Pas zgjedhjeve të 14 majit, demokratët e panë që janë më të ndarë se më parë. Për të diksutuar rreth situatës politike dhe riorganizimit të partisë, kryetari i ri grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar të hënën e javës së ardhshme (5 qershor).

Një ditë më pas, më 6 qershor në orën 17:00 do të mblidhet Kryesia e PD.

“Me Rend ditë të të dyja mbledhjeve: “Diskutimi mbi situatën politike ne vend, dhe mbi procesin e riorganizimit të PDSh.”.

Secili anëtar i Grupit Parlamentar dhe Kryesisë së Partisë, do të shfrytëzojë kohën në dispozicion për të elaboruar dhe propozuar zgjidhjet më të mira për forcimin dhe riorganizimin e partisë”, shkruan Bardhi.

Situata në PD ka ndryshuar prej kohës që Sali Berisha u shpall 'non grata' nga SHBA. Ishte Lulzim Basha që e përjashtoi nga grupi parlamentar, që Berisha e cilësoi nul dhe të pavlefshëm. Që prej asaj kohe u krijuan 2 grupime, ata që mbështesnin PD zyrtare dhe ata që mbështesnin Rithemelimin e Berishës. Pas dorëheqjes së Bashës si lider i PD, postin e kryetarit të komanduar e mori Enkelejd Alibeaj, njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar të PD i cili e mbajti deri pas zgjedhjeve të 14 majit. Edhe ai ka dhënë dorëheqjen dhe deputetët zgjodhën Gazment Bardhin si kryetar të grupit parlamentar, por Berisha thotë se nuk njeh vendime të asnjë strukture paralele. 

Pas disfatës së thellë të opozitës më 14 maj, është rikthyer në politikën aktive edhe Lulzim Basha, i cili me daljet e tij publike nënkupton se mund të rikthehet në politikën aktive.

Shpesh herë, deputetë kanë bërë thirrje për bashkim por nuk është gjetur gjuha e përbashkët. Mbetet për t'u parë se çfarë do të diskutohet në mbledhjet e 5 dhe 6 qershorit.