Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, TIA, ka mbyllur një tjetër vit fantastik, duke u rikonfirmuar ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë krahasuar me periudhën e parapandemisë, vitin 2019. Referuar të dhënave të publikuara nga ACI Europe, Airports Council International Europe, që përfaqëson më shumë se 600 aeroporte në 55 vende, të analizuara nga Ekofin.al, numri i pasagjerëve që kanë fluturuar nga TIA në vitin 2025 ishte 248.7% më i lartë sesa në vitin 2019 (2,556,846 pasagjerë në 2019 rritur në 11,640,047 në 2025). Me këtë rritje, Aeroporti i Rinasit rezulton të jetë mes top 5 aeroporteve evropiane me rritjen më të fortë nga totali i 485 aeroporteve.
.jpg)
Gjithashtu, sa i përket renditjes rajonale të aeroporteve të Ballkanit Perëndimor, Tirana International Airport (TIA) konfirmohet si aeroporti më i madh dhe me volumin më të lartë të pasagjerëve, me 11,640,047 udhëtarë me një rritje vjetore prej 8.7%. Me këtë performancë, Tirana qëndron dukshëm përpara Beogradit (BEG), i cili ka regjistruar 8,913,520 pasagjerë, me një rritje më të moderuar prej 6.5%.
Në vendin e tretë pozicionohet Kosova – Prishtina (PRN) me 4,595,524 pasagjerë, duke shënuar një nga ritmet më të forta të rritjes në rajon, 12.7%, ndërsa Shkupi (SKP) ndjek me 3,211,419 pasagjerë dhe 8.7% rritje, në të njëjtin nivel ritmi me Tiranën, por me një bazë dukshëm më të ulët.
Aeroportet turistike të Adriatikut shfaqin dinamika më të përmbajtura: Dubrovniku (DBV) ka regjistruar 3,090,245 pasagjerë, me rritje 4.6%, ndërsa Sarajeva (SJJ) spikat për rritjen më të fortë në listë, 22.2%, megjithëse me një volum më të kufizuar prej 2,226,692 pasagjerësh.
Në fund të renditjes, Podgorica (TGD) rezulton i vetmi aeroport me rënie, duke shënuar 1,752,077 pasagjerë dhe një tkurrje prej -0.3%, ndërsa Tivati (TIV) mbyll listën me 1,343,265 pasagjerë, por me një rritje të ndjeshme prej 19.5%, e mbështetur kryesisht nga sezonaliteti turistik.
Në tërësi, të dhënat tregojnë se Rinasi jo vetëm që kryeson rajonin në volum, por po konsolidon rolin e tij si nyja kryesore ajrore e Ballkanit Perëndimor, duke u shkëputur qartë nga aeroportet e tjera, si për nga madhësia, ashtu edhe për nga qëndrueshmëria e rritjes. Rritja e fortë e Rinasit përkon me marrjen në menaxhim të aeroportit nga Grupi Kastrati, i cili që nga fundit i vitit 2019, kur u nënshkrua marrëveshja koncesionare, deri në fund të vitit 2025 ka realizuar rreth 200 milionë euro investime, ndërsa planifikon të vijojë edhe gjatë vitit 2026, ku plani më ambicioz është zgjatimi i pistës për fluturimet e para transoqeanike të parashikuar në verë me Kanadanë dhe më pas në një të ardhme të afërt me Nju Jorkun në SHBA. /ekofin.al

Komente










