Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orët e para të së shtunës pas sulmit të tretë brenda 72 orëve në veri të vendit. Më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan, ndodhi një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut të premten në mbrëmje 29 nëntor.
Pas mbledhjes Qeveria përmes një komunikate tha se indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës “është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist”.
Aty janë diskutuar masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmirren për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike. Ndërsa, masa shtesë janë ndërmarrë për të forcuar sigurinë rreth objekteve si në ura, trafostacione, antene, liqene e të tjera, ku do të aktivizohen Policia dhe FSK-ja. Në njoftim thuhet se kriminelët po dirigjohen nga Qeveria e Serbisë e po ushtrohen në Serbi për sulme të tilla.
Njoftimi i Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës mban mbledhje të jashtëzakonshme, 30 nentor 2024
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, me fillim në 01:30, nën udhëheqjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend. Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.
Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.
Kryeministri Kurti u shpreh: “Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik. Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha.”
Institucionet e Kosovës mbeten të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe për të siguruar që autorët e këtyre veprimeve të paligjshme të përballen me drejtësinë. Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe keqinterpretimeve të luftës hibride kundër shtetit dhe popullit tonë.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” bëri të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë.
Sulmet janë dënuar edhe nga SHBA-ja e BE-ja. Ndërkohë të martën granata dore ishin hedhur në oborrin e stacionit policor në Zveçan
Lajmi kryesor: