Partia Socialiste vijoi me procesin e riorganizimit të strukturave në kryeqytet ku këtë herë u ndal te njësia nr. 14.

Të pranishëm në mbledhjen e Asamblesë së PS në njësinë nr.14 ishin kryeministri Edi Rama dhe drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se gjatë kohës që PS ka qenë në qeverisje, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në disa fusha. Sipas kryeministrit, turizmi dhe investimet e huaja në Shqipëri janë shumëfishuar gjatë këtyre viteve.

“Krijimi i një respekti në arenën ndërkombëtare nuk është çështje thjesht sesi vishesh apo si flet, por është çështje se kë përfaqëson dhe çfarë përfaqëson. Unë besoj se ndryshimi i pozicionit tonë në arenën ndërkombëtare ka ardhur si rezultat i faktit që kemi pasur edhe çfarë të tregojmë, jo thjesht si ta tregojmë. Ne kur kemi filluar këtë punë, Shqipëria kishte 2 milionë turistë, ku numëroheshim edhe ne që ktheheshim nga udhëtimet jashtë shtetit. Pra numëroheshin të gjithë ata që hynin në kufij, pavarësisht se kishin pasaportë shqiptare apo të huaj. Kemi arritur në 12 milionë, me pasaportë të huaj. Në atë kohë mesatarja e investimeve të huaja në Shqipëri ishte 300-400 milionë euro në vit, ndërsa tani kemi kaluar 1.5 miliardë. Të gjitha këto janë para që hyjnë në ekonomi”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:05
Legalizimet/ Rama: Një pjesë e tyre janë të pamundura me ligjin aktual! Po dixhitalizojmë të gjitha hartat, janë skanuar 54 milionë fletë

 

Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme lidhur me procesin e legalizimeve në të gjithë Shqipërinë.

Rama tha se një pjesë e legalizimeve janë të pamundura me ligjin aktual, teksa shtoi se puna me legalizimet vijon dhe nuk ka ngecur.

Po ashtu kryeministri shtoi se qeveria po punon për dixhitalizimin e të gjitha hartave kadastrale, proces që sipas Ramës, deri më tani ka çuar në skanimin e 54 milionë fletëve.

“Janë bërë shumë legalizime, janë bërë rreth 300 mijë. Një pjesë e tyre janë të pamundura me ligjin aktual, jo është mbi kolektror, jo është mbi rrugë. Por gjithësesi një pjesë tjetër duhen bërë sepse mund të bëhen. Ajo që mua më shqetëson është pse dikush që e ka bërë kërkesën që në 2010 duhet të presë akoma, ndërkohë që dikush që e ka bërë kërkesën në 2018, ta marrë më para. S’mund ta fillosh ta mbarosh bllokun, sepse pastaj i bie që ai tjetri pastaj te blloku tjetër, që po pret që në 2010, të vazhdojë të presë akoma, ndërkohë që këtu te ky blloku, ai që e ka bërë kërkesën në 2018 ta marrë legalizimin më parë.

Prandaj ajo që kemi kërkuar dhe do bëhet tani, është se do bëhet një sistem tani me kritere të qarta, me vite dhe njerëzve do u thuhet prit se jemi në vitin X. Kjo do krijojë më shumë qartësi për njerëzit. Gjithësesi puna vazhdon dhe legalizime bëhen përvit. Ne po dixhitalizuar të gjitha hartat, sepse kadastra e ka informacionin nëpër harta dhe deri më tani janë skanuar 54 milionë fletë. Kështu që llogariteni vet sa punë e madhe është bërë”, tha mes të tjerash Rama.