Prandaj mirënjohja dhe falenderimi im sëpari u takon atyre që duke votuar për opozitën i dhanë një mundësi edhe PD-së të lirohet nga sundimi antidemokratik me se dy dekadash i Berishës.
Fitorja shumë e thellë e koalicionit “Për Shqipërinë Europiane” është jo vetëm një shans I rrallë për Rilindjen e Shqipërisë nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, por edhe një mundësi që humbësi i Madh-Partia Demokratike e sundur nga klani i Sali Berishës, të reflektojë realisht, të Rilindë duke iu kthyer idealeve të pastra të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, prej së cilës ajo edhe lindi.
Kjo do ishte në të mirën e Shqipërisë, të vetë PD dhe të mazhorancës së re. Këtë besoj se do ta mirëprisnin të gjithë; edhe unë do ta përshëndesja e mbështesja me gjithë zemër, edhe si qytetar, por edhe si një ndër bashkethemeluesit e PD-së. Partia Demokratike duhet të ndahet nga ata, që në emër teë idealeve të lirisë dhe demokracisë sunduan e nuk qeverisën, u pasuruan në mënyrë marramendëse përmes korrupsionit dhe e zhytën Shqipërinë në borxhe të papërballueshme, pasi shitën edhe ajrin.
Se si mund të arrihet Rilindja e Partisë Demokratike, këtë më mirë se sa të gjithë ne të tjerët, pra edhe më mirë se unë, e dinë ish studentët e Dhjetorit ’90 që sollën pluralizmin politik në Shqipëri dhe që ishin nismëtarët dhe themeluesit idealistë e kurajozë të PD. Sot ai brez i të rinjve të dikurshëm është i përgatitur si duhet për të realizuar aksiomën, “Ta bëjmë Shqipërine si gjithë Europa”.
Në mënyre shumë të qartë dhe me vizion europian e perëndimor, platformën e Rilindjes së PD, me një dashuri dhe idealizëm të admirueshëm e ka shprehur Bardhyl Ukcamaj në artikullin “Për një Parti Demokratike post tranzicion”. Ky shkrim është botuar me 5 Korrik në gazetën TEMA, në gazetën Illyria (në Nju York),në Respublica, Zëri i Shqiptarëve, Revistën Drini etj, si edhe ka gjetur pasqyrim të gjerë online dhe ka ngjallur interes të madh edhe në rrjetet sociale. Kjo është platforma e vetme e botuar në shtyp deri më sot, ndonëse thjesht si një analizë e një niveli superior.
Unë ju bëj apel anëtarëve të Partisë Demokratike ta lexojnë me vëmendje dhe t’i përgjigjen me votën e tyre programit dhe zgjidhjeve që parashtron Bardhyl Ukcamaj, një ndër drejtuesit më aktiv të Lëvizjes Studentore, bashkëthemelues i PD dhe ish drejtues i Forumeve Rinore të saj, një nga intelektualët e mirëshkolluar në SHBA dhe i respektuar edhe nga diaspora shqiptaro-amerikane.
Rilindja e PD nuk mund të bëhet duke u drejtuar me prapaskena nga Sali Berisha, as duke u përlotur për “dorëheqjen” e ish sundimtarit të saj, as duke u përbetuar për besnikërinë ndaj tij dhe për vazhdimësinë në rrugën e tij. Demokratët duhet të çlirohen nga përulësia tepër e padenjë ndaj unit dhe mitit për Berishën. Partia demokratike është themeluar dhe duhet të rikthehet në parti të njerëzve të lirë. Rilindja e PD nuk mund të bëhet duke “zgjedhur” me nxitim pasardhësin e emëruar nga Berisha, që do ishte thjeshtë maska e tij.
Anëtarësia e Partisë Demokratike do t’i bënte nder vetes dhe Shqipërisë nëse me vullnetin e saj të lirë do të zgjedhë kryetar të PD-se një ndër anëtarët e ndershëm, intelektual e me vizion perëndimor dhe që nuk ka asnjë lidhje me klanin e inkriminuar të qeverisjes së PD. Në Partinë Demokratike ka jo pak individë të tillë brenda dhe jashtë vendit ndër të cilët do të veçoja z. Bardhyl Ukcamaj.
Kandidatë të tillë do jepnin shpresa për Rilindjen, rritjen e forcimin e PD; për ta rikthyer PD tek idealet e pastra të Dhjetorit 1990; për ta bërë PD një konkuruese konstruktive e plot shpresa në zgjedhjet e tjera. Jo vetëm për të fituar zgjedhjet, por më e rëndësishme për të kontribuar në ndërtimin e një Shqipërie Europiane, një Shqipërie më të mirë e më të begatë për të gjithë shqiptarët.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)