Riparohet tubacioni i ujit të Shën
Mërisë, përfiton 1/3 e qytetarëve

Riparohet tubacioni i ujit të Shën<br />Mërisë, përfiton 1/3 e qytetarëve
Qytetarët e Tiranës do të kenë një shërbim më të mirë të furnizimit me ujë të pijshëm.

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës është bërë i mundur ndërtimi i armaturës së tubacionit të Shën Mërisë, që furnizon rreth 1/3-ën e të gjithë territorit të Bashkisë Tiranë, duke shmangur kështu dëmtimet e herëpashershme të rrjetit kryesor.

Për të inspektuar punimet e këtij investimi, ishte i pranishëm dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky është një investim i munguar prej dekadash dhe që ishte bërë i nevojshëm për shkak të problematikës së vazhdueshme që sillte.

“Ky është një burim nga Shën Mëria që me tubacione sjell 600-800 litra ujë / sekondë për Tiranën, do të thotë që furnizon me ujë 1/3 e Tiranës. Ishte shumë e rëndësishme që të ndërtonim këto diga duke lartësuar tubacionin. Për atë që e mban mend se çfarë kaluam vitin e kaluar, besoj se na mirëkupton që në një vit po bëjmë investime që nuk janë bërë prej fillimit të viteve ’60. Sigurisht që nuk rikuperojmë dot gjithçka që nuk është prekur me dorë që nga vitet ’60, por besoj se po tregojmë që kemi një vëmendje kryesisht për çështjet që janë emergjente, siç është uji i pijshëm në Tiranë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

[gallery]20701[/gallery]

Veliaj bëri të ditur se megjithë situatën e përmirësuar të furnizimit me ujë në Tiranë, mbetet ende sfidë e Bashkisë së Tiranës për të rritur edhe më tej orarin e furnizimit të qytetarëve.

“Sot kemi një situatë shumë më të mirë me ujin e pijshëm; nga 7 orë kemi vajtur në 14 orë, pra është dyfishuar. Megjithatë është ende larg të qenit 24 orë, por besoj se me investimin që po bëjmë në Shën Mëri, në Qafmollë, me tubacionin që shton prurjet në Tiranë, besoj që në një kohë të shkurtër, për një pjesë të mirë të Tiranës, do të kemi furnizim 24 orë”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë i bëri thirrje qytetarëve që të tregohen bashkëpunues me UKT-në, qoftë sa i përket mos shpërdorimit të ujit pa kriter, ashtu edhe duke paguar detyrimet financiare për ujin që konsumuar. Ai theksoi se çdo qindarkë e paguar është një investim i shtuar në rrjetin e ujësjellësit.

“Është shumë e rëndësishme që qytetarët të bashkëpunojnë, është shumë e rëndësishme që të paguajnë faturat. Duhet të kuptojmë që nuk konsumohet apo shpenzohet vetëm për rrjetin kapilar të lagjeve të Tiranës por edhe për investime të tilla të cilat sot me paparashikueshmërinë e motit dhe me amortizimin ndër vite, bëhen gjithmonë më të kushtueshme dhe kërkojnë gjithmonë rezerva financiare që kompania të performojë më mirë”, tha kryebashkiaku.

Drejtori i UKT-së, Redi Molla theksoi se aktualisht është ndërhyrë në dy nga pikat më problematike që shkaktonte herë pas here probleme edhe në furnizimin me ujë të qytetarëve të Tiranës. “Gjatë 2016 kemi pasur dy defekte madhore, të cilat janë përcjellë edhe në kufizime me ujë. Defekti i parë ka qenë këtu në këtë pikë që po shikojmë, ku po bëhet rikualifikimi dhe defekti i dytë ka qenë përpara pompave të Qafmollës. Të dyja kanë ndodhur për efekt të shirave. Njëra në prill dhe tjetra në nëntor. Ujësjellësi ka bërë një projekt për rehabilitimin e këtyre dy pikave, për mbrojtjen e skarpateve me mur gabion, ngritja e kuotës së tubit sepse tubi ka qenë ngjitur me lumin dhe e kemi ngritur në një kuotë 4 metra më të lartë që mos ketë dëmtime nga shirat”, tha Redi Molla.

Linja e tubacionit së Shën Mërisë përbën një nga linjat furnizuese më të hershme të ujësjellësit të Tiranës, me një gjatësi rreth 15 kilometra. Prej ndërtimit të tij, ky tubacion, ka qenë në mëshirën e kushteve atmosferike, pasi si pasojë e erozionit dhe prurjeve të mëdha, është dëmtuar disa herë.

Gjatë gjithë këtyre viteve, prurjet e mëdha në lum, kanë sjellë tre herë dëmtime serioze të linjës, për të cilat janë marrë masa urgjente, por kanë shkaktuar kosto dhe avari në furnizimet me ujë. Përfundimi i këtij investimi garanton tashmë që linja e furnizimit të përballojë shumë fenomeneve natyrore.

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Nga biçikletat e para te makinat e komunizmit, Bajram Peçi rrëfen Shqipërinë e vjetër motorike!

Nga biçikletat e para te makinat e komunizmit, Bajram Peçi rrëfen Shqipërinë e vjetër motorike!