Deputetja socialiste e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro ka publikuar foto nga rimbushja me ujë e vaskave termale në llixhat e Bënjës, ku dallohen edhe vizitorë duke u larë. Reagimi i saj vjen pas lajmeve të botuara në media dhe ankesave të turistëve që në mesin e sezonit turistik i gjetën vaskat bosh. Por, Kumbaro në një postim sqarues shpjegon se punimet për rehabilitimin ende nuk kanë përfunduar. Sipas saj, ende po bëhen testimet e nevojshme mbi prurjet e ujit e nivelin e vaskave, duke theksuar se boshatisja e herëpashershme e tyre është pjesë e këtij procesi.
Kumbaro thotë se zona e Ujërave Termale të Bënjës prej muajsh është një kantier rikualifikimi, një investim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku janë parashikuar rrugë të reja aksesi, mjedise shërbimi të reja, me hapësira rekreative për çlodhje e për aktivitete që krijojnë edhe mundësi për festa kulturore e promovuese të traditës.
Reagimi i plotë i Mirela Kumbaros
Fotot e mëposhtme nga Ujërat termale të Bënjës janë të SOTMET dhe kush do të shohë me sytë e logjikës dhe jo me lentet e spekulimit, e ka shumë të lehtë të bëjë dallimin mes transformimit që ka pësuar Bënja sot, dhe kaosit të deridjeshëm. Por nuk është thënë ASNJËHERË që kantieri ka përfunduar, sepse janë duke u bërë testimet e nevojshme me prurjet e ujit, nivelin e vaskave, dhe boshatisja e herëpashershme e vaskave është pjesë e këtij procesi. Sa flasim, vaskat po mbushen sërish, në mënyrë të kontrolluar, sepse inxhinierët (ata të vërtetët, jo gjithologët) e dinë saktësisht se si kryhet kjo punë.
Por këtë fundjavë ju njoftoj se skena natyrore dhe ajo infrastrukturore e re e Bënjës do të kthehet në një skenë të madhe kulturore ku nuk do të mungojnë të gjitha zbavitjet, artistët, dhe sidomos muzika unikale përmetare, ndërsa pikërisht tani që po shkruaj këto rreshta, vizitorët janë duke shijuar vaskat e Bënjës, në kontrast me stuhinë e statuseve të rrjeteve sociale! Thënë kjo, tani dy fjalë, si deputete e asaj zone:
Prej ditësh dëgjoj e lexoj turlilloj komentesh mbi banjat e Bënjës në Përmet, me një dëshirë malinje, jo vetëm për të bërë si ekspertë që nuk jemi, por edhe për të nxirë një destinacion të jashtëzakonshëm, ku njerëzit janë shpirtbardhë, punëtorë e krijues si rrallëkund - dhe këtu e kam fjalën për përmetarët që më kanë dhënë mësimet më të vyera në jetë e me të cilët kemi ndërtuar e bërë aq shumë punë - për ta bërë Përmetin destinacionin e preferuar, pikërisht atë Përmet që deri para 7-8 vitesh, përveç përmetarëve që riktheheshin te familjet, apo ndonjë zyrtari që shkonte me shërbim, nuk i shkonte mendja njeriu ta shkelte! As tabelë tek Ura e Leklit nuk kishte në vitin 2015 që të tregonte se ku binte Përmeti!
Prej muajsh kemi thënë e treguar se zona e “Ujrave termale të Bënjës” është në kantier rikualifikimi, falë një investimi dhe projekti të bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ??, me rrugë aksesi të reja, me mjedise shërbimi të reja, me hapësira rekreative për çlodhje e për aktivitete që krijojnë edhe mundësi për festa kulturore e promovuese të traditës dhe produkteve të jashtëzakonshme përmetare.
Të gjitha ndërhyrjet – siç shihen në foto apo siç mund t’i shijoni kur ta vizitoni – janë bërë me materiale në harmoni me natyrën dhe brenda estetikës së peizazhit që Perëndia i ka dhuruar asaj zone ku shekujt kanë lënë gjurmët e tyre njerëzore. Ndërkohë puna ende s’ka mbaruar. Janë duke u bërë testimet e nevojshme me prurjet e ujit, nivelin e vaskave, dhe boshatisja e herëpashershme e vaskave është pjesë e procesit. Dhe tani boll e patë Përmetin e Bënjën me syzet e errëta të fejsbukut gjitholog, ejani në Përmet të shijoni Vaskë Currin, bash aty te vaskat termale me ujë.
Të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, Banjat e Bënjës janë një nga destinacionet më të njohura natyrore dhe kurative në Shqipëri. Të rrethuara nga Kanioni i Langaricës dhe pranë Urës së Katiut, ato kanë ndërtuar prej vitesh identitetin e tyre mbi burimet termale që burojnë natyrshëm nga nëntoka.
Ndërhyrjet në zonën e llixhave janë pjesë e projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas dokumentacionit të tenderit, fondi limit i projektit ishte 209.7 milionë lekë, ndërsa kontrata iu dha kompanisë fituese “Ergi” SHPK me pronar Nuri Belba për rreth 162.7 milionë lekë pa TVSH.
Komente









Kush inxhinier e ka projektuar kete dhe kush e ka pranuar projektin ,beton qe ngjan si lerë per bageti duhet ti hiqet lishenca ,pa pike ideje ka prishur gjithe panoramen .. turp
PërgjigjuVazhdojnë idiotizma,nuk bëhen punime në kohë turizmi,nuk po ndërtoni digë hidrocentrali që i zgjedhin punimet kaq gjatë...
Përgjigju