TIRANË-Me përfundimin e procesit të rinumërimit nga Kolegji Zgjedhor, të 18 kutive, për bashkinë Kuçovë, rezultati nuk ka ndryshuar dhe PS mbetet forcë. Kolegji Zgjedhor dha vendimin që të rrëzojë ankimimin e 'BF' për këtë bashki ku kërkonin pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Kuçovë për sa i takon garës për kryetarë bashkie dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve.

Këtë vendim, kandidati i dyshes Berisha-Meta e cilësoi si politik duke shtuar se sot fitoi korrupsioni e krimi. Po ashtu, në një dalje për mediat aludoi se raportet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 14 majit do të dalin 'të zeza'.

Mësohet se nga rinumërimi, kandidatit socialist iu hoqën 9 vota, kurse Lefter Maliqit iu hoqën katër. Ndërsa, kandidatit të PD-së zyrtare iu hoqën dy vota. Avokati i koalicionit “Bashke Fitojmë” i kërkoi Kolegjit Zgjedhor rihapjen e të gjitha kutive tjera të KZAZ Kuçovë, por kjo kërkesë u rrëzua.

Në seancën e sotme të Kolegjit Zgjedhor ndodhi një incident. Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Lefter Maliqi është përplasur me përfaqësuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ylli Merkajt. Në seancë, u dëgjua kur Maliqi e ofendon Merkajn duke e quajtur si rrugaç dhe hajdut.

"Mua më thua kështu ti? Hajdut. Ti je hajdut. Kush e thirri atë? Hajdut. Kur të dojë gjykata le ta thërrasë gjykata. Kujt i mëson? Mua më mëson ti që kam qenë oficer policie 25 vjeç, anëtar i Komisionit të Sigurisë 7 vjet?Për çfarë jam këtu? Për të mbrojtur demokracinë, nuk jam për të vjedhur. Rrugaç! Hajdut! Hajdut!”, dëgjohet të thotë Maliqi.

Në një dalje për mediat, Maliqi sqaroi versionin e tij se përse shkoi deri në këtë përplasje. Ai tha se ka filmuar me telefon përfaqësuesin e KQZ teksa ishte në seancë. Sipas tij, ai nuk është thirrur si dëshmitar dhe nuk kishte përse të ishte i pranishëm. Lefter Maliqi u shpreh se e bëri videon që ta ketë si provë.

Rinumërimi në Kolegjin Zgjedhor i 18 kutive në Bashkinë e Kuçovës, u bë pas kërkesës së bërë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Lefter Maliqi. Pala paditëse pretendonte se kutitë e votimit nuk kanë patur proces verbal dorëzimi, ndërsa kanë qenë jashtë fokusit të kamerës për të paktën dy orë.  Në garë për Bashkinë e Kuçovës ishte Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste, i cili fitoi me mbi 600 diferencë ndaj Lefter Maliqit të Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, teksa i treti u rendit Ilirjan Koxhaj i Partisë Demokratike.

Kërkesat e Maliqit dhe koalicionit 'BF':

1.Ndryshimi i vendimit nr. 101, datë 16.06.2023 të ZAZ-së nr. 64, bashkia Kuçovë, qarku Berat “Për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë Kuçovë”.
2. Rinumërim dhe rivlerësim i votave për ZAZ-në nr. 64, të gjitha QV-të, duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave për QV-të e listuara në tabelë.
3. Pavlefshmëri e vendimit nr. 101, datë 16.05.2023 “Për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë Kuçovë”.
4. Konstatim i pavlefshmërisë së vendimit të KQZ-së ku është emëruar sekretari i KZAZ-së nr. 64 Kuçovë, shtetasi Romeo Arizi.
5. Pavlefshmëri e vendimit të KZAZ-së nr. 64 Kuçovë, qarku Berat, për shtyrjen e numërimit të votës, nga ora 10:00 deri në orën 12:30.
6.Pavlefshmëri e pjesshme e fletës së votimit Kandidatët për Kryetar Bashkie për Bashkinë Kuçovë, në pikën ku është shënuar kandidati për bashkinë Kuçovë, qarku Berat, Kreshnik Hajdari .
7.Pavlefshmëri e veprimit juridik, formulari i dekriminalizimit, në emër të Kreshnik Hajdarit dorëzuar pranë KQZ referuar ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:58
Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimin e 'BF' për bashkinë e Kuçovës, Maliqi: Vendim politik! Zgjedhjet nuk do njihen nga opozita, sot fitoi krimi e shpërdorimi i detyrës

 

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë Kuçovë, Lefter Maliqi foli për mediat pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimin e ‘BF’. Këtë vendim, Maliqi e cilësoi politik duke shtuar se zgjedhjet nuk do të njihen nga opozita.

“Ky proces dhe ky vendim ishte pak a shumë i njëjti që kisha me burimet e mia nga Rilindja se donin ta shpallnin fitues dhe në vjeshtë të bëjnë zgjedhjet me kandidat tjetër. e dinin shumë mirë se me këtë kandidat ishte e pamundur. Votim afrikan ishte në Kucovë. Kodi zgjedhor thotë që vota është e fshehtë. E patë që dokumentacionet ishin për faqe të zezë. Unë jam i qetë, jam mësuar me këto beteja. Do vijoj me beteja politike. Këto zgjedhje si në Kucovë dhe në të gjithë Shqipërinë dhe OSBE do japë konkluzione të këqija. Qesh mirë kush qesh i fundit thotë populli. Nesër të marrim njerëzit e të votojnë. Nuk qenka problem për 2-3-4 apo 5 veta. Ti themi njerëzve votoni me karta. Ky ishte vendim politik. Ju tregova shqiptarëve me fakte se çfarë ndodh, zgjedhjet nuk do njihen nga opozita.   Sot fitoi krimi, korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës”, tha Maliqi.

Ora 10:38
Tensioni në Kolegj me përfaqësuesin e KQZ, Maliqi: E filmova me video, nuk është dëshmitar! Pse erdhi në seancë?

 

Kandidati i Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Kuçovës në zgjedhjet e 14 majit, u përfshi në një incident në Kolegjin Zgjedhor. Në Kolegj po mbahet seanca për rinumërim e 18 kutive të në Bashkinë e Kuçovës, ndërsa Maliqi u përplas me përfaqësuesin e KQZ, Ylli Merkajn. Në një dalje për mediat, ai shpjegoi se e filmoi Merkajn, pasi sipas tij ai nuk është thirrur si dëshmitar dhe nuk kishte pse të ishte në seancë. Lefter Maliqi u shpreh se e bëri videon që ta ketë si provë.

“Unë tregoj muskujt e trurit, muskujt e mbështetjes popullore dhe muskuj e krimit elektoral në Kuçovë. Këtu nuk bëhet fjale për mua. Lefter Maliqi ka qenë gjithmonë i pastër. Kam mbështetjen popullore. Kuçova është e majtë. Prej 33 vitesh drejtohet nga Partia Socialiste.

Unë kam mbështetje të majtë dhe të djathtë. Avokati tha që kryetari i KZAZ nuk është thirrur dëshmitar. Unë e filmova që ta kisha si provë. Është profesioni im”, deklaroi ai.