesën e vetme që ai të “rihynte” në letërsi dhe të shfaqej rishtazi para publikut.
Plaku i mirë ishte i ndërgjegjshëm për këtë gjë dhe, ashtu siç dinte të fliste ai, me një çiltërsi prekëse, na tha se kish qenë diplomat në Trieste, Sofje dhe Athinë deri në vitin 1932, pastaj kryetar bashkie në Vlorë dhe në fund, gjatë pushtimit italian anëtar i Këshillit të Shtetit. Por, ndërkaq, edhe pse këto i tregonte me druajtje, nuk rrinte pa folur dhe për disa merita të tij, kur na kujtonte se kish qenë njeri i afërt i Ismail Qemalit apo që në kohën e Luftës së Vlorës u qe kundërvënë pushtuesve italianë duke u bashkuar me kryengritësit. (Kështu kish lindur marshi i fitores, kënga “Vlora-Vlora”.) Madje shtonte me krenari se, kur qe vrarë Perlat Rexhepi në Shkodër, kish shkruar një vjershë për të.
Të qenit anëtar i Këshillit të Shtetit më 1942 nuk e kish penguar të shkruante dhe vjershën “Hakërrim” përmes së cilës stigmatizonte qeverinë kuislinge dhe klasën e korruptuar politike nën pushtimin fashist. Mbaj mend se dhe këto argumente nuk mjaftuan që t’i hapej drita jeshile vëllimit me vjersha, që poeti kish sjellë prej muajsh në redaksi. Atëherë nuk kish rrugë tjetër. Një ditë, kur erdhi në redaksi, i thashë miqësisht: “Dërgo një letër lart. Pa një miratim prej andej, nuk bëhet gjë”, dhe i përmenda disa raste. Poeti plak u mendua, vështroi nga dritarja dhe, duke më parë pastaj në sy, më tha shkurt: “Mirë, mor bir, u bëftë!”.
Nuk kaloi shumë kohë dhe një mëngjes më del përpara në rrugë, kur shkoja për në zyrë, dhe i ngazëlluar më thotë: “Doli për mirë ajo letër. I shkrova Hysni Kapos dhe m’u përgjigj pozitivisht. Ti rrofsh”. Dhe mori e më përqafoi. Më ka mbetur në mend fakti që ishte aq i gëzuar sa i gjithë trupi i dridhej nga emocioni. Më pas më treguan se mbi letrën e poetit Hysni Kapua kishte vënë shënimin “T’i plotësohen të dy kërkesat këngëtarit të Luftës së Vlorës”. Kërkesat e tij kishin qenë: t’i jepej e drejta e botimit dhe të bëhej anëtar i Klubit të Shkrimtarëve.
Kështu, në muajt e parë të vitit 1960 u botua përmbledhja “Vidi vidi, pëllumbeshë dhe Hanko Halla”, paraqitur dhe redaktuar nga kritiku Razi Brahimi. Libri u prit shumë mirë dhe kjo, veç të tjerash, dhe për arsyen se poezia e Ali Asllanit ishte një poezi krejt tjetër nga ajo që shkruhej e botohej asokohe. Poeti i Labërisë i preku lexuesit e brezit të ri me lirizmin dhe sinqeritetin e thellë të verbit të tij poetik. Në kopjen e librit që më dhuroi, më ka shkruar këto fjalë: “Të dashurit Nasho Jorgaqi, shkrimtar, të kam gjetur me pak poezi, me shumë dashuri” – Ali Asllani – Tiranë, 20 gusht 1960”. Pas botimit, poeti u bë i pranishëm edhe fizikisht në rrethet letrare. Filloi të hynte e të dilte lirisht në Klubin e Shkrimtarëve.
Do të vinte herë pas here nëpër mbledhjet e debatet që zhvilloheshin dhe, ajo që nuk më harrohet, xha Aliun do ta shikoje çdo ditë në sallën e Klubit duke pirë kafe ose me një gotë të vogël rakie a konjaku përpara. Zakonisht poeti nuk qëndronte aq në shoqëri me shokët e moshës së tij sesa me ne të rinjtë. Edhe ne të rinjve poeti na tërhiqte e na bënte për vete më shumë se me kulturën e gjerë, siç ndodhte, ta zëmë, me Lasgushin apo M. Kutelin, apo me mendimet e guximshme dhe elokuencën e fjalës, si me S. Luarasin, me natyrën e tij të butë e fjalën e ëmbël, me psikologjinë e hollë të artistit të vërtetë, me thjeshtësinë dhe humorin e këndshëm. Ai ishte burim i pashtershëm ngjarjesh nga jeta dhe historia shqiptare, një bashkëbisedues i shtruar e tepër i sinqertë. Ajo ç’ishte e veçantë qe afërsia, që dinte të krijonte në raste të caktuara dhe ti harroje që kishe të bëje me një njeri të shtyrë në moshë e të dukej sikur bisedoje me një mik të vërsës tënde.
Përpiqem tani pas pesëdhjetë e ca vitesh të sjell ndër mend disa nga momentet që më kanë mbetur prej sa e sa takimeve e bisedave të paharruara me poetin. Kujtoj që thoshte se vjershat e hershme i kish shkruar turqisht, kur ish student në Stamboll, dhe i kish botuar në revistat letrare të kryeqytetit të Perandorisë. Por, veç gëzimit të publikimit, kish ndjerë një boshllëk, se desh të komunikonte doemos me bashkatdhetarët e tij, nga që shpirti i këndonte këngë labe. Vetëm aty nga vitet 1913-14 shkroi vjershat e para shqip. Ishin dufet atdhetare të kohës. Këto arriti t’i botonte vetëm pas shumë viteve.
Të tjera shqetësime dhe interesa më të rëndësishme mbushnin asokohe jetën e poetit të ri. Ai kish kryer studimet e larta për shkencat politiko-shoqërore dhe administrata e re shqiptare kish nevojë për një kuadër të formuar, siç qe ai. Poeti e quante fat të madh dhe ndjehej tepër krenar që Ismail Qemali, duke çmuar vlerat e tij intelektuale e morale, e kish marrë pranë fill pas Shpalljes së Pavarësisë dhe e kish emëruar Sekretar të Presidencës së Këshillit të Ministrave. Një vit e pak që kish punuar me të, thosh se kish përfituar aq shumë nga patriotizmi i plakut të Vlorës, sa shqiptarizmin që i njihte vetes, ia detyronte në radhë të parë atij. Poeti kujtonte me dhembje momentin historik të ndarjes kur më 22 janar 1914 Ismail Qemali, nën presionin e reaksionit vendas dhe të huaj, i detyruar të largohej nga Shqipëria, kish thirrur Aliun dhe i kish diktuar deklaratën e dorëheqjes, që i drejtohej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, dhe lamtumirën popullit të tij.
Edhe më pas Ali Asllani nuk ish larguar nga administrata shqiptare. Lufta e Vlorës e kish zënë kryetar të bashkisë së qytetit. Për dhjetë vjet kish shërbyer në diplomaci si konsull dhe ministër fuqiplotë i Shqipërisë. Nga karriera e tij diplomatike i pëlqente të bisedonte për kohën kur shërbente në Athinë. Opinioni atje nuk e dinte se nën kostumin e diplomatit shqiptar fshihej poeti, kur një gjë e tillë nuk do të ndodhte në vitet 30 me konsullin grek në Korçë, poetin Jorgo Seferisin, nobelistin e ardhshëm. Opinioni e dinte se ç’përfaqësonte ai përtej të qënit konsull.
Diplomati shqiptar nga kjo pikëpamje do të qëndronte në hije. Por interesat e tij letrare do t’i mbante zgjuar. Kështu, ai do të më tregonte se si ishte njohur me poetin më të madh grek të kohës, Kostas Pallamasin. Falë atij ishte bërë e mundur dhe një vizitë e Gjergj Fishtës në Athinë, ku qenë takuar dhe dy poetët e mëdhenj. Ndërkaq lidhjet e Aliut me Pallamasin do të zgjeroheshin. Diplomati shqiptar do të takohej herë pas here me të. Do të shëtisnin tok e do të shkonin madje deri në Pire e Korinth. Këto takime ai do t’i kujtonte me mall, duke shtuar se kish përkthyer dhe vargje të poetit në shqip, të cilat ia lexonte autorit dhe atij i bëhej qejfi pa masë kur i dëgjonte në gjuhën e mikut. I vinte keq që dorëshkrimi i këtyre vjershave i kishte humbur.
Në Athinë, në shoqërinë e Pallamasit, ai kish pasur rast të takohej e të njihej dhe me shkrimtarin e madh indian Rabindranat Tagorën. Ishte kjo një ngjarje e rrallë, për të cilën poeti mburrej. Edhe prej tij kish përkthyer nja dy proza poetike që s’dinte se ku kishin përfunduar. Me Pallamasin do të ruante miqësinë deri në fund, aq sa dhe kur vdiq, në ditët e rënda të pushtimit fashist (1941) i dërgoi të afërmve të tij një telegram ngushëllimi.
Në kryeqytetin grek ai e kishte mbyllur karrierën diplomatike në kundërshtim me dëshirën e tij. Zogu e kish ngarkuar me detyrën që, si përfaqësues i shtetit shqiptar, të interesohej dhe të fillonte bisedime për fatin e pasurive të shqiptarëve, sidomos bejlerëve, në Greqi. Grekët, që e konsideronin këtë gjë një çështje tepër të ndjeshme, nuk jepeshin kollaj dhe përdornin të gjitha mënyrat për t’iu shmangur ose për ta shtyrë në një kohë të papërcaktuar.
Xha Aliu tregonte se me këtë çështje ishte marrë vetë kryeministri Venizellos. Madje ky e kishte pritur Ministrin fuqiplotë të Shqipërisë jo në selinë e tij zyrtare, por në mjediset e një anijeje ushtarake. Ishte një presion psikologjik që i bënte politikani dinak grek. Dhe fakti është se bisedimet nuk rrodhën në favorin tonë. Bejlerët u zemëruan aq shumë, sa ndërhynë te Zogu dhe mbreti nuk ia fali diplomatit të tij dështimin e bisedimeve. Ali Asllanin e kthyen urgjentisht, dhe pasi ndenji disa kohë pa punë, u zgjodh kryetar bashkie në Vlorë dhe qëndroi në këtë detyrë deri në pushtimin fashist.
Poeti e kujtonte këtë kohë jo pa keqardhje dhe shtonte se çdo e keqe ka dhe një të mirë. Me këto fjalë ai kish parasysh se, pas mbylljes së karrierës diplomatike, iu hap vetvetiu karriera, si të thuash, letrare, sepse pikërisht në fillim të viteve 30 emri i tij nisi të shfaqej në shtyp. Kështu, një herë më solli gazetën “Miku i popullit”, ku kish botuar vjershat “Vajza shqiptare” e “Dasma” dhe revistën “Minerva” me disa fragmente të poemës “Hanko Halla”. “Xha Ali, - e pyeta - ju kishit shumë kohë që shkruanit, po si shpjegohet që dolët para publikut kur po i afroheshit të pesëdhjetave?”
Ai tundi kokën dhe me një buzëqeshje të hidhur m’u përgjigj: “Sipas mentalitetit të kohës nuk ishte e hijshme që një funksionar i lartë të merrej me vjersha. Aq më tepër, të ishe poet e t’i këndoje dashurisë siç i këndoja unë. Eprorëve të mi, po dhe opinionit të qarqeve të larta, nuk para u pëlqente kjo gjë. Prandaj, unë për vite e vite shkruaja, si të thuash për vete dhe për një rreth të ngushtë miqsh, që ua lexoja me raste dhe i mbaja në sirtar”.
Në të vërtetë, para çlirimit poeti arriti të botojë veç librin “Mbreti ynë” (që se përmendte) dhe përmbledhjen “Hanko Halla”, ku, veç poemës, përfshiu dhe vjershat e gjata “Vajza shqiptare” dhe “Dasma”. Gjatë okupacionit fashist vërejmë një vërshim të poezisë së tij, sidomos në suplementin letrar “Tomorri i vogël”. Janë vjersha erotike, po nuk mungojnë dhe vjersha me frymë të fuqishme atdhetare. Një pjesë të këtyre të fundit i kish shkruar në vitet 20, por që, duke u botuar në kohën e rezistencës antifashiste, merrnin një tingëllim aktual patriotik. Poeti në ato vite, ndonëse ishte anëtar i Këshillit të Shtetit, një post gati formal, ndjehej i shqetësuar për fatin e rëndë të atdheut të robëruar.
Kush e njohu nga afër, s’kish si të mos e besonte kur ai rrëfente se pikërisht në këtë kohë kish shkruar vjersha kundër pushtuesve. Tek fliste për këtë gjë, të vështronte në sy. Vallë, a do ta besonim ne të rinjtë, që nuk mënonim të ishim skeptikë dhe me paragjykime ndaj të vjetërve? Ishte fjala kryesisht për vjershat “Perlat Rexhepi” dhe “Hakërrim”, dy krijime poetike tepër të ndjera, që mund të lindin në zemrën e poetit vetëm në atmosferën e pushtimit. Nuk do ta harroj kurrë shkëlqimin e syve të tij, që shkreptinin nga një ngazëllim i brendshëm, kur një ditë, tek rrinim në klubin e shkrimtarëve, i thashë: “Xha Ali, një poet që ka shkruar marshin “Vlora-Vlora”, s’kish si të mos shkruante këto dy vjersha. Ishin po ata breshkaxhinjë, që zotrote i njihje mirë si më 1920, ashtu dhe më 1940, apo jo?” Ai, në vend që të më përgjigjej, më vuri dorën në qafë.
Më kanë ngelur në kujtesë disa momente për të cilat ai më tregonte me emocion. Kështu, kish një peng të hershëm, që i kish mbetur gozhdë në zemër. Ky ishte udhëtimi deri në Stamboll tok me disa patriotë vlonjatë në vitet 20 për të marrë eshtrat e Naim Frashërit. Me gjithë përpjekjet e bëra, s’ia kishin dalë në krye misionit të marrë përsipër. Dhe qe dëshpëruar aq shumë sa nuk ish çmallur dot as me Stambollin, qytetin e rinisë së tij.
E kundërta kish ngjarë kur kish vajtur në Kalabri më 1918, i ftuar nga një mik arbëresh, dhe kish vizituar Maqin dhe Shën Mitrin, vendlindjen dhe kolegjin e De Radës. Duke vënë dorën në gjoks më thoshte: “Ja, këtu e kam, gjithë ç’ndjeva kur shkela në viset e tij. Një bukuri binjake si në anët tona. Po lëre pasandaj, or tungjatjeta, kur dëgjoja tek kuvendonin arbërisht. Më dukej sikur më fliste një mëmë e lashtë arbëreshe, që kohërat e vështira e kishin hedhur përtej detit, por gjuhën s’ia kishin prerë dot. Arbëreshi është rac’ e fortë”.
Kjo vizitë i shërbeu ta njihte më mirë poezinë e De Radës, e cila, sado e shkruar në një të folme shumë të hershme, i kish tingëlluar si muzikë. Ndjente frymën e shenjtë të artistit dhe shtonte: “Mbase këtë e kanë ndjerë dhe Lamartini e Hygoi, që e çmuan dhe e nderuan, kur u njohën me vargjet e tij”. Me këtë rast më tregoi që Ismail Qemali kish pasur njohje dhe miqësi me V. Hygoin dhe këtë ia kish treguar vetë ai, kur një mbrëmje shëtisnin buzë detit përtej Ujit të Ftohtë bashkë me L. Gurakuqin e L. Nosin.
Shoqërimi me Ali Asllanin, sado i çuditshëm që mund të duket, kish si bosht bisedat për dashurinë. Kryefjala e tij ishte gjithnjë shprehja “Amore e felicita”. Ai fliste për dashurinë me gjallëri e ngazëllim. Ishte ashik i saj, kish natyrën e zjarrtë të bejtexhinjve, përkushtimin e tyre pas asaj ndjenje, por jo se shkruante si të rinjtë. Sepse, kush i kish lexuar vjershat e tij, e dinte se dashuria ishte tema zotëruese, zemra e gjithë krijimtarisë së tij. Shpirti i digjej përjetësisht nga dashuria.
Gjithë kohën fliste për të, tregonte ngjarje, recitonte vargje, orvatej me takt të pyeste e të merrte vesh nga të fshehtat tona, kishte një kureshtje të përvojtur të mësonte diçka nga dashuria e brezit tonë. Në këto raste ai bëhej delikat, herë i menduar e herë shpërthente në dufe, por ngaherë dinjitoz. Gjithë kuptimi i jetës për të ishte dashuria. Jashtë saj, siç thosh ai vetë, vinte shkretëtira. Bukuria e gruas ishte mbi çdo gjë. Ishte Meka e poezisë, Meka e poetëve, pra, më e shenjta gjë e njeriut. Por ky përkushtim i xha Aliut, kjo lidhje e gjithëpushtetshme që ai kish me dashurinë e me bukurinë e gruas, shfaqej në rrethana të caktuara, në disa momente, të cilat vetëm poeti dinte t’i krijonte. Nuk mbaj mend asnjëherë që biseda për dashurinë e për bukurinë e gruas të banalizohej prej tij. Ai dinte ç’thoshte e ç’kërkonte. Ishte sa serioz aq dhe delikat, kur fliste për dashurinë.
Poeti e mbante veten për malësor dhe krenohej që vinte nga malet e Labërisë. Një herë më tha: “Ju fusharakët në dashuri jeni ca qaramanë. Ja, dëgjo këngët e fushës për dashurinë: “Ku më ishe, o shpirt’ o xhan / të prita mbrëmë në stan … aman, aman, aman!” Burri nuk duhet të qahet kurrë, - shtonte, - edhe në dashuri. Biles lipset të tregohet i ashpër. E di, zotrote, si i drejtohet labi të dashurës? “Ku më ishe, moj qen’ e qenit / Të prita te guri i lëmit / Më griu era e shkëmbit!”. Qëne e quan dhe i flet me një inat që rrëfen dashuri!”
Kur sjell ndërmend Ali Asllanin, gjithnjë më del para syve në Klubin e Shkrimtarëve, ulur në kolltuk me atë gotën e vogël përpara duke vështruar përkarshi nga binte dera. Klubi atëherë gjendej pranë Teatrit Popullor. Dhe kjo rrethanë qe fatlume për poetin. Aty vinin kohë pas kohe, sidomos paraditeve, aktoret e teatrit për të pirë kafe e për të pushuar në mes provave. Poeti picërronte sytë dhe mundohej t’i sodiste nga larg dhe nga afër.
Dhe ishte një ngazëllim i vërtetë për të, kur i ulej në tavolinë ndonjë nga aktoret që i pëlqente në mënyrë të veçantë. “Eja, më thoshte mua herë pas here, eja të gëzojmë shpirtin. Shih sa pranë e kemi bukurinë”. Dhe unë, që atëherë isha i ri dhe kisha më shumë shanse për t’m’u afruar ndonjë aktore e bukur, ulesha pranë xha Aliut. Atij i bëhej qejfi pa masë, se vërtetë në tavolinën tonë vinin e uleshin aktorë e aktore. Atëherë veçse ta shikoje fytyrën e poetit.
Sytë i shkreptinin. Binte gati në një farë ekstaze dhe pastaj shtonte në mënyrën e tij të çiltër “Se ju të rinjve këto guguftutë ju vijnë vetë, kurse ne pleqtë duhet t’i ndjellim duke i pëshpëritur “vidi, vidi pëllumbeshë”. Po vallë, a na dëgjojnë, se zëri ynë s’është më i pari?…”
Ali Asllani, një nga djemtë, Luanin, siç do të më tregonte, e kish shkrimtar, por e kish peng për dy arsye: Së pari, e kish larg, të mërguar prej kohësh në Kanada; së dyti, vërtet kishte arritur të bëhej shkrimtar, por ishte autor romanesh policeske, bile kishte fituar edhe çmime kombëtare. Të atit i vinte shumë mirë për këtë, por kish dëshirë të qe bërë poet dhe të këndonte si në anët e tij. Por ai shkruante në fakt në gjuhë të huaj!
Kujtimi i fundit që kam nga Ali Asllani është një poezi që ma dhuroi para se të zinte shtratin dhe m’u lut që një ditë ta botoja. Nuk e harroj atë takim, kur në një tavolinë të Klubit, tek rrinim përballë, ai ma recitoi më një zë të zvargur. Ishte amaneti i poetit në pak vargje. U drejtohej vajzave: “Gjithë jetën ju ndoqa pas dhe tani që po iki, më ndiqni ju”. Ky është kuptimi, me një thelb tepër njerëzor, pra, kulmi i sinqeritetit.
Poeti nuk dinte të shtirej e të pozonte. Ai i qëndronte deri në fund besnik vetes, natyrës së tij, shpirtit poetik që i jepte jetë dhe e mbante gjallë.
Dhe unë ia mbajta fjalën. Ia botova, por jo menjëherë pas vdekjes, se dikush e quajti tepër intime dhe mund të cenonte imazhin e autorit. Ajo u botua, më duket, në pesëvjetorin e vdekjes, në një cep të gazetës “Drita”.
Kënaqësia ime ishte e madhe jo vetëm se plotësova një amanet të poetit, por dhe sepse poezia u pëlqye si nga më të çiltrat e shkruara prej tij.
Në vitet që erdhën më pas mallin për poetin dhe mikun tim e kam nxjerrë duke lexuar herë pas here poezitë e tij. Dhe them se nga ato mijëra vargje që ai na ka lënë, nuk janë të pakta ato që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me të dhe përftojnë portretin e tij shpirtëror. Madje s’janë të rralla edhe vargjet që tingëllojnë gati si epitafe për veten. Kështu, duke qëmtuar nëpër lirikat e tij, do të pikasja një prej tyre, që ndoshta do t’i shkonte poetit, ashtu e skalitur te koka e gurtë , ku ai fle gjumin e përjetshëm:
Lërmë le , pse doemos
sot a nesër unë do sos,
do të bëhem fije bari
ose plis i një ugari
ose flet’ e një hardhie…
do më nduk një dhëmb dhie…
2
Po i kthehem rishtazi kujtimeve për poetin, po kësaj radhe do të përpiqem të sjell ndër mend e të lidh gjithë ç’më ka treguar për disa momente, që ndoqi krijimtaria e tij. Do të më thosh se ishte rritur në një mjedis fetar. Babai, Asllani, kish qenë teolog me arsim të lartë islam dhe pas vdekjes së tij për të qenë përkujdesur teologë të tjerë, të afërm e miq të të atit, prej të cilëve kish marrë mësime fetare në turqisht, persisht dhe arabisht. Pastaj në Vlorë, ku kish lindur dhe kish ndjekur shkollën e Muradies e qe shoqëruar me shokë të krishterë, kish mësuar dhe greqisht. Ai tregonte me të qeshur se, pasi kish shkruar në gjuhët orientale nga e djathta në të majtë, kish mësuar të shkruante pastaj nga e majta në të djathtë në gjuhën greke e më pas në atë latine. Dhe kjo s’ishte gjë e vogël për atë kohë.Me këtë adoleshenti lab kish kapërcyer gardhin e ngushtë të mjedisit dhe kish dalë në hapësira më të gjera, po të marrim parasysh se pak më vonë kish nisur të lexonte gazeta dhe libra shqip. Duke evokuar ato vite të largëta, ai do të më shpjegonte një ditë se, i gjendur në rrethana që s’i kish pasur në dorë, do të qe një prirje e brendshme ajo që e kish bërë të tërhiqej më shumë nga bukuria e këngëve popullore sesa nga mësimet fetare.
E kish tërhequr pa masë kënga labe aq e këndshme dhe e kultivuar në mjedisin e në fisin e tij, në Vajzë, në fshatin e prindërve, po akoma më tepër në Trevllazër, te njerëzit e nënës, ku qe rritur jetim. Një nga dajallarët e tij, Ahmet Memeni, rapsod me emër në gjithë Labërinë e Vlorës, kish ndikuar fort mbi të nipin, që kish një natyrë të ndjeshme e shpirt delikat. Aliu i vogël, para se të thurte vargje, do të mësonte të këndonte, duke iu bashkuar dajës, kur ia merrte këngëve labe nëpër odat e miqve.
Dhe vetëm pas kësaj djali i hajthëm i Asllan Sulejmanit nisi të shkruante vargje që, sado e çuditshme të duket, i thuri ato jo në gjuhën amtare, por në turqisht e sidomos në persisht. Dhe kjo ndodhi kur ishte nxënës në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Persishtja aso kohe mbahej dhe ishte në gjithë Orientin gjuha e poezisë. Edhe Naimi, siç dihet, librin e parë poetik “Ëndërrimet” e shkroi në këtë gjuhë.
Edhe Aliu kështu veproi, pa e ditur ndoshta se ç’kish ndodhur me poetin e madh. Por për herë të parë botoi vjersha në gjuhën turke në gazeta dhe revista të Stambollit e të Konjës së Anadollit. Po, kur ndjeu në shpirt frymën e lëvizjes kombëtare dhe u bë adhurues e ndjekës i Ismail Qemalit, aty nga vitet e fundit të “Zosimeas”, filloi të vargëzojë në gjuhën amtare. Ishin këto, siç kujtonte poeti , vjersha dashurie dhe trimërie, që ia këndonte shpirti. Sepse “nuk kishte si të ngjante ndryshe , or tungjatjeta, kur unë isha i gatuar me shqipen”. Ndaj në vitet që do të vinin, kur iu desh të jetonte e studionte në vise të huaja, kuvendonte në gjuhën e mëmës përmes vargjeve që thurte sa herë që e zinte malli për vendin e lindjes.
Në fakt, do të qenë ngjarjet që erdhën më pas, siç qenë shpallja e Hyrjetit, kongreset shqiptare e sidomos Shpallja e Pavarësisë që e bënë Ali Asllanin të angazhohej në lëvizjen kombëtare dhe t’i këndonte zemra për idealet e saj.
Dhe zemra tani e përngaherë do të këndonte vetëm shqip. Këtë do ta dëshmonte me vitin 1914, kur i internuar nga italianët në Itali do të shkruante mbi pesëdhjetë vjersha kryesisht me tema patriotike. Por nga bisedat e tij do të dëgjoja jo një herë se poet të “shqipes së zjarrtë që të lë pa mend, or tungjatjeta, më bëri Vlora”. Me këto fjalë kish parasysh ngjarjet e epopesë së saj në 1920, që i përjetoi si kurrë ndonjë ngjarje tjetër.
Ato do të qenë ditë e net plot emocione të papërsëritshme, të cilat poeti do t’i përndjente gati si në jerm. Do të ishte kjo atmosferë e ndezur, që e bëri të shkruante marshin “Vlora, Vlora, bjeri më t’u lumtë dora”, të cilin vërtet ia kërkoi shoqata patriotike “Përlindja e Shqipërisë” për himn të saj, por, në fakt, ziente brenda gjoksit të poetit. Kur kujtonte këtë moment, i rrëmbusheshin sytë dhe, sado që mundohej ta fshihte krenarinë, ajo ndihej nga zëri, nga sytë, nga fytyra. Ia njihte meritën e suksesit të madh të këngës muzikës së kompozitorit Thoma Nashi, që u ndodh ato ditë në Vlorë, i ardhur nga Amerika me Bandën e “Vatrës”.
Po, kur unë i thashë se “vargjet e zotërisë tënde, xha Ali, janë muzikë më vete, kanë ritëm kryengritës e fjalë barot dhe do të frymëzonin çdo kompozitor”, ai ma mori dorën e ma shtrëngoi fort. Pastaj do të më tregonte se kënga ish kënduar për herë të parë në mitingun e fitores në shtator të 1920-s, mbledhur në Sheshin e Flamurit, ku ai, si kryekatundar (kryetar i Bashkisë) i Vlorës kish mbajtur një fjalim përshëndetës, që ka mbetur i paharruar në kronikën e kohës. Fryma e epopesë së Vlorës do të bëhej verbi kryengritës i gjithë poezisë patriotike të Ali Asllanit në vitet e mëpasme. Ajo do të mbetej pjesë e pandarë e krijimtarisë së tij edhe kur poeti do t’i këndonte aq bukur dashurisë apo do të satirizonte e stigmatizonte të këqijat e botës shqiptare.
Pas tallazeve politike, që kulmuan me epopenë e Vlorës, po që u pasuan më vonë me luftë e grindje mes forcave të kundërta për pushtet, poeti, që punonte në fillim të viteve 20 si këshilltar e sekretar i përgjithshëm pranë Kryeministrisë, gjeti një rrugë për t’u shmangur nga kjo atmosferë mbytëse për natyrën e tij të ndjeshme. Kërkoi, siç më thoshte, të hynte në shërbimin diplomatik dhe nuk ia refuzuan. Ministër i Jashtëm asokohe do të ishte Fan Noli, i cili jo vetëm do ta mbështeste, por do ta mirëkuptonte e çmonte si zgjidhjen më të mirë për një poet. Do ta niste punën si Konsull në Trieste, ku do të qëndronte afro tre vjet.
Këtu do ta gjenin ngjarjet e 1924-ës, ardhja dhe rrëzimi i Nolit nga pushteti si dhe lëvizja anasjelltas e Zogut. Në janar të 1925-s pati bile dhe një telash, kur Noli, pas disfatës, zbriti në Itali dhe i lypi ndihmë poetit për t’i siguruar vizë atij dhe Luigj Gurakuqit. Ai nuk e refuzoi, përkundrazi pati guximin që të ndërhynte e t’ia siguronte. Ky gjest do t’i kushtonte përkohësisht, sepse do ta kthenin në Tiranë, por Zogu do ta falte poetin, duke e dërguar me detyrën e të Ngarkuarit me punë në Sofje, ku do të qëndronte gati pesë vjet. Në kryeqytetin bullgar ai do të gjente një mjedis të ngrohte e të qetë, i mirëpritur jo vetëm nga kolonia patriotike shqiptare, por dhe nga rrethet zyrtare e intelektuale.
Poeti do ta kujtonte atë kohë me nostalgji sa herë binte fjala, sepse, siç thoshte, gjeti vetveten, iu kthye frymëzimi dhe iu kushtua poezisë si asnjëherë më parë. Edhe pse në dhe të huaj, ai kish me vete botën shqiptare, njerëzit e saj, jetën dhe psikologjinë e tyre, zakonet dhe mentalitetet, të cilat herë pas here i faniteshin në distancë me një forcë joshëse e qartësi të habitshme. Ky, siç e shpjegonte ai, nuk është vetëm malli kur ndodhesh larg atdheut, por një gjendje e veçantë shpirtërore, një përjetim i thellë, që i zgjohet vetëm krijuesit, poetit. Atij i kishin mbetur në mendje ato ditë e net, kur i kish lindur ideja dhe kish nisur t’i përftohej imazhi i një vepre poetike, e cila jo vetëm do t’i kapërcente kufijtë e poezive lirike që kish shkruar deri atëherë, por do të përbënte një vepër të veçantë tregimtare në vargje të poezisë shqipe.
Kështu kish ardhur në jetën e tij “Hanko Halla”. I kish ardhur nga brenda dhe nga jashtë vetes, përmes kujtimeve dhe mendimeve, nostalgjisë dhe qesëndisë për njerëz e mjedise, të cilët i ndjente të afërt tani që detyra e kish hedhur larg tyre. Por ishte tamam kjo largësi, ai mjedis i huaj ku ndodhej, që do të ktheheshin në një sfond plot dritë, ku do të gjallonte e lëvizte Hanko Halla, heroina e tij.
Për afro tre vjet poeti do të jepte e merrte me të, do të dialogonte me veten, do të evokonte ngjarje dhe momente psikologjike, që zbërthenin karakterin dhe tipin e Hanko Hallës. Kësaj here do t’i linte mënjanë dufet lirike dhe do t’i kthehej humorit e satirës, talljes e qesëndisë për një realitet e mentalitet anakronik, që po perëndonte me vështirësi në shoqërinë shqiptare. Kur bisedonim për Hanko Hallën, poeti nuk do të mënonte të më thoshte se, ashtu siç e kish trajtuar atë, ai ish radhitur në krahun e progresit dhe kjo s’qe meritë e vogël, përderisa i qe kundërvënë e i kish shpallur luftë të vjetrës. “Je treguar dialektik”, i thosha unë, ndërsa ai më vështronte me njëfarë mosbesimi e ma kthente: “Atë nuk e di unë, e dini ju të sotmit”.
Poeti do të më tregonte se poemën e kish shkruar në Sofje më 1929 dhe i kish dhënë dorën e fundit nga fillimi i viteve 30 në Athinë. E kish mbajtur goxha nëpër duar, duke iu kthyer e rikthyer herë pas here. Asnjë vepër nuk i kish nxjerrë punë sa kjo poemë, jo aq nga përmasat, më e gjata që kish shkruar, sesa nga “tema e sëkëlldisur”, siç thoshte, që “hajt të të kuptonin drejtazi, or tungjatjeta!” Kjo ishte arsyeja pse nuk e dërgoi ta botonte në Shqipëri, por e çoi në shtypin e diasporës. E botoi në disa numra në maj të vitit 1932 tek gazeta “Kosova”, që nxirrte Gjergj Bubani në Kostancë.
Me këtë rast poeti, siç do ta pohonte dhe vetë, veproi diplomatikisht. Nuk i doli ballazi opinionit publik shqiptar, sidomos atij konservator, i cili në fakt nuk e mirëpriti. Madje dhe të rinjtë do të kërkonin që poeti të tregohej më radikal ndaj një bote e një klase që i kish ikur koha. Poeti i ri Shefqet Musaraj do t’i përgjigjej duke shkruar poemën “Bujku i Hanko Hallës” (Kushtuar zotit A.A.), një “polemikë” poetike dashamirëse, që u botua më 1935.
Në fakt “Hanko Halla” erdhi me vonesë në Shqipëri dhe u njoh në rrethe të ngushta, por dhe në këto rrethana ajo u çmua dhe u vlerësua lart. Poeti, ca nga modestia e ca nga pozita zyrtare që kish, nuk bëri ndonjë përpjekje të veçantë për ta botuar në atdhe. Vetëm pas dhjetë vjetësh (1942) ai arriti ta botojë në Tiranë libër më vete tok me dy poemat e tjera. Ajo njohu një ringjallje të vërtetë dhe pati jehonë të madhe, duke u cilësuar si vepra madhore e poetit dhe një nga faqet më të bukura të poezisë shqipe. Xha Aliu do ta përmendte këtë ngjarje, por me shumë kujdes, duke qenë se kish ndodhur në kohën e pushtimit.
Njëherë, kur bisedonim në Klubin e Shkrimtarëve, pasi kish kthyer gotën e dytë të konjakut, ai do të më tregonte se asokohe “ishte bërë sebep” “Hanko Halla”, ndoshta më shumë se veprat e tjera, që ai të zgjidhej anëtar i Institutit shqiptar të Studimeve. “Mblidheshim dhe ne poetët atëherë, - më tha. – Nuk kishim klub si ky ku jemi sot, por shkonim e vinim në shtëpitë e njëri-tjetrit dhe rastiste të lexonim ato që shkruanim. Unë jo një herë kisha thirrur sivëllezërit e mi të pendës dhe ua deklamoja Hankon. Ata më dëgjonin më vëmendje dhe herë-herë gajaseshin. Më vinte mirë, bile shumë mirë. Kjo do të thoshte se nuk më kish shkuar mundi kot”.
Por, sipas poetit, ato qenë kohë të vështira, me halle të mëdha për Shqipërinë. “Na kishin ardhur e na kishin zënë vendin sërish breshkaxhinjtë, - do të më thoshte, duke evokuar atë kohë të largët. – Unë kësaj here nuk isha kryekatundari i Vlorës, që tok me lebërit i kishin treguar grykën e pushkës, por anëtar i Këshillit të Shtetit, një farë senatori, që lëre mos e nga, sa për atë rrogë që na jepte xhymyrieti. Zotrote do të më pyesësh pse e pranova?
Unë do të përgjigjem: aman, të kam rixha, mos më zër ne vend të lik. Ishin kohëra shumë të ngatërruara. Çdo gjë që të të them, tani fjalët janë të tepërta. Një gjë është e vërtetë që do të ishte Nacional-Çlirimtarja ajo që na zgjoi nga gjumi ne që e hiqnim veten patriotë të vjetër. Mua më zgjoi e më ngriti në këmbë Perlati, djali i kushëririt tim Rexhep Sulejmanit. Gjaku i tij që derdhi atje në Shkodër ishte nga gjaku im. U trondita dhe i thirra mendjes.
Ai me shokët e tij po përsërisnin Vlorën e Njëzetës dhe unë kapardisesha në mes të Tiranës. I thirra mëndjes dhe u ngreç e vajta në Vlorë. Më kujtohet si tani, kur kalova nga Sheshi i Flamurit dhe pashë shtyllën e shtizës së Flamurit, që kisha projektuar vetë sa kohë isha kryetar bashkie. Më pikoi në zemër tek pashë varur atë makso flamur me shpatë të Liktorit. Pastaj se si m’u kujtua dita kur dolëm në skelë dhe pritëm trupin e Ismail Qemalit, që italianët e sollën me një fregatë ushtarake më 1919. Shkova unë, si kryetar i Bashkisë që isha, ta merrja në dorëzim arkivolin. Po ç’më panë sytë kur u gjenda përpara tyre dhe e hapën! E kishin mbuluar me flamurin italian. M’u err shikimi dhe gati sa nuk ulurrita. “Jo, - thashë, - babai i shtetit shqiptar nuk merret me këtë flamur, po me flamurin e tij, që ai vetë e ngriti”.
Dhe breshkaxhinjtë u detyruan atëherë ta heqin dhe ne e mbuluam pastaj me flamurin tonë. Kështu e zbritëm në breg, ku kish ardhur ta nderonte gjithë Vlora. Kjo ngjarje m’u faneps dhe atë ditë tek kaloja nga sheshi i flamurit. Nuk e desha veten. Nuk më nxinte Vlora. Aq sëkëlldi kisha, sa u hodha e shkova në Vajzë. Atje, nën malet e Gribës, për ditë e net me radhë, e burgosa veten në mes të katër mureve.
Ç’mund të bëja unë? Nuk kisha as versë e as takat, e akoma më shumë sy e faqe për të luftuar, mor bir. E vetmja gjë e shenjtë që kisha brenda vetes, qe dashuria për vatan dhe ai zemërim farmak ndaj atyre që na kishin zënë vatrat tona, vatrat shqiptare, për të cilat unë kisha kënduar, por që tani s’ishin më tonat. Për të gjitha këto mendohesha dhe vuaja ato ditë në Vajzë, ku kishim rrënjët e fisit tonë. Mendonesha dhe më hipte një tërbim për të gjithë ata miq e kolegë që duke i thënë armikut peqe, i kishin bërë varrin Shqipërisë dhe e kishin çuar kombin në greminë. Të tërë këta qenë maskarenj e zuzarë. Ishte koha e tyre dhe jo e imja.
Dhe shpërtheva nëpër vargje zemërimi e hakërrimi. Bile, nën këtë fjalë të fundit e titullova vjershën që më doli nga shpirti i lënduar. Ua këndova miqve të afërt dhe ata e pëlqyen. Pastaj dorazi e morën ata të Nacional-Çlirimtares, shokët e Perlatit, dhe e shtypnë si trakt ilegal, të cilën e kënduan partizanët e populli, pa ditur se kush e kish thurur. U preka pa masë se po kontribuoja dhe unë në luftën që kishte nisur me aq guxim djalëria shqiptare. Më pas shkrova dhe një vjershë drejtpërdrejt për vdekjen e Perlatit, ku pyesja Labërinë dhe Shqipërinë se ku ishte ai dhe ato më përgjigjeshin se “djep kishte Bunën dhe varr ka Rozafatin”. Kështu punët e mia, more bir, në ato kohëra të vështira. Kaq bëra, se kaq munda. Të mundja më shumë, s’e lija pa bërë! Fatin e Shqipërisë e kish marrë në dorë djalëria dhe ajo i doli për zot vatanit. I lumtë, që na zbardhi faqen!”
Gjithë këtë rrëfim, poeti do të ma bënte një pasdreke të vonë vere, në Klubin e Shkrimtarëve, ku pothuajse ishim vetëm. Kish në zërin e tij një lloj pezmi e një lloj pengu, por të përmbajtur dhe të shprehur përmes një qëndrimi dinjitoz. Ndihej në këtë rast burri, ndihej dhe poeti, shpirti i butë e delikat.
Pasoi një pauzë e gjatë, kur tek rrinim në heshtje, poeti futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe nga portofoli, me duart që i dridheshin, nxori një letër të palosur në katërsh dhe ma nderi: “Ja, - më tha, “Hakërrima” origjinale që shkrova atëherë. E ke dhe datën, dhe orën”.
U stepa për një çast, sepse nuk e prisja këtë gjest të poetit plak. Por ai, me sa duket, me këtë dëshmi donte të më bindte për antifashizmin e tij të dikurshëm.
3
Në bisedat e tij, Ali Asllani, për hir të së vërtetës, pak e rrallë do të fliste mbi problemet letrare. Ai nuk shquhej për erudicion, as për ndonjë përgatitje e kulturë të dalluar artistike. Mendimet e tij për letërsinë dhe artin në përgjithësi buronin kryesisht nga përvoja dhe intuita e një krijuesi tepër të ndjeshëm e të hollë. Nga ana tjetër, ai sikur druhej ose më mirë kishte frikë të hynte në problemet e letërsisë, në një kohë kur ato ishin bërë shumë të ngatërruara dhe qenë pleksur keq me politikën. Aq më tepër që ajo kohë nuk ishte koha e tij. Ç’kish për të thënë e ç’mendonte për artin, i kish shprehur e i shprehte në vargje dhe kjo mjaftonte.
Ai donte të këndonte dhe jo të predikonte, të jepte mësime e të bënte teorira. “Punë të diturish, o tungjatjeta” më tha një herë, kur në tavolinë u hap një bisedë për natyrën e poezisë dhe ai rrinte e dëgjonte. Vetëm, para se të ngriheshim, më kujtohen fjalët që shqiptoi gati me gjysmë zëri: “Vjershën nuk e bën metrika, por zemra”. Në takimin tjetër që pasoi, ai si pa kuptuar, do t’i kthehej bisedës së kaluar dhe do të më thoshte me një lloj intimiteti si miku mikut: “Jam i një mendjeje me ju që vjersha të ketë një detyrë shoqërore ose, si thonë të diturit e sotëm të artit, një funksion shoqëror. Këtë, të them të drejtën, më shumë se nga librat e kam mësuar nga jeta.
Pra, kështu e kam ndjerë, kështu e kam kuptuar dhe kështu e kam kënduar dhe shprehur. Është e vërtetë që arti duhet të ketë një ideal, jo ashtu kotnasikoti, tralala. Se dhe bilbilin që është shpend, e shtyn diçka, pa këndon. Ja, shiko dhe folklorin, asgjë nuk ka pa kuptim, pa një qëllim e pa një mendim me vlerë. Nuk besoj se gaboj po të them se detyra e poetit është të japë shpirtin e njeriut, një barrë kjo e rëndë që ta kapësh, ta nxjerrësh në dritë e ta thuash me fjalë. Dhe këto, të kenë një domethënie, të tingëllojnë bukur si muzikë. Pa këtë muzikë s’ka poezi. Edhe kur mendimi është i turbullt, por shpirti e ndjen, është muzika e fjalës së poetit.”
Xha Aliu e dinte që unë jepja leksionet e letërsisë së Pavarësisë në Universitet, po asnjëherë nuk më pyeti drejtpërdrejt nëse përmendej ose flitej për të dhe për poezinë e tij. Ç’është e vërteta, në vitet 50-60, ai akoma nuk ishte përfshirë në program. Kjo do të ndodhte më vonë, por unë do të flisja për të në panoramën e përgjithshme të poezisë shqipe midis dy luftërave. Dhe një ditë kur i thashë, u ngazëllua i tëri, më shtrëngoi dorën e pëshpëriti i mallëngjyer: “Paç uratën, mor bir” dhe si u mendua një hop shtoi: “Këngës së vërtetë nuk i duhet hyrë në hak”.
Pas këtij oguri të mirë që i dhashë, poeti u afrua më shumë me mua dhe një ditë, kur kishim dalë nga Klubi i Shkrimtarëve dhe po e përcillja, para se të ndaheshim, pasi ktheu kokën prapa, nxori një fletë gazetë nga xhepi dhe ma dha. “Këtu ke të shtypur ca mendime të mijat për vjershësinë, të dhëna në kohë të shkuara e të harruara. Lëçiti, se mbase të hyjnë në punë. Gazeta ku janë shtypur është e ligshtë, po mendimet e mia, them se jo. Të kam rixha, mbaro punë dhe ma kthe. Fute në xhep.”
Gjithë sa tha dhe si i tha, nga fjalët dhe toni i zërit, nga emocioni që e kish mbërthyer dhe vështrimi i shpërqendruar, sikur më zgjoi ndjesinë e një konspiracioni. Vetëm kur u ndamë dhe u gjenda vetëm, nxora nga xhepi atë që më kish dhënë dhe e vështrova ç’ishte. Ishte një fletë e gazetës “Tomori” e vitit 1942, ku qe botuar një intervistë e tij nën titullin “Flet Ali Asllani, rapsod i tokës dhe jetës shqiptare” marrë nga Stefan Morava, pseudonimi i kritikut letrar Stefan Shundi.
E lexova me një frymë sapo shkova në shtëpi dhe mbeta i befasuar. Pastaj iu ktheva rishtazi, kësaj here me laps në dorë. Mbaj mend që mbresa më e fortë që më la ishte fakti që, ndonëse kishin kaluar mbi dy dekada dhe kishin ndodhur përmbysje të mëdha, mendimet e poetit i kishin qëndruar kohës. Asgjë nga ato që kish thënë, nuk ishte zhvleftësuar. Kish disa të vërteta themelore për poezinë dhe artin në përgjithësi, të cilat ai i sillte nga përvoja e tij krijuese, që çuditërisht përkonin me mendimin letrar të kohës së re.
Rrethi i problematikës për të cilën shprehej poeti, kish të bënte me disa çështje themelore të misionit dhe funksionit shoqëror të artit. Ai thoshte : “Arti në shërbim të popullit, në shërbim t’atdheut. Vjersha duhet të thotë diçka, të ketë një ideal brenda saj… duhet të dalë nga shpirti i popullit, nga jeta e gjallë. Nuk e ndaj artin në aksioma, kur them këtë; temën më përpara nga të gjitha e ndjen vetë artisti, krijonjësi, por, në vend që të bëjë vetëm për veten e tij, këtë prekje artistike e shfaq dhe ndjenjat e tij i dorëzon në popull”.
Sipas tij, në qoftë se poeti shkruan për vete, atëherë t’i mbajë në sirtar të pabotuara, sepse “arti është art, kur është i zoti të na sjellë në botën e tij, kur na prek, por kjo nuk do të thotë të jetë i pakuptuarshëm ose i thellë dhe i errët me zor”. Bindja e poetit për një funksion shoqëror të artit, arrin deri atje sa të thotë që “Kemi nevojë për një gjuhë që të flasë si numrat (nënvizimi N.J.) në të gjithë njerëzit. Kemi nevojë për një art që të prekë të egrit dhe të qytetëruarit, të kulturuarit dhe injorantët”. Ai kërkon nga arti ideshmëri, qartësi e thjeshtësi dhe duke arsyetuar më tej shprehet: “Artistët e mëdhenj … janë të mërguar nga qielli këtu në tokë, janë dhuratë për gjithë botën. Arti i gjithë botës bashkohet në qëllimin e tij të shenjtë. Dhe që ta kuptojë populli artin, duhet që ky të jetë i thjeshtë…”
Për Ali Asllanin “arti del nga realiteti” dhe atë e bëjnë të tillë artistët, të cilët e kapërcejnë realitetin me frymën dhe intuitën e tyre, duke punuar lëndën e bukur të jetës, “që nuk e shquan dot një njeri i thjeshtë”.
Pyetjes se sa është në gjendje ta kuptojë populli i thjeshtë artin, poeti i përgjigjet duke arsyetuar se “Këtu nuk duhet të flasim për popullin analfabet ose për atë që s’ka hapur kurrë një libër në jetën e tij”. Ai nuk e banalizon funksionin shoqëror të artit, nuk është për një qytetërim të përciptë, por për një qytetërim të qenësishëm dhe të mirëqenë.
Mendimet për artin, për të bukurën, pra, për vlerat estetike në përgjithësi, të cilat i shpreh dhe i bart dhe poezia e tij, poeti i konkretizon me personazhe nga veprat e veta, si figura e Hanko Hallës, por akoma më shumë me atë të vajzës shqiptare, që përfaqëson idealin e bukurisë së vërtetë. Ai e veçon bukurinë e vajzës shqiptare si një vlerë që s’e gjejmë në popujt’ e tjerë, për “ndjenjat e thella tradicionale dhe për cilësitë e gjalla, larg çdo narcizizme evropjane”. Eshtë kjo arsyeja, siç pohon poeti në këngët e tij, që ai i këndon vajzës shqiptare, si dhurata më e madhe e vlerave estetike-shpirtërore kombëtare.
Në gjykimet e Ali Asllanit zënë vend dhe disa mendime për poezinë që lëvrojnë letrarët e rinj të kohës. Ai çmon dëshirën e zjarrtë të tyre për artin, por nuk pajtohet me faktin që një pjesë nga ata “zotrohet nga ndjenja shumë të sëmurta, nga një pesimizmë të pajustifikuar. Jo këto rënkime, këto vuajtje, që nuk mund të jenë veçse elemente të huaja nga rinia. Duhet të largohen, duhet një hov, një dionisiazmë, një gjallëri për të stolisur jetë. T’u qesh buza. Pastaj, do t’ishte më mirë që rinia të vazhdojë të shkruajë, por dhe më shumë të këndojë.”
Me gjithë qëndrimin kritik që mban ndaj kësaj dukurie në letrat e kohës, kjo nuk e pengon të tregohet optimist, kur thotë se “Këto janë një shpresë shumë e madhe për letërsinë tonë” dhe këtë e tregon fakti se “kanë një vepër që tani … të konsideruar”.
Në fund Ali Asllani flet për fushën e tij të krijimtarisë. Ai nuk ka shkruar kurrë prozë dhe ka dyzetë vjet që merret me poezi. Me këtë rast ai i bën vetes autoportretin me fjalët: “Poeti është si guri i strallit. Zjarri i tij nuk mbarohet kurrë. Poeti heq, rënkon, qesh, digjet e djeg, por zjarri i tija nuk mbaron”.
Isha aq i befasuar dhe i prekur nga mendimet e poetit, sa nuk prita takimin e rastit, por shkova posaçërisht në Klubin e Shkrimtarëve, në orën që ai dilte atje dhe e takova. Mezi e mbaja entuziazmin tim rinor, që ato ide, të cilat ai i kish shpalosur në intervistën e tij të hershme, qenë aq aktuale dhe i bënin nder poetit edhe në kohën që jetonim. Ishte kjo një gjë tepër e rëndësishme për rrethanat e atëhershme kur hijet e së kaluarës binin në një farë mënyre mbi të.
Kur u gjenda para tij, tek rrinte ulur në kolltuk, ngriti kokën dhe picërroi sytë. “E dija që më prisje”, i thashë sapo u ula. Ai s’ma ndante shikimin. Ishte sa i emocionuar, aq dhe kureshtar për gjykimin tim, pra për reagimin e brezit të ri, ndaj gjithë ç’kish thënë e shkruar ai në një kohë, kur prej atëherë kish rrjedhur aq ujë e kishin ndodhur aq përmbysje të mëdha. “Zotrote, sikur i ke shkruar sot”, i thashë sinqerisht. “Mos ia bëj qejfin plakut”, ma priti.
“Qejfin mund t’jua bëja në qoftë se do të ishte ndonjë poezi, po ato që më ke dhënë janë mendime racionale, të cilat s’kanë të bëjnë me ndjenjat, por me ide e gjykime, për të cilat unë jam i bindur se qëndrojnë sot e gjithë ditën”. Ai heshti dhe mori një pamje të përdëllyer, si të niste ritin e një faljeje. “Paç uratën, ç’të të them, unë i gjori, që më jep gaz në këtë vërsë, kur të mirat të vijnë rrallë e më rrallë”.
Ishte viti 1965, një mot para se poeti të ikte përgjithmonë.
Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)