Projekti, i cili u prezantua nga Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, është hartuar nga një studio gjermane dhe përfshin përveç rikonstruksionit të plotë të elementeve ekzistues të sheshit si infrastruktura dhe fasadat, edhe sjelljen e elementeve të reja si shatërvani, pista e patinazhit dhe një obelisk.
“Dua të falenderoj Kryeministrin për mundësinë që na dha duke e financuar këtë projekt. Është një projekt shumë i rëndësishëm, me vlerë financimi rreth 240 milionë lekë. Janë dy investime të rëndësishme që sëbashku me parkun janë 5 milionë dollarë, që janë financuar nga qeveria shqiptare. Investime që janë sa 5-fishi i atyre çfarë ne kemi marrë si qytet në 7 vitet e fundit. Sfida tani është zbatimi cilësor i projektit, çka besoj se do t’ia arrijmë,” – u shpreh Kryetari i Bashkisë.
Zëvendëskryeministri Peleshi u shpreh se me këtë rikonstruksion përmbyllet projekti i filluar prej disa vitesh, për modernizimin të qendrës së qytetit të Korçës.
“Me rikonstruksionin e sheshit të Teatrit shtohet pedonaliteti, pasi ky shesh do t’i bashkohet zonës së bukur pedonale të qytetit Korçës, hijeshohet qyteti, sepse zemra e qytetit, me komponentin e rikonstruksionit dhe restaurimin e fasadave, merr një vlerë të madhe. Edhe unë dua të falënderoj punën cilësore që ka bërë bashkia me këtë projekt, që e meritoi financimin,” – u shpreh zoti Peleshi, ndërsa theksoi se investimet që do të kryhen për transformimin urban të qyteteve të vendit janë të barabarta me investimet e 20 viteve të fundit.
“Ky nuk është projekti i vetëm as i bashkisë së Korçës, por edhe bashkia e Korçës nuk është e vetmja që po përfiton, po e them pa frikë, një bum investimesh, të barabartë me investimet e 20 viteve të fundit në këtë qytet dhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Janë më shumë se 70 qytete që në ditët në vazhdim, besoj, do të fillojnë punën dhe ne do të kemi kënaqësinë të jemi atje, Kryeministri gjithashtu. Është një program që në dy-tre vjet do të transformojë qytetet tona. Korça padyshim e meriton të jetë një pjesë e denjë dhe e qenësishme e bashkësisë së qyteteve kryesore të Shqipërisë, që janë duke prekur rilindjen urbane, me këto projekte,” – nënvizoi Zëvendëskryeministri.
Edhe Kryeministri Edi Rama theksoi se nga Korça nis një model i qëndrueshëm i një zhvillimi të qëndrueshëm urban për vendin, njëherësh edhe fillimi i mbajtjes së zotimit për rilindjen urbane të Shqipërisë.
“Jemi këtu për të ndjekur fillimin e një projekti të madh kombëtar, që shtrihet në rreth 70 zona urbane të vendit. Një projekt i dedikuar për komunitetet më të mëdha të vendit, që kanë qenë braktisura për një kohë shumë të gjatë dhe jemi këtu, po ashtu, për të nisur të mbajmë një nga zotimet tona të rëndësishme, se do të bëjmë për këto komunitete dhe zona urbane të vendit çfarë nuk është bërë 20 vjet me radhë. Duke nisur këtu në Korçë, një model të qëndrueshëm i një zhvillimi të qëndrueshëm urban, ku vetëm me financimet e këtij viti, ne praktikisht kapërcejmë financimet e një periudhe të gjatë, vitesh të tëra, ku ky qytet me një histori të bukur dhe me një trashëgimi të bukur u la tërësisht në harresë dhe mbijetoi vetëm falë fuqisë së idesë dhe këmbënguljes së kryetarit të bashkisë. Ne kemi vendosmërinë që brenda këtij mandati t’i sjellim qyteteve të vendit atë rilindje të madhe urbane, që u ka munguar për vite të tëra dhe t’i transformojmë këto sheshe të braktisura komuniste në sheshe të bashkëjetesës komunitare, në sheshe që i japin qyteteve tona atë sens bashkësie që kanë qytetet e Europës ku ne duam të integrohemi dhe në rrugë e në infrastrukturë urbane, që i jep qyteteve tona atë dritë të madhe shprese për të cilën kanë nevojë të stimulojnë më shumë punësim, të stimulojnë pjesëmarrje të rinisë në jetën e qytetit, të stimulojnë edhe më shumë qëndrimin e familjeve të reja në këto qytete që po plaken, ndër të tjera, edhe për shkak se për vite të tëra, qeveria e Tiranës nuk i ktheu sytë ndaj tyre seriozisht dhe u harrua duke thërrmuar dhe shpërndarë paratë në segmente rrugore, që sot ose janë fshirë nga faqja e dheut për shkak të cilësisë së punimeve, ose kanë shumë pak përdorim.”
Kryeministri Rama siguroi se ky investim është vetëm fillimi i një zinxhiri investimesh jo vetëm për Korçën, por për gjithë vendin.
“Nga ana tjetër, meqë jemi këtu në Korçë, unë dua ta theksoj dhe për mediat e këtushme, se ky është fillimi i një zinxhiri investimesh. Ne do të shohim nesër paradite, bashkë me ju, këtu, edhe projektin përfundimtar për transformimin e pazarit të vjetër të Korçës, ku unë ju siguroj se nga një ishull i rrënimit dhe i braktisjes, ne do ta bëjmë këtë zonë, një ishull të turizmit në gjithë rajonin këtu, duke pasur parasysh jo vetëm Korçën e Shqipërinë, por edhe vendet fqinje dhe të mos jetë vetëm festa e birrës, momenti kur dynden turistët në Korçë, por të jetë edhe një ishull i tillë që do t’i thërrasë turistët, gjatë gjithë periudhës së viti. Dhe këto që janë në dukje si ëndrra të bukura, shumë shpejt do të jenë realitete të bukura, të një transformimi të madh urban, që do të përfshijë Korçën dhe gjithë Shqipërinë,” – u shpreh Kryeministri.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)